Exsluzive/ Aksidenti tragjik në Formula 2, piloti shqiptar i Sauber tregon momentet dramatike të përplasjes

Të shtunën në pistën e Francorchamps humbi jetën piloti 22-vjeçar i Renault, Anthoine Hubert, pas një përplasje fatale me dy makina të tjera. Piloti që garonte në botërorin e Formula 2, një nivel para Formula 1, nuk arriti t`u mbijetonte plagve të marra gjatë aksidentit. Kjo ngjarje ka tronditur mbarë botën e automobilizmit, pasi prej vitesh nuk kishte nodhur një aksident me pasojë vdekjen e një piloti.

Realstory.al ka kontaktuar me pilotin shqiptar të skuterisë Sauber Junior Team pjesë e Alfa Romeo, që garon në botërorin e Formula 3. Talenti i vetëm shqiptar, Lirim Zendeli, që garoi vetëm pak orë para se të vdiste Anthoine Hubert në pistën e Belgjikës, tregon momentet e tmerrit të aksidentit, ku u përfshi dhe shoku i tij i skuadrës, Juan Manuel Correa, që garon në Formula 2.

Zendeli në ato momente tregon se ka qenë duke e ndjekur garën nga tribuna, kur të gjithë tifozët janë tronditur nga aksidenti i tmerrshëm, ndërsa fillimisht flet për shokun e tij të skuadrës, që ndodhet në spital. “Djali që u aksidentua nga ekipi jonë është në spital. I është nënshtruar një operacioni në këmbë, por s`mund të them me saktësi se çfarë dëmtimesh ka marrë”, shprehet piloti shqiptar i Alafa Romeo.

Më tej ai tregon dhe momentin e aksidentit ku u përfshi shoku i tij i skuadrës dhe piloti që humbi jetën. “Makina u përplas me gomat e murit anësor të pistës dhe më pas doli përsëri në pistë. Më pas ka ardhur Anthoine dhe e ka goditur me një shpejtësi rreth 240 km në orë. Ka qënë përplasje e vështirë dhe shanset për t`i mbijetuar atij aksidenti kanë qenë të vogla”, tregon Zendeli.

Në fund ai rrëfen edhe diçka për pistën e Belgjikës, aty ku paraditen e të dielës, pilotoi përsëri me makinën e tij për botërorin e Formula 3. “Pista nuk është e rrezikshme, është shumë e bukur. Të gjithë pilotët kur vijnë në Belgjikë, shprehen se pista ‘është magjike’, është shumë e bukur. Por ka një këthesë shumë të shpejtë, ku dihet se  nëse ndodh një aksident, pasojat janë të mëdha”, tregon Zendeli, i cili ka përjetuar momente të vështira të shtunën në Belgjikë pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një pilot, që sezonin e ardhshëm priste të debutonte në Formula 1 me ekipin e Renault.

Ndërkohë, piloti shqiptar, nuk ka pasur një sezon të mirë deri tani, megjithatë ai shpreson që vitin e ardhshëm të kalojë në nivelin e Formula 2, ku do të jetë vetëm një hap larg debutimit në Formula 1.

Tragjedi, vdes piloti i Renault pas aksidentit në garën për Çmimin e madh të Belgjikës

Bota e automobilizmit është tronditur pasditen e të shtunës nga një aksident i rëndë në pistën e Francorchamps në Belgjikë. Pak pasi kishin përfunduar provat zyrtare për Çmimin e Madh të Formula 1, nisi gara për Çmimin e Madh të Formula 2 në këtë pistë. Vetëm pas dy xhirosh, tre makina u përfshinë në një aksident të rëndë, ku si pasojë ka vdekur piloti 22-vjeçar i Renault, Anthoine Hubert.

Lajmi e ka konfirmuar zyrtarisht Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit me anë të një deklarate për shtyp, ku shpreh keqardhjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të talentit francez, që ishte duke bërë paraqitje të shkëlqyera me Renault.

Francezi ishte duke luftuar për të hyrë në 10-shen më të mirë të F2, kur u përfshi në aksident në xhiron e dytë. Incidenti nisi me Giuliano Alesi, i cili humbi kontrollin e makinës së tij duke u goditur me murin e pistës.

Më pas ai u godit nga makina e Anthonie, ndërsa në aksident uu përfshi dhe Juan Manuel Correa. FIA ka raportuar në deklaratën zyrtare se Hubert u dërgua menjëherë në spital, por ai ndërroi jetë pa mundur të përballonte plagët e mara në aksident.

Anthonie Hubert ishte një nga kandidatët për të fituar botërorin  e F2 këtë sezon, ndërsa sezonin tjetër ai ishte projektuar të pilotonte një Renault në F1. Anthonie ishte djali i një tjetër piloti francez, Fancois Hubert, ndërsa karrierën e tij e kishte nisur në Formula 4.

Video/ Aksident i frikshëm në pistën e Belgjikës, makinat copëtohen, piloti në gjendje të rëndë

Një aksident i frikshëm ka ndodhur në Çmimin e Madh të Belgjikës në botërorin e Formula 2. Fillimisht ishte piloti Juan Manuel Correa, i cili u përplas me murin anësor të pistës, ndërsa më pas ishte Anthoine Hubert që e ka goditur nga pas me shpejtësi të madhe.

Hubert mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërkohë që ende nuk ka detaje për shëndetin e pilotit. Pas aksidentit të dy makinave të para, është përfshirë edhe Marino Sato, por që fatmirësisht nuk ka pasur dëme të mëdha për shëndetin.

Nga pamjet duket momenti i përplasjes mes makinave, ku shihet përplasja e frikshme. Komisarët e garës kanë marrë vendimin për të mos e rifilluar garën, lajm i bër publik në faqen zyrtare të Formula 2.

Gara nisi fill pas përfundimit të provave zyrtare të Formula1 për Çmimin e Madh të Belgjikës. Sipas rregullores së FIA, në të njëjtën pistë zhvillohen njëkohësisht tre gara, ajo e F3, F2 dhe F1.

Skip to toolbar