Gjinushi dha dorëheqjen, por figuron ende kryetar partie

Në fletën e votimit të prezantuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përcaktimit të radhës së partive politike për këshillat bashkiak, në vendin e 28 figuron Partia Socialdemokrate. Deri këtu është çdo gjë normale, por ajo që bën habi është se si kryetar i saj figuron ende Skënder Gjinushi, i cili pak ditë më parë u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave.

Para kandidimit të tij për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Gjinushi dha dorëheqjen nga kreu i PSD-së. Por pavarësisht dorëheqjes ai figuron ende si kryetar i PSD në fletën e votimit të miratuar ditën e enjte nga KQZ.

Përcaktohet renditja e partive politike, ja si duket fleta e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar renditjen përfundimtare të gjitha partive politike dhe koalicionet për Këshillat Bashkiak për zgjedhjet e 30 qershor 2019.

KQZ vendosi të miratojë rezultatin e shortit duke përcaktuar numrin rendor që do të ketë çdo subjekt zgjedhor në fletën e votimit, ku Partia Socialiste renditet e 30 në listën.

Fleta e votimit hapet nga Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, ndërsa Partia Bindja Demokratike e Astrit Patozit është renditur e 36.

Ja si do të duket fleta e votimit:

KQZ vendosi të miratojë edhe sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi. Sasia e fletëve të votimit që do të prodhohet duke shtuar 2-përqindëshin mbi numrin e zgjedhësve, gjithsej është 3.606.815 fletë votimi.

Zgjedhjet e 30 qershorit, KQZ miraton fletën e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme përmbajtjen dhe rendin e kandidatëve në fletën e votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në shumicën e bashkive në garë janë vetëm kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ndërsa në disa prej tyre u shtohen edhe kandidatët e Bindjes Demokratike.

Sipas shortit të hedhur në KQZ, për Bashkinë e Tiranës vendin e parë do e mbajë kandidati i Bindjes Demokratike Arben Skënderi, ndërsa vendin e dytë kryebashkiaku aktual Erion Veliaj.

Ndërsa në Bashkinë Durrës, me moskandidimin e Vangjush Dakos, PS ka zgjedhur të përfaqësohet me Valbona Sako, e cila do të jetë me nr. 2, ndërsa Bindja Demokratike përfaqësohet nga Valbona Sakollari, e cila do të jetë e para në listën e votimit.

Në Bashkinë Korçë kandidati Bindjes Demokratike, Leonard Olli do të mbajë nr. 1 në fletën e votimit, ndërsa Sotiraq Filo i PS renditet i dyti.

Në Bashkinë e Vlorës, përfaqësuesi i PS, Dritan Leli renditet i pari ndërsa Valbona Mezini e Bindjes Demokratike renditet e dyta në fletët e votimit.

Për Bashkitë Lushnje, Fier, Shkodër dhe Elbasan, fleta e votimit u miratua pa short vetëm me kandidatët përkatës të Partisë Socialiste.

Skip to toolbar