Në shtator Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
(KPK) do të nisë seancat për verifikimin e gjyqtarëve të Apelit dhe anëtarëve të
KLD-së ku spikasin emra të njohur në fushën e drejtësisë, si Gjin Gjoni,
Fatmira Hajdari etj.
Gjatë gjithë kësaj periudhe pune, Komisioni i
Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në veting me prioritet kandidatët për
Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokuror të
Përgjithshëm, Gjykatën Kushtetuese e për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Në “skaner” kanë kaluar edhe një pjesë e mirë
e krerëve të gjykatave e të prokurorive, por pa u rivlerësuar janë ende
gjyqtarët e Gjykatës së Apelit. Janë rreth 60 gjyqtarë për të cilët është
hedhur shorti që vitin e kaluar, por akoma nuk janë thirrur në seancë
dëgjimore.
Shorti i parë i hedhur nga KPK për anëtarët e
Apelit është ai i datës 18 shtator 2018. Pra, ata janë prej një viti në pritje
sepse KPK ka qenë e zënë duke rivlerësuar kandidatët prioritarë. Por në vjeshtë
duket se do të jetë radha e tyre. Vetëm nga Gjykata e Apelit të Tiranës janë 22
gjyqtarë që nuk janë skanuar për pasurinë, aftësitë profesionale dhe
integritetin e figurës, shkruan gazeta SOT.
Ndër ta mund të përmendim Agim Bendon, i cili
ka qenë pjesë e trupës gjykuese në Apel që i dha lirinë Gentian Dodës, i
akuzuar për 2 vrasje. Nga lista mund të veçojmë edhe emrin e Andi Civicit.
Emërimi i tij, i bërë nga Bujar Nishani, u cilësua si nepotik pasi në kohën kur
mori postin e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, ai kishte anëtare të Këshillit të
Lartë të Drejtësi bashkëshorten Eneida Civici.
Ndërkohë, pa u futur në veting janë edhe
anëtarët e Gjykatave të Apelit në rrethe, nga ku përmendim: Astrit Kalajën në
Shkodër, Anita Micin në Durrës, Brunilda Orhanin në Korçë, etj..
Sakaq, pa kaluar akoma në veting është edhe
anëtarja e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nure Dreni. Një tjetër emër i
njohur që nuk është përballur me KPK është edhe ai i Elisabeta Imerajt, e cila
kandidon edhe për në SPAK.
Vjeshta pritet të tronditë edhe ish-anëtarët e
Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke nisur nga Gjin Gjoni e Fatmira Hajdari,
tek Eneida Civici dhe Ridvan Hado, por edhe emra të tjerë, nuk janë përballur
akoma me trupën gjykuese. Emrat e tyre janë shortuar që në nëntor të 2018, por
prej afro një viti i kanë “shpëtuar” procesit të vetingut për shkak të
prioriteteve të tjera që ka pasur KPK.
Por duket se tani erdhi edhe për ta ora e
llogaridhënies. Gjin Gjoni njihet si një nga ish-anëtarët e KLD me pasuri
marramendëse. Pak kohë më parë ai shkaktoi një debat mes ministres së
Drejtësisë dhe KLD, e cila i dha leje prindërore për 2 vjet. Kjo u interpretua
si një tentativë e Gjin Gjonit për t’i shpëtuar vetingut. Nga ana tjetër, mund
të veçojmë edhe emrin e Fatmira Hajdarit, e cila është akuzuar shpesh nga Izet
Haxhia si një gjyqtare që ka shitur gjakun e burrit, Azem Hajdarit, për të
shpëtuar veten.
Kujtojmë që emri i saj shkaktoi një kaos të
madh para pak kohësh në Gjykatën e Apelit me çështjen e Izet Haxhisë pasi
askush nuk pranonte ta gjykonte atë për shkak të miqësisë me Fatmira Hajdarin.
Pjesë e listës është edhe ish-anëtari i KLD, Petrit Çomo, i cili është gjyqtari
që liroi me kusht ish-drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxollin./SOT