Për herë të parë në histori, Greqia zgjedh një femër në postin e Presidentit

Në 5 vitetet e ardhshme, zyra e Presidentit të Greqisë do të drejtohet për herë të parë në histori nga një femër. Të mërkurën, Parlamenti i Greqisë votoi me shumicë votash Katerina Sakellaropoulou si Presidente të vendit. Ajo mori 261 vota në Kuvend, nga 300 deputetë që ka gjithsej parlamenti grek.

Sakellaropoulou u votua nga të gjitha forcat politike në Greqi: Demokracia e Re, që aktualisht qeveris vendin, opozita e majtë SYRIZa dhe aleanca e qendrës së majtë, Lëvizja për Ndryshim (KINAL).  Me profesion juriste, presidentja e re e Greqisë ka pasur detyra të rëndësishme shtetërore në Greqi.

Pas studimeve, Katerina Sakellaropoulou ka punuar në Këshillin e Shtetit në vendin fqinj, duke mbajtur poste të ndryshme, derisa në vitin 2018 u zgjodh kryetare e këtij këshilli.

Posti i Presidentit është më shumë ceremonial, shkruajnë mediat greke, pasi ka kompetenca të kufizuara politike.  Ajo do të shërbejë 5 vjet duke filluar nga 13 Mars, kur përfundon mandati i presidentit aktual Prokopis Pavlopoulos. Sakellaropoulou do të jetë kreu i parë femër i Greqisë.

Mitsotakis: Së shpejti njohim patentat shqiptare

Zbardhet takimi i Kryeministrit Edi Rama me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Në një deklaratë të zyrës për shtyp të  Kryeministrisë, thuhet se “Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Sipas informacionit zyrtar dhënë nga zyra për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, mësohet se “Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim”. Ndërkohë, kreu i ekzekutivit shqiptar, deklaroi gjatë takimit se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, “Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Në takimin mes dy kryeministrave, një vëmendje e veçantë i është kushtuar diskutimit për çështjet ende të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi shprehi mbështetjen e Greqisë ndaj Shqipërisë për perspektivën evropiane, Kyriakos Mitsotakis “mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri. Veç kësaj, Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë. Në fund, thuhet se “Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

Kufiri detar, Rama: Zgjidhje konsensuale me Greqinë

Nga Greqia ku zhvilloi një takim me homologun Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama foli në një intervistë për Euronews, ku preku disa tema. Së pari ai është ndalur te çështjet ende të pazgjidhura mes dy vendeve, siç është kufiri detar. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se do të vijojë të punojë me qeverinë e re të Greqisë, me shpresën se do gjendet një zgjidhje konsensuale. “Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, tha Rama.

Lidhur me çështjet e minoritet grek në vendin tonë, Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria është shembull i respektimit të të drejtave të pakicave. “Shqipëria është shembull i ndritur i respektit për të gjitha pakicat dhe për ato greke, të cilët jetojnë aty prej shumë kohës, në të njëjtat kushte si Shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë njësoj për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën”, tha Rama.

Për ligjin për shpronësimet, që nuk është pritur mirë nga drejtues të minoritetit, Rama sqaron se ndryshimet synojnë t`i japin fund problemit të pronave në vend, duke luftuar korrupsionin në sistem. “Ajo që po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë legjislacionin ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë korrupsionin në sistem, që derdh gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është  pyetur dhe për vdekjen e Kostandin Kacifas, ekstremistit grek që u vra vitin e kaluar në fshatin minoritar Bularat, në Gjirokastër. Rama është shprehur se “beson se çdo njeri që mban armën duke kërcënuar jetën e njerëzve është i rrezikshëm”, thotë Kryeministri, duke shtuar se nuk beson se rasti i Kacifas do të çojë në konflikt midis komunitetit grek dhe shqiptar. “Unë nuk mendoj kshtu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika nuk ndërhyn, ato janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku prej vitesh”, tha Rama.

Greqia: Pro Shqipërisë në BE

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis konfirmoi se Greqia është  në favor të rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Greqia është në favor të rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm sepse e shndërron perspektivën në faktor stabiliteti në rajon, por edhe sepse është një shtysë për modernizimin e fqinjëve tanë dhe për zgjidhjen e çështjeve tona bilaterale”, tha Mitsotakis mbrëmjen e të martës në një deklaratë.

Lidhur me marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, Kryeministri i Greqisë u shpreh se kërkon fqinjësi të mirë, por ai ka theksuar se parakushti i Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë është respektimi i pakicave minoritare. “Si me të gjithë, me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Sidoqoftë, parakushti për përparimin e përbashkët, për rrugën evropiane të Shqipërisë, është rë respektojnë pakicën greke dhe të drejtat e saj”, tha Kryeministri i Greqisë, duke  përmendur edhe kërkesën për të shmangur thirrjet nacionaliste apo zgjidhjen e çështjes së kufirit detar.

Ndërkohë, Mitsotakis foli edhe për Marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë e Veriut. Ai u shpreh se nuk ndryshon mendim lidhur me faktin se ajo marrëveshje është në dëm të Greqisë, por megjithatë, u shpreh se nuk do e çojë vendin në aventura.

“Unë ende besoj se Marrëveshja e Prespës ishte një marrëveshje negative për vendin tonë. Unë votova kundër, por sinqerisht paralajmërova grekët se çfarë nënkuptonte nënshkrimi i saj. Por, nuk do ta dërgoj vendin në aventura, pa rrezikuar ndonjë destabilizim, ne do të monitorojmë nga afër detyrimet e fqinjëve tanë”, tha Mitsotakis.

Athina Zyrtare: Integrimi Ballkanit, i nevojshëm për stabilitetin e rajonit

Ministria e Jashtme e Greqisë citon se perspektiva europiane  e  Ballkanit Perëndimor është jetik dhe i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Këtë reagim Athina Zyrtare e bëri pas vendimit të Këshillit të Europës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se vendet të fokusohen tek zhvillimi i reformave në mënyrë që afrimi me BE të jetë edhe më i shpejtë dje pa kundërshtime nga vendet anëtare. Greqia, thuhet në deklaratë, mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kjo perspektivë  europiane u hap në samitin e BE-së të zhvilluar në Selanik në 2003 dhe të cilën Greqia e mbështeti me të gjitha forcat si rruga për konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Ky qëndrim mbetet një nga pikat konstante kryesore të politikës së jashtme greke. Greqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e bëra nga vendet e rajonit për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në familjen tonë europiane. Për të arritur këtë qëllim, ne i inkurajojmë këto vende që të qëndrojnë të përkushtuara në rrugën e reformave, të cilat mund të kenë vetëm një efekt pozitiv në qasjen e tyre ndaj Bashkimit Europian dhe në jetën e qytetarëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku për të realizuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, për të mirën e rajonit dhe vetë Europës”, thuhet në deklaratë.

IPA, Serbia e Greqia mbështesin Shqipërinë: Në tetor të bëhet kandidate

Në Podogoricë të Malit të Zi, është zhvilluar takimi i vendeve të Ballkanit që janë pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë. Pjesëmarrës në këtë aktivitet, ka qenë dhe presidenti i International Police Association (IPA) për Shqipërinë, Skënder Doda, që mban gjithashtu dhe postin e Drejtorit të Menaxhimit në Drejtorinë e Policisë së  Shtetit. Sipas një komunikate për shtyp shpërndarë nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë takim, mësohet se gjatë konferencës, vendet anëtare të Ballkanit, përfshi Greqinë dhe Serbinë, kanë bërë thirrje që në kongresin e muajit tetor, Shqipëria të pranohet si vend kandidat.

“Të gjithë përfaqësuesit e Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Sllovenisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Qipros greke, Greqisë e Rumanisë u shprehen njëzëri që në Kongresin Botëror të IPA-as në Dubrovnik (tetor 2019) të futet në rendin e ditës pranimi i IPA Albania në statusin kandidat”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Më tej, në këtë njoftim, thuhet se drejtori i IPA Albania, Skënder Doda, u ka kërkuar vendeve anëtare të IPA-s që të mbështesin Shqipërinë për t`u bërë pjesë e organizatës botërore të policisë. “Gjatë zhvillimit të takimit të IPA-as të vendeve ballkanike të Adriatikut në Podgoricë të Malit të Zi, Presidenti i IPA-as / Seksioni Albania është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi dr. Veselin Veljovič dhe me presidentin e IPA Croatia z. Miljenko Vidak, me të cilët ka biseduar dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre për pranimin e IPA ALBANIA në familjen e madhe të IPA-as Botërore”, përfundon njoftimi.

Meta dekoron ambasadoren greke, Greqia vë veton për negociatat me BE

E ndërsa presidenti Meta dekoroi të mërkurën me titullin më të lartë, ambasadoren greke në Tiranë, me motivacionin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryeministri grek nga ana tjetër vendos kushte për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Micotaqis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Këtë kreu i qeverisë greke e ka shkruar në një letër dërguar shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA.

Në letër kryeministri grek thekson edhe një herë përkushtimin e shtetit fqinj dhe të tijin personal për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek. Micotaqis ka theksuar se të drejtat e minoritet grek dhe e pronës së tyre nga shteti shqiptar përbëjnë kusht paraprak për hapjen e negociatave me BE.

“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri i Greqisë.

Në fund të letrës Micotaqis thekson se Greqia do të jetë gjithmonë në krah të minoritetit helen duke e mbështetur atë por edhe për të përmirësuar marrëdhëniet greko-shqiptare në përgjithësi.

Duket se ambasadorja greke në Tiranë nuk është se ka ndikuar dhe aq shumë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në një kohë kur shteti fqinj vendos kushte të tillë në prag të çeljes së negociatave dhe dekorata e dhënë të mërkurën nga presidenti duket qartë se ishte një përpjekje e tij për të fituar sa do pak mbështetje ndërkombëtare në verën e vetmisë së madhe, sikurse njoftoi më herët realstory./realstory.al

Mediat greke i bëjnë jehonë Ramës: Nuk kam asnjë qelizë greke në gjakun tim

Kryeministri Rama u pyet në konferencën e së martës nga gazetari Thimi Samarxhi në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendia, sipas të cilit gjyshja e Ramës është nga i njëjti fshat me të. Kjo pyetje dhe përgjigja kryeministrit shqiptar është pasqyruar gjërësisht në mediat greke. Rama mori kohë për t’u përgjigjur dhe më pas sqaroi se në venat e tij nuk rrjedh asnjë qelizë greke.

Gazeta greke “Protothema” shkruan se përgjigjen e Ramës ndërsa thotë se kryeministri shqiptar i ka përcjellë edhe një mesazh të prerë dhe të qartë Greqisë, teksa tha se ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë.

“E para e punës, kam në dejet e mia një miks dhe nuk do të isha aspak i mërzitur nëse do të kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, se kam pasur këtë, ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera, ashtu sikur kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, në Mirditë në Berat, Vuno në Vlorë. Ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë. Gjithmonë qëllimi ka qenë marrëdhënie më të mira të mundshme.

Kemi bërë diskutime, negociata që janë çështje të së shkuarës. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështje të ndryshme, miqësi, mirëkuptim, respekt. Është me rëndësi të intensifikojnë edhe për të vendosur pikat mbi ‘i’ për disa aspekte lidhur me të drejtat e minoritit grek në Shqipëri. Minoriteti është i shikuar si pjesë integrale e padyshim e bashkëjetesës sonë dhe pasuri. Përsa i përket negociatave. Vendimmarrja e Tetorit nuk ka lidhje me Shqipërinë, por me dinamikat e brendshme në BE, është vendim politik, nuk ka lidhje me vlerësim teknik objektiv.  Gjithçka mund të ndodhë në Tetor nuk përjashtoj asnjë version”, tha ai.

E gjithë kjo frazë e kryeministrit Rama është shpërndarë me shpejtësi në mediat greke.

Stuhia në Greqi vret 6 turistë, mbi 100 të plagosur

Moti i keq ka pushtuar mbrëmjen e së mërkurës edhe shtetin fqinj Greqinë ku si pasojë kanë mbetur të vdekur 6 turistë.

Stuhia ka qenë e fuqishme veçanërisht në gadishullin Halkidiki duke shkaktuar vdekjen e 6 turistëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Mediat raportojnë se mes viktimave janë edhe dy fëmijë 8 dhe 2 vjeç, si dhe mbi 100 persona të tjerë janë plagosur.

Nga stuhia e madhe raportohet se me dhjetëra pemë janë shkulur, disa shtëpi janë rrënuar dhe dyqane të dëmtuar tërësisht, dhjetëra makina janë përmbysur, probleme të mëdha me energjinë elektrike, dëme të pallogaritshme të pronës private dhe të infrastrukturës. Kjo është pamja e shkatërrimit biblik të ndodhur vetëm në 10 minuta.

Merkel uron Mitsotakis dhe i kujton marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut

Kancelarja Merkel ka uruar qeverinë e re greke dhe kryeministrin e ri Kyriakos Mitsotakis, ndërsa ka kërkuar nga ato që të vazhdojnë të kenë një rol konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut. Merkel tha se Gjermania dhe Greqia do të vazhdojnë bashkëpunimin  e tyre, ndërsa e i ka bërë ftesë Mitsotakis, duke deklaruar se “pret me padurim të takohen”.

“Marrëveshja e Prespës është një arritje që mundëson normalizimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe sinqerisht shpresojmë se qeveria e re greke në mënyrë konstruktive do të marrë pjesë në këtë proces pozitiv.” – ka thënë Merkel

Kancelarja gjermane falënderoi edhe ish-kryeministrin Aleksis Cipras për punën e bërë duke cilësuar se “ai ka kaluar shumë vite sfiduese, por gjithmonë ka arritur një bashkëpunim të besueshëm.”

Skip to toolbar