PD nis fushatën elektorale, Bardhi: Votimi i kandidatëve nga anëtarësia hapi i madh i fitores së zgjedhjeve

Ka nisur faza e tretë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Procesi i votimit të kandidatëve që dolën nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave ka nisur në qytetin e Kukësit ku po zhvillohet votimi për 17 kandidatë nga ky qark ku dalin 3 mandate.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi deklaroi nga Kukësi se PD nis sot fushatën elektorale me një hap të madh për fitoren e thellë të Partisë Demokratike, me hapin e përzgjedhjes së ekipit më të mirë me të cilën ne do t’i prezantohemi qytetarëve.

“Sot, qytetarët shqiptarë me këtë proces që e nisim nga Kukësi, kanë mundësinë të shikojnë dallim midis një partie, Partisë Demokratike, që përzgjedhjen e kandidatëve ia beson qytetarëve dhe anëtarëve të saj dhe partisë së kryeministrit në ikje, që kandidatët i përzgjedh në bashkëpunim me Niçen dhe shokët e tij.

Unë dua t’i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë në këtë proces që ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i anëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë është ai që do të përcaktojë ekipin të cilin ne do t’i drejtohemi dhe do t’iu kërkojmë votën qytetarëve shqiptarë.

Zëri i tyre, mendimi i tyre në përzgjedhjen e kandidatëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse kandidatë që zgjidhen nga qytetarët me votën e tyre, me vullnetin e tyre, që përzgjidhen nga anëtarët do të jenë pikërisht njerëzit që nesër do të punojnë për interesin e këtyre qytetarëve.

Prandaj, apeli im është për çdo anëtar të Partisë Demokratike të marrë pjesë në këtë proces demokratik, e ripërsëris, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që ndodh vetëm në Partinë Demokratike, duke bërë një dallim të qartë midis nesh, Partisë Demokratike dhe partisë së kryeministrit në ikje.

Unë dua të mbetem tek zgjedhjet, tek mesazhi i çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marë pjesë në këtë festë të demokracisë, ku çdo anëtar ka të drejtë të japë me votë vlerësimin e tij për çdo kandidat të përzgjedhur nga strukturat qëndrore të Partisë Demokratike.

Dua të mbetem tek ky proces që është shumë i rëndësishëm.

Është i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por është i rëndësishëm për Shqipërinë sepse jep një model demokratik për mënyrën se si funksionon një parti politike.

Do të ishte shumë mirë sikur të gjithë partitë politike në vend të ndiqnin një proces të ngjashëm, që kandidatët të mos i përcaktonte krimi i organizuar, që kandidatët të mos i caktonin paratë e pista të krimit të organizuar, por kandidatët t’i caktonin qytetarët.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike por edhe për Shqipërinë, daj dua që nga Kukësi të ripërsëris vetëm këtë apel: Ftoj qytetarët dhe anëtarët e Partisë Demokratike të bëhen pjesë e këtij procesi dhe me zërin e tyre të përcaktojnë ekipin që u sigurojnë fitoren e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm”, deklaroi Bardhi.

KANDIDATËT E QARKUT KUKËS
Dega Kukës
1. ADMIR SINAMATI
2. ARBEN CEJKU
3. BASHKIM SHEHU
4. IBRAHIM BRUKA
5. SAHIT PRIZRENI
6. VJOLLCA VATA

Dega Tropojë
1. BESNIK DUSHAJ
2. FERIDE RRAHMANI
3. ISUF ÇELA
4. LUSH SUSAJ
5. MIMOZA HAJDARMATAJ
6. XHEM NEZAJ

Dega Has
1. AVENIR PEKA
2. DEMUSH KASTRATI
3. ELEZ MACI
4. ISMET JAKU
5. ZENEL KASTRATI

Dështon fushata e Bashës brenda PD. Pas braktisjes, kryebashkiakët e djathtë i dalin kundër

Megjithëse u përpoq të ndalte lëvizjen “Basha ik” dhe të mbante afër kryebashkiakët e mbetur pa asnjë pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duket se kreu i PD-së nuk ia doli dot. Fushata që Basha ndërmori në strukturat e PD-së në disa qytete, për të mbrojtur veten nga të vetët, dështoi. Kryebashkiakët nuk i përtypën më premtimet e pambajtura të kreut të partisë, i cili 5 muaj para 30 qershorit i premtoi se s’do të kishte zgjedhje dhe se edhe nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin ato nuk do të njiheshin nga ndërkombëtarët. Ndërsa fill pas 30 qershorit u premtoi s’e askush nuk do të dilte nga zyra dhe se zyrat e kryebashkiakëve të djathtë do të mbroheshin përmes protestave popullore. Madje shpërndau dhe një dokument përmes të cilit urdhëronte mbrojtjen me çdo kusht e mjet të bashkive të djathta. Por asnjë nga këto premtime nuk u mbajtën dhe kryebashkiakët e djathtë e kuptuan se përgjegjës për situatën është kryetari i PD-së Basha.

Ata tani kanë ngritur zërin. Nuk i janë bindur urdhrave për protesta me dhunë për mbrojtjen e bashkive. Gjatë të martës zyrën e liruan në paqe si kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj ashtu edhe kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj i cili ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj Bashës dhe faktit se nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Madje Frrokaj ka testuar sërish kreun e PD-së, teksa ka thënë se mbetet ende në pritje të një Plani B nga Basha.

“Sa i përket protestave, nuk kam ndërmend të bëj protesta. Edhe më herët kam deklaruar se jam munduar të jem kryetar si për të majtë dhe të djathtë. Kam 16 vite dhe nuk i baltos, nuk kam ndërmend të nxis turma të ekzaltuar kundër këtij apo atij. Unë jo rrallë herë e them, që nuk është braktisje e shqiptarëve, nuk është qameti që humbëm ca bashki. Ajo që është skandaloze është humbja e këshillave, që është më shumë sesa humbja e kryetarëve. Në shumë bashki, ne nuk e kemi pasur kryetarin, por qytetarët kanë pasur përfaqësi në këshill. Tashmë ne nuk kemi përfaqësi dhe kjo është skandaloze. Gjithsesi nuk është vendim që varet nga unë, por është vendim që varet nga strukturat e PD”, është shprehur Frrokaj.

Të mbetur vetëm dhe të braktisur nga lidershipi i PD-së, kryebashkiakët e djathtë ia drejtojnë gishtin Bashës. Ky i fundit ka ndërruar komplet qëndrim. Ka hequr dorë nga bashkitë duke i braktisur kryebashkiakët dhe tani merret me akuzat ndaj Ramës, duke harruar premtimet ndaj të vetëve.

Braktisja u vu re sidomos në Kamzë, ku Mziu, pavarësisht se nuk e lëshoi bashkinë fillimisht, duke tentuar ta mbajë me punonjësit e vet, pas orarit zyrtar u tërhoq, pasi nuk pati asnjë mbështetje nga selia blu. Duket se pjesë e lëvizjes Basha ik do të jenë së shpejti edhe kryebashkiakët e djathtë të braktisur nga Basha dhe të nxjerrë në rrugë./Realstory.al

Basha harron 30 qershorin, fushatë kundër oligarkëve

Pasi goditjen “de jure” ia dhanë gjykatat në vend, duke i refuzuar kërkesën për të mos njohur mandatet e kryebashkiakëve të rinj, Lulzim Basha harron ‘de facto’ 30 qershorin. Kryedemokrati ka qenë në Peqin, ku ka zhvilluar një takim me simpatizantët e kësaj partie. Sipas një komunikate të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjithë fokusin e fjalës së tij para banorëve të Peqinit, e ka pasur tek ekonomia dhe probleme të tjera në vend, që sipas tij, janë shkaktuar për shkak të keqqeverisjes.

 “Nga mëngjesi deri në darkë plani i Edi Ramës është grabitja, vjedhja. Kjo është arsyeja pse Shqipëria është e papunë. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria lëngon në krizën më të thellë ekonomike. Kjo është arsyeja pse shëndetësia, arsimi dhe gjithçka tjetër janë në kolaps. Kjo është arsyeja pse po përjetojmë emigracionin më gërryes dhe më të rrezikshëm se ai i fillim viteve ’90.”, ka thënë Basha.

Gjithashtu, po në deklaratën e shpërndarë nga PD, sipas Lulzim Bashës, ekonomia e vendit është “përqëndruar në dorën e një grupi të vogël njerëzisht, të cilët po e grabisin Shqipërinë”. “Shqiptarët po varfërohen, sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë, që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin. Këta janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin djersën, pronat e shqiptarëve, në bashkëpunim me Edi Ramën.”- u shpreh Basha.

Edhe në paragrafin e tretë të deklaratës së shpërndarë nga PD, citohet vetëm fjala e Bashës në lidhje me ekonominë. Ndërsa në fund, me vetëm një fjali (koment), PD thotë se “Duke iu referuar 30 qershorit si një referendum popullor për ndryshim, kreu i opozitës u shpreh se ky ndryshim  do të vijë vetëm përmes largimit të Edi Ramës, duke i dhënë fund, bashkë me të, edhe bandës së oligarkëve dhe hajdutëve”. Në fakt, edhe në këtë fjali, Basha nuk flet as për zgjedhje të parakohshme, as për vjedhjen e votës, as për zgjedhje të lira, por cilëson vetëm “largimin të Edi Ramës”.

Megjithatë, nga dita në ditë, Lulzim Basha, gjatë takimeve që ka zhvilluar me simpatizantët e tij në të gjithë vendin, (sipas komunikatave të shpërndarë nga PD), ka lënë jashtë axhendës së diskutimit zgjedhjet e 30 qershorit. Duke nisur nga mesi i kësaj jave, gjatë takimeve të zhvilluara me simpatizantët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur shumë pak ose aspak për 30 qershorin (gjithmonë sipas komunikatave të shpërndara nga PD).

Ekonomia dhe kriza kanë qenë fokusi i ligjërimeve retorike të Lulzim Bashës në takimet me simpatizantët e tij. Të premten Realstory.al zbuloi se në shtator merr jetë lëvizja “Basha ik”, nga një grup të demokratësh që kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kritik ndaj kreut aktual të PD. Në fakt, ky zhvillim, si dhe ai i aleatëve që kërkojnë dialog me Ramën dhe zgjidhje të krizës, kanë shtuar presionin ndaj kreut të PD.

Në fakt, ky ndryshim i kursit të ligjërimit politik me simpatizantët dhe asaj që shpërndahet në publik, ka ardhur fill pas dy momenteve. I pari ishte rrëzimi i kërkesës së PD-së nga gjykatat e shkallëve të para në vend për të mos njohur mandatet e bashkiakëve të rinj, dhe e dyta, disa ditë më parë, Realstory.al zbuloi ekskluzivisht një shkresë të brendshme të PD-së, që jepte udhëzimet se për qëndrimin që duhet të mbanin drejtues dhe anëtar të Partisë Demokratike në publik në lidhje me 30 qershorin. Në këtë udhëzim, shkruhej se “edhe kur t`ju pyesin për motin, thoni që 30 qershori ishte nul”. Dhe fill pasi realstory.al publikoi këtë shkresë, PD duket se ka lënë në hije deklaratat për 30 qershorin, duke nisur nga vetë kryedemokrati Basha.

Fushatë më tezën e maturantëve, MASH rrëzon akuzën e Berishës

Maturantët dhanë të premten provimin e parë, atë të gjuhës angleze. Ish kryeministri Berisha postoi një akuzë në facebook sipas të cilës teza është shpërndarë në këmbim të votave si pjesë e fushatës elektorale.

“Narkodrejtoret e shkollave shperndajne tezen e provimit! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e nxenesit dixhital!

Pershendetje Dok Berisha! Sot eshte provimi i pare i matures ne Kukes gjuha angleze, dhe drejtoresha e gjynazit Havzi Nela Vjollca Gashi antare e kryesise se PS vegel e Safet Gicit dhe drejtorit te drejtorise arsimore Skender Ahmeti, po shperndajne tezen e provimit ne shkembim te votave,per femijet e nenes parti!” shkruan Berisha.

Por ministria e Arsimit ka reaguar duke përgënjeshtruar Sali Berishën. “Periudha e maturës shtetërore përballet çdo vit me lajme të rreme për keqadministrim të testit nga ana e MASR. Këto dezinformime dalin kryesisht nga anëtarë të PD duke e përshirë edhe këtë proces plotësisht teknik, por të rëndësishëm për nxënësit, në betejën e ulët politike të opozitës.

Kjo nuk është aspak një gjë e re! Sa më rigoroz është testi dhe administrimi nga ana e MASR, aq edhe më të shpeshta janë dezinformimet e tyre, të cilat i dënojmë fuqishëm! MASR nënvizon se do të vazhdojë të përmirësojë testin dhe administrimin e procesit deri në digjitalizimin e plotë të tij.

Ky vit ka ardhur me risi sepse një pjesë e testeve do të vlerësohen për herë të parë elektronikisht duke shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në vitet e kaluara, ndërkohë që janë shtuar edhe penalitetet për ata që do të mundohen të kopjojnë. Njëkohësisht, falënderojmë edhe Policinë e Shtetit për ndihmën e saj në ruajtjen dhe shpërndarjen e testeve dje dhe sot.  Suksese të gjithë maturantëve në vijim për provimet e rradhës”, thotë ministria.

Për të monitoruar mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore policia e Shtetit ka angazhuar në terren 560 efektivë policie.

Patozi: BD, fushatë derë më derë, jo me mitingje në sheshe

Bindja Demokratike ka zgjedhur një mënyrë të re për të rivalizuar mazhorancën në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nëpërmjet një video, koordinatori i BD, Astrit Patozi shprehet se partia e tyre nuk do të organizojë fushatën me mitingje në sheshe, por do të shkojnë të përulur tek qytetarët për t’i dëgjuar.

“Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmë asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të gjitha bashkitë e vendit”, shprehet Patozi në videon e publikuar.

Sipas tij, edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me “Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi. “Bindja Demokratike shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit. Le ta theksojmë që në formë diferencën e thellë që kemi me “Rilindjen” dhe modelin e saj të shëmtuar, duke qenë një ofertë e re për Shqipërinë dhe për qytetet tona. Mos iu bind Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë, që duan t’ju përdorin sërish për interesat e tyre të mbrapshta”, deklaron Patozi në mesazhin e tij.

VOTO BINDJEN TËNDE MË 30 QERSHOR!Për ne të gjithë, Shqipëria është e para. Për secilin nga përfaqësuesit tanë, qyteti i tij është i pari. BINDJA DEMOKRATIKE është sot në shërbim të dashurisë dhe respektit për Shqipërinë dhe për qytetin. Në këto zgjedhje ne kemi kandidatë për kryetarë dhe këshilltarë bashkie nga Tropoja, në Sarandë dhe nga Korça në Durrës. Punë të mbarë dhe suksese secilit prej tyre!Edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me ”Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi. Ndaj mos iu bind atyre që të ftojnë në të njëjtin eksperiment të dështuar, që konsumohet prej gati 30 vjetësh në Shqipëri, por voto BINDJEN tënde! Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmĕ asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të gjitha bashkitë e vendit. Në këtë fushatë, nuk do t’i thërrasim kurrë qytetarĕt të mblidhen rreth nesh, por do të shkojmë ne të përulur tek ata për t’i dëgjuar. BINDJA DEMOKRATIKE shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit. Le ta theksojmë që në formë diferencën e thellë që kemi me “Rilindjen” dhe modelin e saj të shëmtuar, duke qenë një ofertë e re për Shqipërinë dhe për qytetet tona. Mos iu bind Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë, që duan t’ju përdorin sërish për interesat e tyre të mbrapshta! Voto BINDJEN tënde më 30 qershor!

Gepostet von Astrit Patozi am Sonntag, 2. Juni 2019

Veliaj: Do shembet çdo objekt pa leje. Mos kujtoni se jam në fushatë e s’e kam mendjen

Pavarësisht se javën e ardhshme nis zyrtarisht fushatën zgjedhore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se do ta ketë gjithmonë vëmendjen dhe se nuk do të tolerojë ndërtime pa leje.

Duke komentuar aksionin e djeshëm të policisë Bashkiake, në zonën e Selvisë në kryeqytet, Veliaj e ka cilësuar si të papranushme ndërtimin e objekteve pranë monumenteve kulturore, dhe ka thënë se do të shemben të gjitha ndërtimet pa leje.

 “Nuk ka asnjë sekret, kemi marrë një angazhim publik: nuk mundet që Vojo Kushi të ketë dhënë jetën mbi tank, kurse ne bëjmë një lokal mbi Vojo Kushin, si ai mbi tank. Po ta dinte Vojo Kushi se po e jepte jetën për këto lloj sjellje, do e kishte menduar dy herë hedhjen mbi tank. Le të bëhemi njerëz seriozë: kush ndërton mbi monumente kulture, kush ndërton mbi lapidarë, kush ndërton mbi vende që kujtojnë dhe përkujtojnë figura të historisë tonë, do të duhet t’i bëjë llogaritë mirë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se fakti që vendi është periudhë elektorale, kjo nuk do të thotë se do krijohen lehtësira për krijimin e objekteve pa leje, përkundrazi do të jenë akoma më të ashpër. Sipas tij, ky është një tregues që do të vërtetojë se nuk bëhen kompromise me ligjin apo kundrejt votave.

“Nëse dikush mendon se meqë unë javën tjetër filloj fushatën nuk do e kem mendjen tek ndërtimet pa leje në qytet, gabohet shumë rëndë. Do të jemi akoma më të ashpër në fushatë, për të treguar se nuk bëjmë kompromis me asnjë votë për një të babëzitur, për një grykës. Mund të jetë ish-deputet, mund të jetë njeri me pushtet, mund të jetë laci i lagjes, mund të jetë një i fortë, mund të jetë një gangster, nuk më intereson hiç! Fushatës do t’i kushtoj të gjithë vëmendjen e rëndësishme, por nuk do lë mangët asnjë gjë të qytetit. Po kush mendon se muaji i fushatës është muaji i rrumpallës dhe për një grusht votash unë do të toleroj dikë që kërkon t’i hipë Vojo Kushit sipër, si ai tankut, e ka shumë gabim”, deklaroi Veliaj.

Ndaj, ai nënvizoi se ashtu si objektet pa leje të ndërtuara mbi monumentin e Vojo Kushit në Rrugën e “Dibrës”, Bashkia e Tiranës do të veprojë edhe me çdo ndërtim tjetër pa leje apo që është ndërtuar në kundërshtim me çdo normë qytetare mbi objekte historike apo monumente të kujtesës.

“Njësoj si te Selvia do ta pësojnë të gjithë ata që guxojnë të përdorin situatën e fushatës si moment ku mendojnë se bashkia nuk e ka mendjen dhe mund të bëjmë ndërtime pa leje. Do ta pësojnë jo vetëm ndërtimet pa leje, por mbi çdo gjë që është ndërtuar në ndërtim pa leje, edhe gjërat që ka poshtë. T’i vënë mendjen kokës dhe mos mendojnë se nuk do kemi mendjen në menaxhimin e qytetit gjatë 30 ditëve të fushatës”, u shpreh Veliaj.

Skip to toolbar