Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka vendosur 14 gjoba, me vlerë totale 3.7 milion lekë të reja, ndërsa ka bllokuar sasi të konsiderueshme djathi dhe produkte të tjera ushqimore, të cilët do të asgjësohen, pasi u kishte kaluar afati i përdorimit.
Gjatë kontrolleve në Korçë dhe në Fier, sipas AKU-së, janë gjobitur disa subjekte, të cilat tregtonin produkte ushqimore jashtë kushteve higjenike, në mungesë të liçensës, apo tregtonin produkte të cilatu kishte kaluar afati i përdorimit.
Në Korçë, Maliq dhe Pogradec, AKU ka gjobitur katër biznese, të cilat ushtronin aktivitet kryesisht në fushën e “përpunimit të qumështit dhe nën produkteve të tij” apo “njësi tregtimi të produkteve me orgjinë shtazore”, të cilat nuk përmbushnin detyrimet ligjore të prodhimit dhe tregtimit të këtyre produkteve. Për rrjedhojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka gjobitur të katër subjektet me një gjobë në vlerë totale prej 3.4 milion lekë të reja.
Ndaj këtyre subjekteve janë marrë edhe masa të tjera, si bllokim i produkteve të ushqimore, djath dhe produkte të tjera, të cilat më pas janë asgjësuar.
Gjithashtu, ndaj një tjetër subjekti në Fier, në një magazinë ushqimore, AKU ka konstatuar se gjendeshin produkte ushqimore për tregtim jashtë afatit të përdorimit. Në këto kushte, inspektorët e ushqimit kanë vendosur gjobë me vlerë 300 mijë lekë ndaj këtij subjekti, duke bllokuar njëkohësisht edhe një sasi të konsiderueshme malli.