Reja nis punën, vëzhgon Tahirajn dhe Ismajlin në Kroaci!

Edy Reja nuk ka kohë për të humbur, teksa i kanë mbetur dhe pak ditë kohë për të përzgjedhur lojtarët që do të jenë nën urdhrat e tij për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor.

Tekniku italian i kombëtares, ndryshe nga parardhësi i tij, Christian Panucci, që mjaftohej me statistikat e lojtarëve virtualisht, Edy Reja ka zgjedhur t’i vëzhgojë nga afër lojtarët.

Kështu, pas Italisë, ku ka parë disa prej legjionarëve që aktivizohen në klubet përtej Adriatikut, Reja ka nisur një tur në Ballkan. RealStory.al ka mësuar se një javë më parë, 73-vjeçari ka qenë në Kroaci për të ndjekur disa nga lojtarët që aktivizohen atje.

Ai ka ndjekur nga afër ndeshjen mes Hajduk Splitit dhe Goricës, e cila përfundoi me humbjen e ekipit të tre shqiptarëve, Ardian Ismajli, Francesco Tahiraj dhe Emir Sahiti. Në atë takim u aktivizua titullar Ismajli ndërsa Tahiraj, që pret ende një ftesë nga kombëtarja, luajti si zëvendësues.

Sakaq, Edy Reja ka shkuar dhe në Greqi për të ndjekur nga afër disa lojtarë të tjerë të Kombëtares, Enea Mihaj dhe Ergys Kaçe. Duke filluar nga data 15 maj, stafi i ekipit kombëtar duhet të dërgojë zyrtarisht ftesat për lojtarët që do të grumbullohen në ekip përfaqësues.

Sot luhet derbi i shqiptarëve në Kroaci, katër lojtarë kuqezi në fushë

Sonte në mbrëmje do të ketë një derbi shqiptarësh në Kroaci, pasi do të përballet Lokomotiva e Zagrebit me Hajduk Splitin, ku luajnë katër futbollistë të ekipit kombëtar të Shqipërisë.

Myrto Uzuni dhe Lokomotiva e tij presin në shtëpi Ardian Ismajlin, Francesco Tahirajn dhe Emir Sahitin me Hajdukun, në një ndeshje që do të jetë shumë e rëndësishme për pjesëmarrjen në Europa League vitin e ardhshëm.

Aktualisht të dyja ekipet ndajnë vendin e katërt në renditje me pikë të barabarta, mirëpo Lokomotiva është favorizuar për shkak të golavarazhit më të mirë se Hajduku.

Trajneri i Hajdukut, gjatë konferencës së zakonshme për mediat, ka deklaruar se nga Lokomotiva do të donte të kishte në ekip Myrto Uzunin, duke e vlerësuar maksimalisht futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Pritet që Uzuni dhe Ismajli ta nisin titullar për ekipet përkatëse, ndërsa Tahiraj dhe Sahiti mund të hidhen në fushën e lojës si zëvendësues. Pavarësisht gjithçkaje, kjo ndeshje duhet të ketë interes për trajnerin aktual të Kombëtares, Ervin Bulku, për të ndjekur nga afër lojën e katër legjionarëve kuqezi.

Skip to toolbar