Alarm fals për bombë, gjyqtari u telefonua nga burgu i Drenovës

Alarmi për bombë e vendosur në makinën e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo ka rezultuar fals. Gjyqtari u telefonua në mënyrë anonime nga burgu Drenovës, ku i thanë të ketë kujdes sepse i është vendosur një bombë automjetit të tij.

Makina ishte e parkuar në garazhin e Gjykatës së Korçës, ndërsa Markelian Kuqo ndodhej në gjykatë. Telefonata vuri në lëvizje njësinë anti-eksploziv nga u konstatua se në mjet nuk kishte lëndë plasëse dhe alarmi ishte fals.

Hetimet në lidhje me ngjarjen treguan se telefonat ishte bërë nga burgu i Drenovës, nga i burgosuri me iniciale N.B, 34 vjeç, banues në Lapardha. 34-vjeçari po vuan dënimin e tij në burgun e Drenovës për veprën penale “Vrasja”. Dyshohet se ai mund të vuaj nga probleme mendore. Vetë Kuqo tha për mediat se telefonata erdhi nga grushti kriminal i atdheut të tij

“Jam i qetë. Nuk kam dijeni çfarë ka ndodhur. Telefonata ka ardhur nga grushti kriminal i atdheut tim. Nuk kam nevojë për mbrojtje nga shteti”, është shprehur gjyqtari Kuqo.

Kuqo njihet si Kuqo është gjyqtari që liroi nga qelia Gert Gjinararin, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali.

Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo vendosi të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht më 14 shkurt të 2019.

Vettingu kthehet në punë, verifikon gjyqtarin Sokol Ibi

Fillimi i shtatorit ka rikthyer në detyrë edhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Vettingun. Mëngjesi i të hënës në 2 shtator ka nisur me gjykimin e dosjes së gjykatësit të  Gjykatës Administrative në Korçë, Sokol Ibi. Hetimi për gjyqtarin Ibi është kryer  në tre aspekte, vlerësimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe atësive profesionale.

Sa i takon pasurisë, Inspektorati i Lartë i Deklartimit të Pasurisë, ka dorëzuar një raport, ku mësohet të jetë konstatuar se deklaratat e pasurisë të bëra nga gjyqtari Sokol Ibi, të jenë të sakta dhe në përputhje me ligjin. Sipas raportit, gjyqtari i administratives në Korçë, ka burime të ligjshme duke justifikuar pasurinë e tij, ndaj ai nuk dyshohet për deklarim të rremë dhe nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.

Sipas deklaratës së pasurisë, gjyqtari Sokol Ibi zotëron një banesë me sipërfaqe 127 metra katrorë, së bashku me një tokë bujqësore në Pogradec. Megjithatë, hetimet e Komsionit të Pavarur të Kualifikimin, kanë nxjerrë se gjyqtari nuk e ka deklaruar tokën bujqësore që ka në zotërim, ndërsa sipas komisionit, ka mospërputhje në deklarimet për  blerjen e tokës bujqësore dhe të banesës. Tashmë pritet vendimi përfundimtar për gjyqtarin Sokol Ibi.

Digjet makina e bashkëshortes së gjyqtarit në Tiranë

Një makinë tip “Citroen” ngjyrë vishnje me targë TR 9837 S është djegur gjatë mesnatës në Tiranë në rrugën Grigor Heba pranë Stadiumit Selman Stërmasi. Makina rezulton të jetë në pronësi të bashkëshortes së gjyqtarit, Sokol Binaj. Çështja është marrë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se mund të jetë një sulm për shkak të profesionit raporton Shqiptarja.com

Sokol Binaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit dhe ka qenë i përcaktuar me short për dosjen Shullazi, por nuk e mori asnjëherë përsipër. Ai ka qenë pjesë e trupi gjykues i cili dha vendimin për masën e sigurisë ndaj ish-ministrit Tahiri, ndërsa aktualisht Binaj është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si pjesë e trupit gjykues për dosjen Izet Haxhia.

KPA shkarkim të formës së prerë për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë

Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është dhënë në formën e saj përfundimtare, pas apelimit të tij. Më herët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte shkarkuar gjyqtarin, pasi kishte fshehur një dëmin në Itali në vitin 1999.

Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit dha fjalën e tij përfundimtare duke mbajtur në fuqi vendimin e dhënë nga KPK. Në njoftimin e dhënë, KPA shkruan:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj, sot, më datë 18.04.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen (JR) nr.22/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Admir Thanza kundër vendimit nr.40, datë 17.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a”, të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në mënyrë unanime, vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 40, datë 17.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Admir Thanza.
  2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.”
Skip to toolbar