Ka nisur me diskutime seanca parlamentare e së enjtes ku po diskutohet kthimi për shqyrtimin e dekretit të Presidentit për Përmbarimin Gjyqësor. Deputeti socialist Alket Hyseni u shpreh se Meta e ka kthyer ligjin për përmbarimin privat, pasi është i frikësuar nga drejtësia.
Socialisti deklaroi se institucioni i presidentit përfaqësohet nga një njeri që ka frikë reformën në drejtësi.
“Në valën e shumë vendimeve të papërgjegjshme nuk është çudi e madhe edhe kthimi i këtij ligji. Institucioni i presidentit përfaqësohet nga një njeri që ka frikë reformën në drejtësi. Ai nuk e bën se e i dhemb shumë për përmbarimin, por tmerri për reformën në drejtësi. Kujdes ju që jeni të frikësuar, se ju erdhi ora. Unë jo vetëm do të votoj raportin por do të jem edhe aktiv në çdo veprim për t’i dhënë mundësi këtij zotërie që të dalë në pension dhe të hipi majë plehut ku ka qejf që të kakarisë”, u shpreh Alket Hyseni.
Gjatë të mërkurës Presidenti Meta u mor gjerë e gjatë me reformën në Drejtësi ndërsa akuzoi Ramën për kapjen e saj. Ai gjithashtu mori në pyetje ambasadorin Soreca dhe në një letër drejtuar KLGJ sulmoi Euralius dhe e akuzoi për shkelje të Kushtetutës dhe të kompetencave te presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pra Meta zbuloi se synimi i tij është emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë.