Thaçi refuzon ftesën e Ramës për takimin e mini-Shengenit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se refuzon pjesëmarrjen në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë në 20 dhe 21 dhjetor. Pasi Kryeministri Edi Rama njoftoi të martën se Thaçit i është dërguar ftesa për pjesëmarrjen në këtë takim, kreu i shtetit të Kosovës reagoi një ditë më pas. Në një njoftim në rrjetet sociale, duke shprehur falënderimin për Shqipërinë, Thaçi thotë se Kosova vuan pengesa serioze në konsolidimin e shtetit. Këto pengesa, sipas tij, janë krijuar nga Serbia, ndaj për sa kohë nuk ka njohje reciproke, s`mund të ketë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.

“Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Thaçi.

Në fund, ai thotë se rrethanat që pamundësojnë pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbeten të njëjta me ato që pamundësuan pjesëmarrjen në takimin e Novi Sadit dhe në Ohër. “Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, tha Thaçi.

Haradinaj e Thaçi emërojnë shefin e ri të Inteligjencës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi, emëruan të hënën Drejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Me anë të një njoftimi, Presidenca e Kosovës tha se Kreshnik Gashi është emëruar drejtor i AKI-së ndërsa Burim Gashi Inspektor i Përgjithshëm.

Ndërkohë, Kryeministri Ramush Haradinaj me anë të një reagimi në rrjetet sociale u shpreh: “Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”.

Kreshnik Gashi, prej vitit 2015 ishte drejtor i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë, ndërsa Burim Ramadani mbante postin e zëvendës ministrit të mbrojtjes.

Emërimi i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit pasuan dorëheqjen e ish-drejtorit Shpend Maxhuni më 6 nëntor, gati një vit e gjysmë pasi ishte emëruar në atë post.

S’e takon në Ohër, e takon në Paris

Deklaroi se nuk shkoi në Ohër, sepse Serbia nuk e njihte Kosovën, por për dy ditë, Hashim Thaçi ka ndryshuar mendje.

Presidenti i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez Macron, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, Thaçi refuzoi të takohej me Vuçiç në Samitin e Ohrit, pas ftesës së kryeministrit Rama, me pretendimin se Kosova s’mund të jetë pjesë e samiteve, ku marrin pjesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë.

Të martën, në Samitin e Paqes, Thaçi pranoi ftesën dhe dorën e Macron për t’u takuar me Vuçiç, pra duke refuzuar Ramën dhe pranuar pikërisht ftesën e atij që vetëm një muaj më parë nuk lejoi që popullit të Kosovës t’i liberalizohen vizat. Në momentin që hyri nga dera e Macron, Presidenti i Kosovës “harroi” se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e saj.

Kohët e fundit Macron është vënë në shënjestër të vetë BE-së për shkak të politikave të tij bllokuese për zgjerimin, ku i mbylli derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa refuzoi liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas takimit trepalësh, Thaçi tha se qëllimi i tij ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, ndërsa theksoi nevojën për bashkëpunimin ndër-fqinjësor dhe të ardhmen evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Por vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se nuk e kishte kursyer Thaçin. Media serbe “Blic” shkruan se Vuçiç tha në sy të Macron dhe Thaçit se edhe 10 shtete po presin për të hequr njohjen për Kosovën. Mesa duket edhe Sandri i Beogradit, e ka kuptuar se tani “ligjin” në Prishtinë e bëjnë të tjerë…/ RealStory

Kurti sulmon Thaçin: Dialogun me Serbinë e drejtoj unë

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti shprehet i prerë dhe i vendosur që të udhëheq dialogun me Serbinë dhe të mos lejojë më Presidentin Thaçi të merret me këtë gjë. Kurti tha se do të krijojë një ekip negociator me Serbinë ku të marrë pjesë dhe opozita, por rolin e drejtuesit do e këtë vetë. Në lidhje me presidentin Thaçi, Albin Kurti nuk i kurseu sulmet dhe pakënaqësitë për idenë e tij për shkëmbimin e territoreve dhe tha se ky është problemi më i madh mes tyre, duke lënë të kuptohet madje ai do ta shkarkonte atë nga posti i presidentit, nëse do i kishte votat e duhura.

“Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit. Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit. Unë nuk do jem arrogant me opozitën, do krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën nuk do lejoj që Serbia të na përçajë. Dialogun do ta drejtoj unë”,pohoi Kurti, duke shtuar se  presidenti Thaçi nuk do të ketë asnjë rol. Këtë dialog do ta udhëheq unë, presidenti do të jetë president. Ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme por jo krijues i politikës së jashtme” – tha Kurti gjatë një interviste për emisionin “Opinion”.

Në lidhje me taksën vendosur Serbisë dhe rinisjen e dialogut, Kurti tha se duhet një dialog parimor që të mos dështojë dhe se taksën do e largojë duke e zëvendësuar me parimin e reciprociteti.

“Dialogu është ndërprerë unë jam për dialog parimor, mendoj që duhet ky dialog të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësoj me parimin e reciprocitete. Në të gjitha aspektet me Serbinë duhet të sillemi në mënyrë simetrike. Të njoh dokumentacionin e Kosovës, reciprociteti sa i përket të drejtave të autorit dhe investimeve”. tha Kurti

Zgjedhjet në Kosovë, Thaçi nis konsultimin me partitë politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi të martën këshillimet me partitë politike për hapat e mëtjeshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, mbetjes së Kosovës pa qeveri. Sipas njoftimit gjatë ditës presidenti Thaçi ka takuar përfaqësuesit e dy partive të komuniteteve jo shumicë.

Njoftimi, citon presidentin Thaçi të ketë thënë se “tani shtrohet nevoja për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”,thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit në të cilin paralajmërohen takimet e radhës me partitë tjera politike dhe përfaqësues të Komisionit të zgjedhjeve gjatë ditëve në vazhdim.

Presidenti i Kosovës tashmë i ka dy mundësi për mënyrën se si të vazhdohet më tutje; njëra që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, apo caktimit të një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës. Por, partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ftoi për të martën pasdite një takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar politike. Në takim morën pjesë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Alencës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por jo edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli që më parë kishte refuzuar pjesëmarrjen në takim ndërsa e kishte cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të paramenduar dhe me kalkulime partiake. Zoti Limaj tha pas takimit se takimi ishte këshillues dhe bëri thirrje që partitë politike të veprojnë menjëherë.

“Janë takime normale konsultative e pimë nga një kafe, më herët me kolegë biseduam për zhvillime si të ecim përpara besoj që është e qartë që vendi është në prag të zgjedhjeve dhe duhet sa më shpejtë t’i jepet epilog kësaj çështjeje”,tha zoti Limaj.

Zoti Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë. Zoti Haradinaj ka qenë ditëve të fundit më i zëshmi për të shkuar sa më shpejt në zgjedhje ndërsa është përballur me kritika të shumta për mbajtjen e takimeve dhe mbledhjes së qeverisë edhe pas dorëheqjes. Për këtë çështje, zoti Haradinaj i dërgoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar situatën e krijuar pas dorëheqjes së tij sa i përket qeverisjes.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë./VOA/

Thaçi ‘ftohtë’ për Haradinajn: Keqardhje, do respektoj Kushtetutën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar disa orë pas publikimit të lajmit, se Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme si Kryeministër i Kosovës. Në një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se ka mësuar me keqardhje lajmin se Gjykata Speciale në Hagë, kishte ftuar për të dëshmuar këshilltarin e tij, Bislim Zyrapi, që dikur ka qenë shef shtabi në UÇK, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe disa ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, shkruan Thaçi.  Më tej, Presidenti i Kosovës shprehet se do të respektojë kompetencat e tij kushtetuese, lidhur me dekretimin e një date të re zgjedhjesh të parakohshme, e kërkuar nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, shkruan Thaçi.  Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë të ndarë në qëndrimet e tyre  lidhur me taksën mbi mallrat serbe. Presidenti ka qenë më liberalë në këtë drejtim, duke kërkuar nga kryeministri që të zbusë qëndrimin e tij, me qëllim që të rifillojë dialogun me Serbinë.

Por Haradinaj nga ana e tij e ka kritikuar Thaçin në publik për qëndrimet që ka mbajtur, madje duke e akuzuar edhe si një prej ideatorëve për ndarjen e Kosovës, gjë të cilën Haradinaj e përmendi dhe në emisionin “Rubikon”, ku u shpreh se ishte ai njeriu që ndali ndarjen e Kosovës, duke refuzuar dialogun nëse do të shtrohej një diskutim i tillë.

Gjithashtu, Hardinaj, u shpreh se përçarjet mes politikanëve në Kosovë, e kanë dobësuar rolin e saj në procesin e dialogut me Serbinë, duke u rikërkuar krerëve të lartë shtetëror të Kosovës, që të mbajnë një qëndrim të përbashkët, në mënyrë që Serbia të pranojë njohjen. Një detaj i deklaratës së Hashim Thaçit për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, është ftohtësia me të cilën shprehet në Presidenti i Kosovës për kryeministrin e vendit të tij.

Madje, deklaratën e tij, Thaçi e nis me këshilltarin personal, Bislim Zyrapi, dhe me një fjalë përmend dhe Haradinaj në rreshtin ku shprehet keqardhje për ftesën që Gjykata Speciale i dërgon disa ish-drejtuesve të UÇK-së për të dhënë sqarime për të njëjtën çështje, që të paktën Haradinaj ka fituar  dy herë pafajësinë nga Gjykata e Hagës.

Thaçi refuzon Samitin e Sarajevës: Vetëm kur të trajtohemi të barabartë do vij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur për publikun refuzimin e tij për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), në Bosnje e Hercegovinë. Ai ka thënë se Kosova merr pjesë në forume të tilla vetëm kur trajtohet e barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. “Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi. Ky është statusi i plotë i presidentit Thaçi: Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush. /RTK/

Thaçi: Prania e SHBA, e nevojshme për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën franceze “L’Express” e ka cilësuar të domosdoshme praninë dhe mbështetjen e SHBA-ve në normalizimin e marrëdhënieve të brishta mes Kosovës dhe Serbisë. “Askush nuk mund ta zëvendësojë Evropën në këtë proces paqeje; megjithatë, marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë është aq e brishtë sa që nuk mund të ketë një marrëveshje nëse nuk kemi mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Thaçi ka folur edhe për mundësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë, më takimin e Parisit më 1 korrik .

Shpresoj që takimi do të hapë rrugën për një marrëveshje me Serbinë. Nëse nuk mund të krijojmë marrëdhënie të mira me Beogradin, atëherë ne kurrë nuk do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian e as të NATO-s. Kjo është një mundësi e artë.” –tha Thaçi

Ndërsa i pyetur se çfarë kompromisesh është e gatshme Kosova të bëjë për të arritur një marrëveshje, Thaçi tha se është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje e favorshme reciproke edhe pse “do jetë e vështirë, pasi duhet t’i bind qytetarët e vendit tim që të normalizojnë marrëdhëniet me një shtet që vetëm 20 vjet më parë po na vriste.” Ndërsa tezën e shkëmbimit të territoreve, Thaçi e mohoi të ketë qenë pjesë e diskutimeve me Serbinë, duke cilësuar se ai nuk ka qëllim të ndryshojë kufijtë.

Çlirimi i Kosovës, Thaçi: Tani meritojmë BE-në dhe NATO-n, gati për marrëveshje me Serbinë

Kosova ka kujtuar 20 vjetorin e përfundimit të luftimeve në territorin e saj me forcat agresore serbe, pas ndërhyrjes së NATO-s. Në ceremoninë e zhvilluar në Prishtinë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se “12 qershori është në themelet e identitetit tonë si popull i Kosovës”.

12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë. Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës: – atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli, – atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet”, u shpreh Thaçi.

Gjatë fjalës së tij Hashim Thaçi u shpreh se Kosova meriton të integrohet në Bashkimin e Europian dhe në NATO, pasi sips tij, Kosova ka bërë progres të rëndësishëm për të merituar këtë.

Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës. Por, ne jemi të bindur që së bashku duhet dhe mund ecim më shpejt drejt integrimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe në Bashkimin Evropian. Ne e meritojmë këtë. Ashtu siç kemi merituar të jemi të lirë. Ashtu siç e kemi merituar të bëhemi shtet”, u shpreh Thaçi.

Më tej, kreu i shtetit kosovar, tha se Kosova tashmë po punon për të siguruar njohjen e pesë shteteve anëtare të BE, që ende nuk e kanë njohur atë, ndërsa nga ana tjetër theksoi se Kosova është e gatshme të bëjë një marrëveshje historike me Serbinëm për normalizimin e dy vendeve.

“Në anën tjetër, e dimë që rrëfimi për ne si Kosovë, si shtet, nuk mund të rrumbullakohet në tërësi pa e ngritur flamurin e Kosovës në East River, në selinë e OKB-së. Pa e siguruar edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së. Ashtu siç kemi qenë shumë vite më parë të gatshëm për ta bërë marrëveshjen historike me Serbinë, ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm që të bisedojmë me Serbinë për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, u shpreh Thaçi.

Vuçiç: Hiqni taksën.Thaçi: Nuk mund të vendosni kushte për dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mban shpresa tek Samiti i Parisit për krijimin e një klime më të favorshme për rifillimin e dialogut me Serbinë. Thaçi tha se Serbia duhet të heq dorë nga vendosja e kushteve dhe të mos bëhet pengesë për rinisjen e dialogut. Më herët presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se “nëse hiqet taksa e rifillojmë njëherë dialogun. Ky është qëndrimi jonë”.

Nuk mund të ketë dialog, nëse vendosim kushte për dialog, ashtu siç po bën Serbia aktualisht. Dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim në UNESCO e Interpol. Por unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkret për vazhdim të dialogut dhe për arritje të marrëveshjes.”- tha Thaçi

Këto deklarata dy presidentët i bënë gjatë forumin “Globsec” që u mbajt në Sllovaki, në qendër të së cilit ishte dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.

Skip to toolbar