Exsluzive/ Aksidenti tragjik në Formula 2, piloti shqiptar i Sauber tregon momentet dramatike të përplasjes

AKTUALITET


Të shtunën në pistën e Francorchamps humbi jetën piloti 22-vjeçar i Renault, Anthoine Hubert, pas një përplasje fatale me dy makina të tjera. Piloti që garonte në botërorin e Formula 2, një nivel para Formula 1, nuk arriti t`u mbijetonte plagve të marra gjatë aksidentit. Kjo ngjarje ka tronditur mbarë botën e automobilizmit, pasi prej vitesh nuk kishte nodhur një aksident me pasojë vdekjen e një piloti.

Realstory.al ka kontaktuar me pilotin shqiptar të skuterisë Sauber Junior Team pjesë e Alfa Romeo, që garon në botërorin e Formula 3. Talenti i vetëm shqiptar, Lirim Zendeli, që garoi vetëm pak orë para se të vdiste Anthoine Hubert në pistën e Belgjikës, tregon momentet e tmerrit të aksidentit, ku u përfshi dhe shoku i tij i skuadrës, Juan Manuel Correa, që garon në Formula 2.


Zendeli në ato momente tregon se ka qenë duke e ndjekur garën nga tribuna, kur të gjithë tifozët janë tronditur nga aksidenti i tmerrshëm, ndërsa fillimisht flet për shokun e tij të skuadrës, që ndodhet në spital. “Djali që u aksidentua nga ekipi jonë është në spital. I është nënshtruar një operacioni në këmbë, por s`mund të them me saktësi se çfarë dëmtimesh ka marrë”, shprehet piloti shqiptar i Alafa Romeo.

Më tej ai tregon dhe momentin e aksidentit ku u përfshi shoku i tij i skuadrës dhe piloti që humbi jetën. “Makina u përplas me gomat e murit anësor të pistës dhe më pas doli përsëri në pistë. Më pas ka ardhur Anthoine dhe e ka goditur me një shpejtësi rreth 240 km në orë. Ka qënë përplasje e vështirë dhe shanset për t`i mbijetuar atij aksidenti kanë qenë të vogla”, tregon Zendeli.

Në fund ai rrëfen edhe diçka për pistën e Belgjikës, aty ku paraditen e të dielës, pilotoi përsëri me makinën e tij për botërorin e Formula 3. “Pista nuk është e rrezikshme, është shumë e bukur. Të gjithë pilotët kur vijnë në Belgjikë, shprehen se pista ‘është magjike’, është shumë e bukur. Por ka një këthesë shumë të shpejtë, ku dihet se  nëse ndodh një aksident, pasojat janë të mëdha”, tregon Zendeli, i cili ka përjetuar momente të vështira të shtunën në Belgjikë pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një pilot, që sezonin e ardhshëm priste të debutonte në Formula 1 me ekipin e Renault.

Ndërkohë, piloti shqiptar, nuk ka pasur një sezon të mirë deri tani, megjithatë ai shpreson që vitin e ardhshëm të kalojë në nivelin e Formula 2, ku do të jetë vetëm një hap larg debutimit në Formula 1.




Skip to toolbar