Prokuroria e Përgjithshme, Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranës janë përfshirë në verifikime për mënyrën si kanë rrjedhur në media përgjimet e dosjes “339”.
Të dyshuarit janë afro 20 persona nisur nga prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe drejtues të prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe punonjës të sektorit të përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithsme, që janë të dyshuar për nxjerrjen e përgjimevë në dosjen hetimore “339”.
Fillimisht me hetimin e saj është marrë prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, dhe pas transferimit të tij në Shkodër dosja kaloi në duart e prokurorëve të tjerë si Besim Hajdarmataj, ish-kreu i Krimeve të Rënda e më pas te pasardhësja e tij Donika Prela, e më pas dy prokurorët që kanë aktualisht dosjen janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.
Pas publikimit të materialeve nga gazeta gjermane “Bild”, organi i akuzës i kryeqytetit ka nisur një hetim për nxjerrjen e materialeve hetimore nga dosja, e cila po shoqërohet edhe me një hetim administrativ nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda për të parë gjithe intinerarin që kanë përshkruar CD me përgjime.
Por ky nuk është hetimi i parë i nisur për këtë fakt, pasi një i ngjashëm nisi edhe në muajin janar, kur u publikuan përgjimet e para të transkriptuara te Zëri i Amerikës.
Hetimi u pasua edhe me një kallzim të bërë nga oficeri i policisë gjyqësore Petrit Gjeci, i cili ishte marrë me këtë dosje.
Ai kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës 4 prokurorë të Krimeve të Rënda, Donika Prelën, Vladimir Marën, Dritan Prençin si dhe Besim Hajdarmatajn për nxjerrje të sekretit hetimor.
Sipas Gjecit, të katër prokurorët e mësipërm janë përgjegjës për zbulimin e informacioneve që përmban dosja “339”, të publikuara në shkrimin e Zërit të Amerikës në atë kohë, ku u zbuluan të dhëna mbi shitblerjen e votës në zgjedhjet e 2017-ës në Durrës, Kavajë, Dibër dhe Lezhë. Gazeta Tema