“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap i madh për njerëzimin”. Ndonëse duket e çuditshme por një frazë më e mirë se kjo nuk të vjen në mendje për të folur për udhëtimin më të madh që njeriu ka bërë ndonjëherë e që është ulja në Hënë. Dhe të mendosh se këtë frazë komandanti i misionit Apollo 11, Neil Armstrong, e kishte menduar vetëm një natë më herët se të bënte udhëtimin e famshëm drejt Hënës, i cili përkujtohet ende edhe pas 50 vjetësh dhe që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë botën.
20 korrik 1969, njerëzimi, duke përfshirë gjeneratat që nuk i kanë përjetuar ato momente ende i ka ato tinguj dhe imazhe në veshët dhe sytë e tyre dhe ende kultivon shpresën për të pushtuar kozmosin dhe për t’i sjellë ëndrrat e tij më afër realitetit, duke lënë një shenjë të pashlyeshme mbi to.
Gjurmën e parë njerëzore në Hënë e ka lënë astronauti i NASA Neil Armostrong, i ndjekur nga Edwin “Buzz” Aldrin. Anëtari i tretë i ekuipazhit, Michael Collins, mbajti në vend kontrollin e misionit në bordin e modulit Columbia. Për dy orë e 31 minuta, Neili qëndroi në tokën hënore, duke lënë sa më shumë gjurmë që përfaqësonin një planet të tërë.
Në total Hënën e synuan 7 misione dhe në sipërfaqen e saj u ulën 27 astronautë. Njëri prej misioneve, Apollo 13, pësoi defekt kur ishte në orbitën e Hënës dhe realizoi një prej kthimeve më të vështira në Tokë, duke bërë të kthehej në “sukses”, dështimin e tij.
Zbarkimi në Hënë e Apollo 11 fiks 50 vite më parë, u ndoq nëpër TV nga më shumë se 900 milionë njerëz në mbarë botën. Zbarkimi në Hënë në vitin 1969 ishte ngjarja e parë e transmetuar live nga mediat në mbarë botën dhe që emocionoi miliona njerëz.
Një prej astronautëve me origjinë shqiptare, Alan Shepard, la në Hënë edhe një flamur të vogël kuqezi, gjatë misionit ku ai bënte pjesë.
Udhëtimi i fundit në Hënë ka qenë misioni i Apollo 17, që u ul në sipërfaqen e satelitit të Tokës në 11 dhjetor 1972. Prej asaj kohe, NASA, nuk ka mundur të realizojë asnjë mision, kryesisht pasi Kongresi i ka prerë fondet pasi e quajti të mbyllur “garën yjore” me Sovjetikët në hapësirë. Tashmë Presidenti Trump ka premtuar që amerikanët do të shkojnë në Hënë brenda vitit 2025-2029, ndërkohë që NASA, ESA por dhe rusët, kanë folur për një projekt të mundshëm të përbashkët, për ngritjen në Hënë të një stacioni hapësinor, që do të shërbejë si kamp bazë për misione me njerëz në Hapësirën e Thellë, ku Marsi është destinacioni i parë. Kjo edhe për faktin se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor është jo vetëm i vjetruar, por edhe sipas specialistëve mund të rrezikojë jetën e astronautëve që jetojnë aty në periudha jo më pak se 6 muaj.