Ruçi dhe Balla në Holandë për “reputacionin” e Shqipërisë

Kreu i Kuvendi, Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla janë duke zhvilluar një takim zyrtar në Holandë pak para vendimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Holanda është një nga vendet që ka kritikuar më shumë shqiptarët duke i cilësuar si kriminelë dhe madje ka firmosur edhe një mocion për vendosjen e vizave të përkohshme për Shqipërinë.

Gjatë një dëgjese, Komisioni për Çështjet e BE-së në Parlamentin e Holandës ka kërkuar nga delegacioni shqiptar vlerësimin nëse Shqipëria është apo jo gati për hapjen e negociatave.

Ruçi gjatë fjalës së tij tha se Shqipëria është gati për negociatat pasi i ka kryer të gjitha detyrat e saj.

“Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë. Me reformën në drejtësi, si krye-reforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së.” – tha Ruçi

Ndërsa Balla tha se kriminelët nuk kanë as ngjyrë dhe as atdhe dhe është e padrejtë që shqiptarët të demonizohen padrejtësisht në media.

“Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë perceptimin mediatik nga perceptimi real i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet t’i luftojmë bashkërisht.” – tha Balla

Hahn: Dhuna në protesta ndikim negativ në hapjen e negociatave

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn thotë se imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Dhuna e përdorur në protesta ka ndikim të madh tek vendimmarrësit në BE, prandaj duhet treguar shumë kujdes tha Hahn. Megjithatë Hahn theksoi se është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.

DW: Zoti Hahn, në një intervistë të dhënë para ca kohësh e përshkruanit veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri të shtunën shpërtheu zjarri në protestë. Me cilat mjete do të ofroheshit ju për të qetësuar gjendjen?

Johannes Hahn: Unë e thashë këtë atëherë në përgjigje të një pyetjeje për përshkrimin e detyrës sime dhe kjo ka të bëjë edhe me vendet fqinje. Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva evropiane motivi kryesor dhe në këtë drejtim unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar.

A do të ndikojë ky imazh mbi vendimin për negociatat e anëtarësimit?

Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë.

Megjithatë ministri i shtetit, Michael Roth, në një intervistë për Deutsche Welle-n u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor.

Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja duket më premtuese se në Shqipëri. A ekziston mundësia që Maqedonia e Veriut të trajtohet më vete?

Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.

Pra, kjo do të thotë se, nëse Shqipëria nuk arrin të gjejë një kompromis, mund të çelen negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut?

Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.

Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët.

Po grupi parlamentar i CDU/CSU-së ka thënë, se nuk do të arrijë të marrë një vendim që në qershor dhe se në fakt dëshiron ta shtyjë vendimin deri në shtator. E biseduat dhe ju me ta, apo nuk jeni dorëzuar ende dhe po vazhdoni të luftoni që ta sillni çeljen e negociatave në rend të ditës të Këshillit të BE-së qysh në qershor të këtij viti?

Ne në Vjenë kemi një shprehje: Vetëm një letër dorëzohet. Asgjë tjetër. Prandaj edhe unë do të përpiqem deri në momentin e fundit, që të arrijmë një vendim. Ia vlen dhe ua kemi borxh partnerëve tanë që ta mbajmë fjalën, kur ata i përmbushin kushtet që ua kemi vendosur ne mbi bazën e vendimeve të marra njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u fol tashmë gjerë e gjatë. Më 29 maj do të dalin progres-raportet e të gjitha vendeve. Çfarë do të lexojmë aty për vendet e tjera?

Shumë gjëra të mira, por edhe shumë gjëra kritike. Siç ndodh rëndom me progres-raporte. Ka përparime aty këtu, por ka edhe stanjacion. Për shembull, te bisedat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ngrirë prej disa muajsh. Shpresoj se tani do të shkrijnë, jo vetëm për shkak të stinës. Pra, për ta thënë më shkoqur: se së shpejti do të fillojnë bisedimet. Edhe këtu kemi të bëjmë me perspektivën evropiane për të dy vendet dhe një marrëveshje obliguese ndërmjet vendeve është në fund të fundit bazamenti për perspektivën europiane.

Zonja Merkel dhe Zoti Macron kanë nisur një iniciativë për t’i mbështetur këto biseda. Cilat janë mjetet më efektive që ka në dorë Bashkimi Evropian për t’i lëvizur të dyja palët drejt kompromisit?

Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar.

Hyn këtu edhe liberalizimi i vizave?

Nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje. Por sa i përket besueshmërisë, po.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i mendimit se pa SHBA-të nuk do të ketë negociata të suksesshme. E shihni dhe ju kështu?

Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme.

Pyetja e fundit, për ju si “arkitekt” i Ballkanit Perëndimor, nëse më lejohet t’i kthehem edhe njëherë vetëpërshkrimit të përmendur në krye të intervistës. Vitin e kaluar ju e mbështetët idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. E shihni ende si zgjidhje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?

Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur.

Rama-Mogherini: Hapja e negociatave në qershor është ajo që presim

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Konferenca për shtyp erdhi pas një takimi dypalësh të zhvilluar mes tyre ku u diskutua lidhur me reformat e ndërmarra dhe hapjen e negociatave dhe integrimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe pret që në qershor të hapen negociatat.

“Nuk është sekret që presim vetëm një përgjigje nga KE, pra se i kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim. Këtë pritshmëri e kemi të bazuar jo se dikush duhet të na dhurojë diçka, por se i kemi kryer të gjitha detyrat dhe Shqipëria flet me gjuhen e rezultateve mbi të cilat duhet edhe të gjykohet. Ne jemi të vetëdijshëm që në fund të ditës gjykimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e KE do të varet nga rrethanat specifike në çdo vend anëtar. Vendimmarrja varet nga ne por edhe nga faktorë të jashtëm që nuk varen nga ne. Por besoj shumë që është koha për t’i dhënë fund një përpjekje për t’i filluar përfundimisht negociatat. Çelja e negociatave është guri që i mungon këtij themeli për të vazhduar të ndërtojmë rrugën tonë europiane. Gjithçka që kemi bërë mjafton për të çelur negociatat, por është larg të qenit e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona ndaj qytetarëve të vendit dhe BE.” – tha Rama

Ndërsa Mogherini tha se sukseset e qeverisë janë fokusuar në tre fusha kryesore që është reforma në drejtësi, luftimi i kultivimit të drogës dhe grupeve kriminale në vend. Mogherini tha se BE vlerëson punën pozitive që është deri tani dhe se hapja e negociatave në qershor është e mundur nëse të gjithë punojmë për të forcuar besimin dhe opinionin e mirë për Shqipërinë.

“Një vit më parë unë solla lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv të KE për hapjen e negociatave dhe përgëzova punën tuaj dhe institucioneve për arritjet që kishit bërë. Unë besoj se ky mesazh inkurajimi dhe faktit që kemi njohur punën që është bërë u meritua plotësisht rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave nga KE. Një vit më pas ju keni arritur të konsolidoni këtë ecuri dhe keni arritur rezultate konkrete në lidhje me disa reforma. Ju përgëzoj për punën e bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju keni arritur të keni një reformë në drejtësi e cila do të ishte shembull edhe për disa nga vendet anëtare të BE, vettingu ka nisur të sjell rezultate të prekshme. Së dyti ulja drastike të kultivimit të kanabisit dhe së treti goditja e bandave dhe krimit. Ne duhet të jemi mbështetës ndaj Shqipërisë për të objektivin e saj drejtë BE-së. Është përgjegjësia jonë që ne të njohim punën tuaj dhe të japim vlerësime pozitive. Besoj se çelja e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet ta marrim lehtë. Ti përdorim javët në vijim për të punuar që shtete anëtare të BE-së të njohin punën e tyre. Vazhdoni jepni kontributin tuaj duke komunikuar me miqtë tuaj europianë që të kenë më shumë besim te Shqipëria dhe e ardhmja jonë europiane.”- tha Mogherini

“Standardet europiane në Shqipëri, ende jo në masën e duhur”

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul ka folur rreth krizës politike që ka përfshirë Shqipërinë. Në një intervistë për “Deutsche Welle” ai tha se palët duhet të dialogojnë dhe të gjendjet një kompromis për të mirën e vendit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të përparojnë dhe të shpejtojnë integrimin në BE.

Wadephul tha se vendimi për hapjen e negociatave do të jepet në shtator, ndërsa foli edhe për djegien e mandateve të PD duke u thënë “mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. ”

Wadephul gjithashtu ka folur edhe për ngecjen e dialogut Serbi-Kosovë, ku tregon se samiti i Berlinit ka dhënë impulset e duhura që këto dy shtete të nisin sërish komunikimin me tyre.

Deutsche Welle: Zoti Wadephul, cili është vlerësimi juaj për samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin?

Johann Wadephul: Samiti ishte shumë pozitiv. U gëzova shumë që erdhën kaq shumë liderë nga rajoni për të biseduar me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ishte një impuls i rëndësishëm që Angela Merkel me Emmanuel Macron dhanë dhe ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit. Dhe sidomos mes Serbisë dhe Kosovës na nevojiten negociata shumë konkrete.

Si mendoni ju se mund të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë?

Problemi i njohjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, askush nuk e pret këtë. Por mund të flitet për çështje të veçanta, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e pakicave, për asociacionet e komunave. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë e të mos ngecet në ca grindje të panevojshme për territore. Këto janë çështje të dorës së dytë. Nëse negociatat do të fillojnë tani me zgjidhjen e këtyre çështjeve praktike dhe shumë konkrete, atëherë kjo është një shenjë e mirë. Gjithsesi, ishte një nismë e rëndësishme nga Parisi dhe Berlini, sepse tani mund të rifillojnë negociatat.

Ju u takuat edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave?

Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.

A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave?

Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.

Shqipëria është momentalisht në një krizë ku është përfshirë edhe partia simotër e partisë suaj, PD-ja. A shihni ndonjë mundësi për ta zgjidhur krizën?

Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Mos është ky një apel për kolegët e partisë simotër, pra, për Bashën, që ai të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci./Marrë nga DW

Skip to toolbar