Video/ Aksident i tmerrshëm në Monza, makina fluturon, piloti shpëton për mrekulli

Piloti i ri, australiani Alex Peroni, që garon në kampionatin e Formula 3, mund ta quajë veten me fat, pas një aksidenti të frikshëm në Çmimin e Madh të Italisë, në pistën e Monza. Piloti australian, ishte duke drejtuar makinën e tij, teksa në një kthesë ai goditi një bordurë, e cila e fluturoi në ajër makinën. Fatmirësisht, edhe pse makina fluturoi në ajër duke u rrëzuar në tokë me forcë, 19-vjeçari shpëtoi pa asnjë dëmtim, por shumë i tronditur nga aksidenti.

Aksidenti në pistën e Monza, vjen vetëm një javë pasi në Belgjikë humbi jetën një pilot 22-vjeçar gjatë garës në Formula 2. Anthoine Hubert u aksidentua teksa përplasi me forcë një tjetër makinë përpara tij në pistë, duke humbur jetën tragjikisht në aksident.

Ndërkohë, piloti i Sauber Junior Team, Juan Manual Correa, që ishte dhe shkak i aksidentit të SPA, ndodhet ende në spital në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, në garën e Formula 3 të Çmimit të Madh të Italisë, piloti shqiptar Lirim Zendeli e nisi garën nga vendi i dytë, por në xhiron e dytë të saj ai doli jashtë gare duke humbur shansin për t`u ngjitur në podium.

Piloti shqiptar merr pikët e para në Formula 3, drejt realizimit të ëndrrës…F1

Talenti shqiptar, Lirim Zendeli, që është duke jetuar ëndrrën në botën e motorëve, duke garuar me makinat e shpejta, ka arritur suksesin e parë sezonal në Formula 3 me ekipin e Sauber Motorsport. Zendeli zuri vendin e tetë në garën e parë të për Çmimin e Madh të Austrisë në pistën e Spielberg (ku njëkohësisht është duke u zhvilluar edhe gara e Formula 1). Piloti i ri me orgjinë shqiptare nga Maqedonia, mposhti temperaturat e larta në Austri, duke arritur që pas 24 xhirosh të mbante vendin e tetë në pistën e Spielberg.

Falë kësaj fitoreje të së shtunës, Lirim Zendeli do të ketë mundësi, që ditën e dielë në garën e dytë, të niset nga vendet e kreut. Ky ishte suksesi i parë në FIA Formula 3 edhe për ekipin e Sauber Junior Team, që është pjesë e ekipit të Alafa Romeo, që këtë sezon është rikthyer edhe në garat e Formula 1. Pas garës, Lirim Zendeli është shprehur i kënaqur për suksesin në Austri.

“Kjo ishte e mahnitshme! E dija që gomat e mia ishin më të mira se të rivalëve të mi. Është mirë të mendosh se kemi mundësi për të vazhduar përpara. Mund të kishim bërë dhe më mirë, por gabova në kthesën e parë, pastaj përmirësova në kthesën e tretë, dhe mu dha mundësi për të parakaluar. Fakti që nesër do të nisem nga P1, më vë në presion, por kjo është ajo që duam. Jam në kërkim të fitores së parë”, është shprehur Zendeli.

E zbuloi legjenda Schumacher, talenti shqiptar debuton nesër në F3 (foto)

Të premten në Barcelonë do të nis zyrtarisht kampionati i Formula 3, ku dhjetë ekipe do të marrin pjesë në tetë gara zyrtare gjatë këtij sezoni. Një ndër pilotët e këtij viti, që do të drejtojë njëvendshen Alfa Romeo, është dhe talenti shqiptar nga maqedonia, Lirim Zendeli.

18-vjeçari shqiptar do të debutojë në këtë kampionat si pjesë “Sauber Junior Team”, ku do të ketë dhe dy shokë skuadre, të cilët kanë përvojë të mëhershme në këtë kompeticion. Lirim Zendeli dhe ekipi i tij kanë kryer përgatitje gjatë dimrit, ndërsa gjatë pranverës ata kanë zhvilluar dhe djsa teste në Spanjë dhe Hungari.

Pak orë para debutimit të tij në kampionatin e Formula 3, Lirim Zendeli ka folur për faqen zyrtare të “Sauber Junior Team”, ku ndër të tjera ka shprehur dhe objektivat që ka për këtë sezon.

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer të garojë pas një dimri të gjatë. Barcelona është një nga pistat e mia të preferuara, pasi ka kthesa ku mund të pilotosh me shpejtësi të lartë. Objektivi im është të jem i qëndrueshëm gjatë sezonit dhe të luftojë për vendet e kreut. Shpresoj të jem gjithmonë te pesë më të mirët, por objektivi im kryesor është të jemi gjithmonë në zonën e pikëve”, tha Zendeli.

Po kush është Lirim Zendeli? 18-vjeçari shqiptar me orgjinë nga Shkupi, ka lindur në Gjermani, teksa ka pasur fatin që ai të zbulohet si talent nga legjenda e Formula 1, Michael Schumacher.

Me ekipin “Kart” të 7-të herë kampionit të botës në F1, Lirim Zendeli ka pilotuar për disa vite, teksa ka qenë nën mbikqyrjen e vazhdueshme të Ralf Schumacher, gjithashtu ish-pilot i Formula 1.

Sezonin e shkuar, Lirim Zendeli u shpall kampion i Formula 4, duke kapërcyer këtë sezon në një nivel më të lartë pilotimi. Ai i përket një brezi talentesh, mes tyre Mick Schumacher, djali i Michael Schumacher, që aktualisht garon në Formula 2 dhe ndodhet një hap larg nivelit më të lartë të garave me makina, F1.

Skip to toolbar