Meta takon Marshallin e NATO-s, citon Stoltenberg: Shqipëria ka në zemër demokracinë

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të martën një takim me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sir Stuart Peach, ku në bisedë më të ka cituar një fjali të thënë në Tiranë nga Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg që vendet anëtare të NATO-s (dhe Shqipëria) kanë në zemër demokracinë.

Gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë të NATO-s Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e dhënë për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës, duke garantuar se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Presidenti Meta siguroi se Shqipëria do të vijojë kontributet e saj në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Rumani, Mesdhe, etj.

Duke e vlerësuar si legjitime kërkesën e NATO-s për të ndarjen e drejtë të barrës së përgjegjësive, Kreu i Shtetit theksoi se i ka kërkuar Qeverisë, t’u përmbahet angazhimeve zyrtare të Shqipërisë, duke rritur vit pas viti buxhetin deri në 2% të GDP në vitin 2024.

“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj.

Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik.

Do punoj pa u lodhur për një Shqipëri të qëndrueshme, demokratike dhe anëtare të denjë të NATO-s, që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka në zemër demokracinë”, – u shpreh Meta

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg vizitoi Tiranën më 2 qershor të këtij viti, në kulmin e debateve politike dhe protestave të dhunshme të opozitës kundër zgjedhjeve të 30 qershorit. Në vizitën e tij vetëm disa orëshe në Tiranë, Stoltenberg dha një mesazh të qartë për opozitën duke thënë se zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e demokracisë, ndërsa dhuna është e papranueshme për SHBA-të dhe NATO-n.

“U bëj thirrje gjithë aktorëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe me vetëpërmbajtje dhe të tregojnë konsensus politik të nevojshëm për të vazhduar në rrugën  e integrimit Euro-Atlantik, zgjidhur çdo mospajtim mes tyre përmes dialogut dhe jo përmes minimit të institucioneve dremokratike. Sepse kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për njerëzit në Shqipëri dhe tërë rajonin.

NATO është një aleancë e demokracive. Në vendet demokratike ka përherë mospajtime dhe debat, që nuk janë dobësi por në themel të asaj që i bën demokracitë tona të forta. Por dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Ajo është absolutisht e papranueshme”, vuri në dukje Stoltenberg.

Skip to toolbar