Basha harron 30 qershorin, fushatë kundër oligarkëve

AKTUALITET


Pasi goditjen “de jure” ia dhanë gjykatat në vend, duke i refuzuar kërkesën për të mos njohur mandatet e kryebashkiakëve të rinj, Lulzim Basha harron ‘de facto’ 30 qershorin. Kryedemokrati ka qenë në Peqin, ku ka zhvilluar një takim me simpatizantët e kësaj partie. Sipas një komunikate të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjithë fokusin e fjalës së tij para banorëve të Peqinit, e ka pasur tek ekonomia dhe probleme të tjera në vend, që sipas tij, janë shkaktuar për shkak të keqqeverisjes.

 “Nga mëngjesi deri në darkë plani i Edi Ramës është grabitja, vjedhja. Kjo është arsyeja pse Shqipëria është e papunë. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria lëngon në krizën më të thellë ekonomike. Kjo është arsyeja pse shëndetësia, arsimi dhe gjithçka tjetër janë në kolaps. Kjo është arsyeja pse po përjetojmë emigracionin më gërryes dhe më të rrezikshëm se ai i fillim viteve ’90.”, ka thënë Basha.


Gjithashtu, po në deklaratën e shpërndarë nga PD, sipas Lulzim Bashës, ekonomia e vendit është “përqëndruar në dorën e një grupi të vogël njerëzisht, të cilët po e grabisin Shqipërinë”. “Shqiptarët po varfërohen, sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë, që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin. Këta janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin djersën, pronat e shqiptarëve, në bashkëpunim me Edi Ramën.”- u shpreh Basha.

Edhe në paragrafin e tretë të deklaratës së shpërndarë nga PD, citohet vetëm fjala e Bashës në lidhje me ekonominë. Ndërsa në fund, me vetëm një fjali (koment), PD thotë se “Duke iu referuar 30 qershorit si një referendum popullor për ndryshim, kreu i opozitës u shpreh se ky ndryshim  do të vijë vetëm përmes largimit të Edi Ramës, duke i dhënë fund, bashkë me të, edhe bandës së oligarkëve dhe hajdutëve”. Në fakt, edhe në këtë fjali, Basha nuk flet as për zgjedhje të parakohshme, as për vjedhjen e votës, as për zgjedhje të lira, por cilëson vetëm “largimin të Edi Ramës”.

Megjithatë, nga dita në ditë, Lulzim Basha, gjatë takimeve që ka zhvilluar me simpatizantët e tij në të gjithë vendin, (sipas komunikatave të shpërndarë nga PD), ka lënë jashtë axhendës së diskutimit zgjedhjet e 30 qershorit. Duke nisur nga mesi i kësaj jave, gjatë takimeve të zhvilluara me simpatizantët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur shumë pak ose aspak për 30 qershorin (gjithmonë sipas komunikatave të shpërndara nga PD).

Ekonomia dhe kriza kanë qenë fokusi i ligjërimeve retorike të Lulzim Bashës në takimet me simpatizantët e tij. Të premten Realstory.al zbuloi se në shtator merr jetë lëvizja “Basha ik”, nga një grup të demokratësh që kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kritik ndaj kreut aktual të PD. Në fakt, ky zhvillim, si dhe ai i aleatëve që kërkojnë dialog me Ramën dhe zgjidhje të krizës, kanë shtuar presionin ndaj kreut të PD.

Në fakt, ky ndryshim i kursit të ligjërimit politik me simpatizantët dhe asaj që shpërndahet në publik, ka ardhur fill pas dy momenteve. I pari ishte rrëzimi i kërkesës së PD-së nga gjykatat e shkallëve të para në vend për të mos njohur mandatet e bashkiakëve të rinj, dhe e dyta, disa ditë më parë, Realstory.al zbuloi ekskluzivisht një shkresë të brendshme të PD-së, që jepte udhëzimet se për qëndrimin që duhet të mbanin drejtues dhe anëtar të Partisë Demokratike në publik në lidhje me 30 qershorin. Në këtë udhëzim, shkruhej se “edhe kur t`ju pyesin për motin, thoni që 30 qershori ishte nul”. Dhe fill pasi realstory.al publikoi këtë shkresë, PD duket se ka lënë në hije deklaratat për 30 qershorin, duke nisur nga vetë kryedemokrati Basha.




Skip to toolbar