Meta: Klima nuk pengon zgjedhjet lokale (por atëherë nuk ishte president)

Fatkeqësisht, situata politike aktuale ka dy anë të medaljes; e para sepse vendi është futur në spirale të rrezikshme të krizës politike, që po degradon drejt një konflikt civil, dhe e dyta, fatmirësisht (por jo në kontekstin parësor), klasa politike aktuale është ajo që “sundon” këtë vend prej tre dekadash këtë vend, ndaj në kujtesën e gjithsecilit nuk mund të fshihen disa deklarata të bërë nga këta politikanë, që aktualisht kanë futur vendin në këtë labirint.

E tillë është një deklaratë e bërë nga Ilir Meta menjëherë pas 21 janarit 2011, pikërisht, në datën 13.02.2011, kur fliste para simpatizantëve të LSI-së. Atë periudhë, kur sapo ishte mbajtur protesta e 21 janarit, ku për shkak të publikimit të videopërgjimeve, ku Meta shihej së bashku me ish-ministrin e LSI, Dritan Prifti (tashmë i ndarë nga jeta), katër qytetarë humbën jetën para kryeministrisë në protestën e organizuar asokohe nga opizta socialiste.

Meta, i cili më pas u largua nga posti i ministrit në kabinetin e qeverisë Berisha, deklaronte se tre muaj para se zgjedhjet e majit 2011 për pushtetin lokal do të mbaheshin, pavarësisht klimës së tensionuar politike në vend dhe vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm, të cilët dolën për të protestuar pikërisht për shkak të një videopërgjimi. Për më tepër, ndiqni dhe gjykoni vetë deklaratën e Ilir Metës, kur zotohej se klima politike nuk do të ndikonte në zgjedhjet lokale, por, kjo deklaratë bëhej në një kohë kur Meta nuk ishte president.

Ilir Meta dhe dhuna shtyjnë ndërkombëtarët të grupohen rreth 30 Qershorit

Nga Ardit Rada

Teksa 10 ditë na ndajnë nga data kushtetuese e zgjedhjeve lokale, opozita joparlamentare ka vënë në zbatim një plan të njoftuar më parë prej saj.

Edhe pse dhunimi i ambienteve të votimit ishte parashikuar për ditën e votimit, PD dhe LSI kanë nxitur kryebashkiakët e tyre të vënë në zbatim planin për shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me 30 qershorin.

Ditën e sotme, disa zhvillime të zbehura nga sulmet ndaj KZAZ-ve, kanë nxjerrë në pah një qëndrim të ndërkombëtareve ndaj asaj që po ndodh. Praktikisht, misioni i OSBE-ODIHR ka ngritur zërin për realizimin e zgjedhjeve më 30 Qershor teksa ka dënuar dhunimin e logjistikës.

Reagimi i OSBE, ku kërkohet dërgimi i organizatorëve dhe autorëve para ligjit, vjen pak minuta pasi Presidenti dërgoi një letër Miroslav Lajçakut. Kjo letër është pjesë e arsenalit që PD, LSI dhe Presidenti kanë në dispozicion për t’i rrëzuar zgjedhjet.

Duke i shkruar kreut të OSBE-së, Meta zbuloi kështu faktin se institucioni i Presidentit është gati të përdorë çdo hapësirë që ta frenojë 30 Qershorin. Jo vetëm më ç’dekretime të panjohura, por edhe me letra me vulë me shqiponjë. Por ndryshe nga OSBE, Presidenti ende nuk ka bërë thirrje për ndalim të dhunës, e aq më pak të kërkojë angazhim të agjencive ligjzbatuese.

Kreu aktual i shtetit nuk e ka lënë të mbetet unik rasti i Presidentit Sali Berisha 23 vite më parë. Për herë të parë ambasadorja e OSBE, Glover erdhi në vendin tonë në zgjedhjet më të vështira të historisë së pluralizmit shqiptar, ato të 26 majit të vitit 1996, ku në fund ajo firmosi një raport që i cilësonte zgjedhjet, si jo të lira dhe të ndershme. Ka qenë një vendim që do ta vendoste prej atij momenti, në kurs përplasjeje me presidentin e kohës Sali Berisha.

Sot OSBE-së i duhet të përballet për herë të dytë me një president shqiptar, këtë herë duke përkrahur 30 Qershorin dhe duke kërkuar që përgjegjësit të gjykohen. Dhuna ndaj KZAZ-ve duket se po jep efektin e kundërt që kishte parashikuar opozita joparlamentare dhe ajo “presidenciale”. Po e legjitimon akoma edhe më shumë 30 Qershorin para ndërkombëtarëve.

Exclusive/ “Meta nuk do të shkrijë Kuvendin” dhe nuk do të lërë Presidencën

Nëse pyet gazetarë e politikanë se përse Ilir Meta kërkoi informacion nga KQZ për 122 deputetët e Kuvendit, të gjithë (përfshirë edhe Realstory.al), deri dje të japin të njëjtën përgjigje. Presidenti po përgatiste dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, si pjesë e përballjes së tij alogjike (për shumë dhe antikushtetuese) me qeverinë, me fokus 30 qershorin. Apo jo?

Gabim. Realstory.al ka marrë informacione të mjaftueshme dhe të verifikuara se përse kjo është përgjigje e gabuar ndaj pikepyetjes që ngriti lëvizja e presidentit. Përgjigja e saktë është se presidenti ka vetëm një hall, të tijin. Ose më saktë atë të shkarkimit.

Gjithçka ka pikënisje në takimin e tensionuar disa ditë më parë me ambasadorët e huaj. Së paku tre prej tyre, i kanë konfirmuar Realstory.al direkt ose indirekt se informacioni se Presidenti Meta ka deklaruar (apo kërcënuar) se do të nxjerrë në rrugë ushtrinë me pretekstin e ruajtjes së stabilitetit, është i vërtetë. Replikat kanë qënë të ashpra dhe janë shkëmbyer emaile me pjesën përkatëse të Kushtetutës në shqip dhe anglisht. Ambasadorët i kanë kujtuar Presidentit se sipas artikullit 169 të Kushtetutës, në kohë paqeje kreu i shtetit “ushtron komandën e forcave të armatosura përmes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes”.

Ambasadorët (që mesa duket njohin mirë dhe kushtetutën por dhe qëllimet e Metës), i kanë kujtuar atij gjithashtu edhe Ligjin e amenduar nr.64 të vitit 2014 (votuar edhe nga vetë deputeti Ilir Meta atë kohë) dhe Artikullin 9, sipas të cilit: “Presidenti i republikës në kohë paqeje ushtron lidershipin kushtetues të Forcave të Armatosura përmes Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes ndërsa në Kohë lufte, e ushtron vetë, ose përmes Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (që vërtet e miraton ai, por vjen si propozim i Kryeministrit).

Nisur nga këto prerogativa kushtetuese, ligjore por edhe politike (shefi i shtabit mund të vendosë të zbatojë Kushtetutën dhe jo një urdhër të paligjshëm qoftë edhe të presidentit për të nxjerrë ushtrinë në rrugë), diplomatët i kanë bërë thirrje arsyes (!) së Kreut të Shtetit, që së paku këtë gjë mos ta artikulojë në publik, duke rrezikuar të bëhet dhe qesharak.

Por duket ambasadorët kanë marrë më seriozisht aludimin e heshtur të kreut të shtetit me kërkesën që ai i ka bërë KQZ. Shkrirja e Kuvendit është e përcaktuar aq qartë në Kushtetutë e ligj, saqë një vendimmarrje e tij për këtë, do të rrezikonte të konsiderohej shkelje në flagrancë e Kushtetutës, me pasoja direkte të shkarkimit të tij të menjëhershëm dhe pasojave të tjera ligjore. Por këtu Presidenti ka mbajtur një qëndrim tjetër. Ai ka lënë të kuptohet se vrulli i tij e ka një kufi. (Dhe ky në vetvete është një lajm i mirë). Presidenti Meta ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të shpërndajë parlamentit, por të sigurojë legjitimitetin e tij. Arsyeja nuk janë votat e vjedhura (parlamenti i çunave të Shijakut) por “respektimi i procedurave te marrjes së mandateve nga deputetët e rinj”.

Një burim nga LSI i ka pohuar një prej selive diplomatike, në kushtet e anonimitetit dhe jo zyrtarisht se qëllimi i Metës është verifikimi i ligjshmërisë së numrit të deputetëve, me qëllim që nëse parlamenti ecën para dhe voton shkarkimin e tij (duhen 93 vota). Argumenti ligjor për tu mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese nga avokatët e Presidentit pritet të jetë se Kuvendi ka vetëm 82 deputetë të ligjshëm. Këtë e ka deklaruar vetë Ilir Meta muajt e fundit, menjëherë pasi Kuvendi përcolli kërkesat e dorëheqjes nga mandati të deputetëve të opozitës në 16 shkurtin e shkuar, ndërsa bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI e ka përmendur këtë në intervista televizive, përfshirë edhe në Real Story në Vizion Plus.

Po ku bazohet dyshimi i Metës dhe çfarë ka marrë nga përgjigja e KQZ?

Në letrën drejtuar kreut të shtetit Sekretarja e përgjithshme e KQZ shkruan ndër të tjera, “… si pasojë e njoftimeve nga Kuvendi i Shqipërisë, për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës…” KQZ ka marrë njoftim, dhe ka vazhduar proceduren per plotësimin e vendeve. Kandidatët e listës kanë plotësuar dokumentacionin dhe më pas janë paraqitur në Komisionin e Verifikimit të mandateve në Kuvend.

Por këtu mund të jetë klecka. A është ndjekur e njëjta procedurë nga Komisioni i Mandateve edhe për deputetët që ikën? Sic kujtojmë të gjithë, kërkesat e dorëzuara nga opozitaret parlamentarë, u dërguan brenda dy ditëve në KQZ, pa pritur fundin e afatit 30 ditor që përcakton ligji. Burime të larta nga Kuvendi thonë se drejtuesit kanë qënë “nën presion të madh ndërkombëtar” që këto mandate të dorëzuara të dërgohen sa më shpejt në KQZ, për habine e vetë ish deputetëve, disa prej të cilëve e kanë shprehur atë publikisht. Bile Monika Kryemadhi kishte vënë në letrën e saj një datë të gabuar. Por a po tregon koha se ajo e ka bërë qëllimisht këtë “gabim”?

Sipas të njëjtave burime që i dhanë Realstory.al informacionin për qëllimet e vërteta të Metës në kërkesën drejtuar KQZ, në bazë të Kodit Zgjedhor, duket se presidenti po përgatit që tani dosjen mbrojtëse për Gjykatën Kushtetuese. Duke argumentuar se Komisioni i Mandateve nuk ka berë verifikimet e kërkesave për dorëzimin e tyre nga deputetët e opozitës, për të kërkuar kështu pavlefshmërinë e votimit në kuvend për shkarkimin e tij. Realstory i kërkoi një burimi të lartë në KQZ një opinion verifikues për këtë. Sipas tij: “Komisioni i Mandateve nuk ka në praktikë parlamentare verifikimin e kërkesës për dorëzim të mandateve. Sic e thotë dhe titulli i komisionit, ai nuk detyron dot nje deputet të mbajë mandatin. Megjithëse verifikimi formal ndoshta është i mundur, në kushtet e 16 shkurtit kemi pasur deklarime publike, dhe eksklamative për dorëzim të mandatit. Në të shkuarën, nga Azem Hajdari, tek Sajmir Tahiri, asnjëherë nuk është ndjekur një praktikë e tillë”.

Por sigurisht në rastin e parë historik të impeachment të një Presidenti, cdo gjykatë, aq më tepër ajo Kushtetuese, do ishte skrupuloze në verifikimin e Çdo argumenti të paraqitur nga palët. Dhe këtu lëvizja e Metës duket dinake dhe vizionare. Kryesisht dhe vetëm për hallin e tij.

Shkurt, as nuk do shkrijë Kuvendin dhe as ka ndërmend të iki nga Presidenca. As para dhe as pas 30 qershorit. /realstory.al/

Balla: Presidenti mund të ketë dhe probleme mendore, do shkarkohet!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi në ‘Real Story’ se mazhoranca do ti shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit të Repbulikës Ilir Meta.

Unë jam një prej firmëtarëve që kam kërkuar shkarkimin e Metës. Ai ka humbur besimin e Kuvendit, të të gjithë grupit Parlamentar të PS. Unë besoj se Kuvendi do ti bindet me 94 anëtar për ta çuar deri në fund këtë gjë. Unë kam dëgjuar një deklaratë lajthitëse të Presidentit të Republikës ndaj Kuvendit. Presidenti i Republikës po çon ndërmend edhe shpërndarjen e Parlamentit. Presidenti i Republikës mund të ketë probleme edhe të shëndetit mendor”, tha Balla.

Balla konfirmoi dhe njëherë qëndrimin dhe këndvështrimin e Partisë Socialiste se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kompetenca për çdekretim, kreut të shtetit i është hequr me ndryshimet kushtetuese, ndërsa e ka cilësuar datën e dekretimit të zgjedhjeve, si një kompetencë ceremoniale.

Me ndryshimet kushtetuese Presidenti i Republikës ka thjesht e vetëm një kompetence ceremoniale për dekretuar datën e zgjedhjeve. Unë kam qenë përfaqësues i PS në presidencës për konsultën, teksa presidenti thirri palët, dhe jo pa qëllim kam bërë një diskutim ndoshta më të gjatë se kolegët e tjerë të opozitës. I kam thënë presidentit: ‘si mendoni ju, se ju e keni këtë kompetencë? Janë vetëm dy data më tha, nëse ne biem dakord, të lutem, më tha, opozita kërkon datën 30 dhe më dueht të vendos datën 30”.

“A e ka shkelur presidenti kushtetutën? Mendoj se në disa pika. Së pari, presidenti i republikës në saj të asaj “zhveshje” kompetencash, nuk ja njeh Kushtetuta të drejtën e dekretimit. Presidenti i Republikës ka sjell si kazus, në argumentin që i ka sjellë Kuvendit, ka sjellë si referencë rastine  vitit 2007, kur president ishte Z.Moisiu. ky i fundit tha se unë nuk e bëj dot dekretimin pa më dhënë mundësinë një dispozitë tranzitore”, u shpreh Taulant Balla.  

Mero Baze: Meta do të nxjerrë ushtrinë në rrugë

Nga Mero Baze

Kemi dy lajme nga Ilir Meta. Lajmi i keq është se ky njeri ka një plan të detajuar në mendjen e  tij për të destabilizuar Shqipërinë dhe për ta çuar përplasjen institucionale, në betejë ushtarake.

Lajmi i mirë është se ai nuk ka asgjë në dorë, dhe askënd nga pas. Përfshi dhe ushtrinë, që ka keqkuptimin se mund ta përdorë për hallet e veta.

Le t’i hedhim një sy lajmit të keq. Në takimin e sotëm më diplomatët perëndimorë në Tiranë, ai ka dëshmuar se ka një plan. Plani i tij është që të përdorë kauzën e opozitës për të destabilizuar vendin, nëse Edi Rama nuk i gjunjëzohet opozitës.

Në këtë kontekst, ai ka treguar pa dashje se dhe protestën e 21 qershorit e komandon ai, pasi nëse sipas tij, Rama tërhiqet, ai mund ta anullojë protestën. Dhe më tej akoma, ka premtuar se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë, nëse Edi Rama shkon në zgjedhje më 30 qershor.

Nëse i hedhim një sy gjithë zhvillimeve të opozitës, që nga protestat e dhunshme e deri te fillimi i përplasjes së dhunshme për të sulmuar KZAZ-të, ato janë të gjitha akte dhune të nxitura institucionalisht nga presidenti Ilir Meta.

Ç’dekretimi prej tij i datës së zgjedhjeve, është fillimi i akteve zyrtare të tij, për të futur vendin në darën e një përplasje të egër politike, me shpresë që do shkohet drejt kaosit.

Pas ç’dekretimit të zgjedhjeve, Ilir Meta dhe Sali Berisha, tentojnë të përdorin 27 Bashki që kanë aktualisht drejtues nga PD, LSI dhe partia e Idrizit e Dules, kundër 34 Bashkive që janë me drejtues socialistë. Ky është një akt politik, që tenton të përdoret si mekanizëm konfrontimi në prag të zgjedhjeve, dhe që ka filluar të zbatohet sot në Shkodër dhe nesër në mesditë, ndoshta në gjithë KZAZ-të ku drejtojnë këto parti.

Duke tentuar ta ndajë Shqipërinë në pro dhe kundër dekretit të tij anti-kushtetues dhe të bërë nul nga KQZ-ja, që është institucioni që organizon zgjedhjet, Ilir Meta ka vënë veten në krye të betejës për bllokimin zyrtar me dhunë të zgjedhjeve, duke përdorur opozitën, Bashkitë që ajo ka, dhe protestat e dhunshme të saj.

Kërcënimi i tij ndaj shumicës në pushtet, se nëse dorëzohet Rama, mund ta anulojë dhe protestën e opozitës, tregon se edhe protesta është një mekanizëm dhune që e komandon në funksion të qëllimit të tij.

Njësoj është dhe përpjekja për ta viktimizuar Lulzim Bashën, herë duke e frikësuar që do e vrasin, e herë që do ta fusin në burg amerikanët, nëse nuk i rri besnik Metës e Berishës.

Ndërkohë që më 20 qershor Lulzim Basha ka afatin e fundit për t’u paraqitur në Prokurori, ndryshe do të shoqërohet me forcë, Ilir Meta ka vrapuar t’i japë kurajo kundër SHBA. Ai e ka ftuar Lulzim Bashën në Presidencë më 20 qershor, në të njëjtën orë që e ka ftuar Prokuroria, për ta mbrojtur nga shoqërimi i dhunshëm.

Tani që dhe Ilir Meta të jetë i qetë, ka një lajm të mirë për të.

Ai ka bërë të gjitha çfarë mund të bëjë dhe po përpiqet të komandojë një ushtri talebanësh kundër zgjedhjeve, ndaj nuk duhet ta vrasë ndërgjegjia, përse s’po ja del dot.

Ka bërë një akt juridik të pavlefshëm, që po e përdorin siç përdorin talebanët një fatva  të ardhur nga i pari i Al Qaidës.

Ka menduar të fusë në luftë 27 Bashki, kundër 34 të tjerave. Ka menduar të përdorë policitë bashkiake të 27 Bashkive kundër Policisë së Shtetit.

Ka menduar të shpallë dhe të rrezikuar Lulzim Bashën. Ka shpresuar se do të përdorë shitje përgjimesh nga Prokuroria në gazeta, për të krijuar klimë për revolucion.

Në fund ka menduar të përdor dhe ushtrinë duke e nxjerrë në rrugë, ngaqë i ka mbetur në mendje Allende.

Gjithë këta të tjerët para ushtrisë mund t’i përdorë, pasi lehtëson punën, nëse identifikohen para 30 qershorit si një ushtri talebane kundër zgjedhjeve dhe mbaron punë drejtësia me ta.

Kjo, më shumë se një ushtri që shpëton Ilir Metën nga Perëndimi, është një ushtri që mund t’i hajë kokën.

Por ushtrinë e Shqipërisë, që është ushtri e NATO-s, nuk e përdor dot kundër Perëndimit, edhe pse i ke mbushur mendjen vetes të sillet si komandant i një vendi të “Traktatit të Varshavës”.

Ushtria nuk mund të dalë në rrugë, të ndalë njerëzit të votojnë, qoftë dhe kundër presidentit të tyre. Detyra e ushtrisë nuk është të mbrojë presidentin nga populli, por të  mbrojë popullin dhe vendin nga armiqtë, qofshin këta dhe presidentë të saj

Meta kapet pas dekretit: Juncker e ka gabim, zgjedhje s’mund të ketë

Presidenti i Repbulikës Ilir Meta ka folur në një intervistë për transmetuesin “Al Jazeera”, ku ka shprehur bindjen se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. “Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, ka thënë ndër të tjera Meta. Për gazetarin John T. Psaropoulos, Ilir Meta ka thënë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve ka hyrë në fuqi dhe duhet të zbatohet nga të gjitha palët. Ndërsa, lëvizjen e tij, e ka argumentuar si të nevojshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vend.

Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Partia për Unitet Kombëtar e Idajet Beqirit, pritet të dërgojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për mos çregjistrimin si parti politike nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, në rast se Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e marrë nga KQZ pak ditë më parë, atëherë merr miratimin e parë ligjor mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor, dhe rrëzohet dekreti i kreut të shtetit. Por, Ilir Meta shprehet se dekretin e anulimit të zgjedhjeve, në kushtet aktuale, nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend, veç Gjykatës Kushtetuese.

I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim”, ka thënë Meta.

Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 qershor ka pasur miratimin e faktorit ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, Meta, në intervistën për “Al Jazeera” është shprehur se Juncker nuk është informuar siç duhet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”, ka thënë ndër të tjera Meta.

Intervistën e plotë te Ilir Metës e lexoni KËTU

Shfaqet Mr.Kanceri origjinal: Presidenti është njeri i trashë!

Kandidati për Kryetar Bashkie në Këlcyrë, Hazbi Kasaj, që është kthyer në personazh me deklaratat e tij të forta, shpesh duke mallkuar njerëz e politikanë, ka goditur përsëri këtë herë. Presidenti Ilir Meta ka qenë fokusi i radhës i Hazbiut, me këtë të fundit që e ka mallkuar rëndë, duke i uruar “vdekjen”.

Një video, e siguruar dhe nga “Realstory.al”, tregon Hazbi Kasajn që flet për situatën politike në vend, ku veç të tjerash shprehet se zgjedhjet do të bëhen, ndërsa Ilir Metës i uron “vdekjen”.

“Meta për mua është njeriu më i trashë në Republikën e Shqipërisë. Njeriu më i pakulturë dhe ai duhet të më flasë mua për ta sqaruar përfundimisht se ngatërroi vendin dhe veten. Zgjedhjet do bëhen, me Edi Ramën në krye zgjedhjet do bëhen”.

“Ai është Kryeministër dhe duhet respektuar, duhet ti bësh vrejtje jo ta eliminosh, siç mendon kundërshtari, “ik ti të vij unë”. Presidenti është sëmur, siç e ndoqa në media para ca ditësh, inshallah na vdes”

Rama: Meta merr shembull nga Maqedonia (jo skenari maqedonas)

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar nga Bashkia e Pustecit deklaratën e Presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski. Ky i fundit, të shtunën kërkoi nga vendet anëtare të BE, që vendi i tij të trajtohej veç Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Pas kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter ku shprehte habinë për deklaratën e kreut të shtetit fqinj, duke theksuar ndër të tjera se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë kontribut në progresin e Maqedonisë së Veriut. Këtë të diel, Edi Rama ishte në Pustec, bashki e përbërë kryesisht nga popullsi me orgjinë maqedonase në rrethin e Korçës. Rama tha se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin e Maqedonisë, me të cilin ishte sqaruar për deklaratat që ai kishte bërë.

“Presim çeljen e negociatave por ndryshme nga Maqedonia, Shqipëria është në përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi nga brenda që nuk duan negociatat. Presidenti i Maqedonisë kishte bërë një deklaratë ku nënkuptonte se mund të ndahen në trajtimin e tyre. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam lidhur me këtë deklaratë, por e vërteta është që ka një dallim të rëndë për të ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë është pjesë e përpjekjes së popullit të tij për të bindur vendet anëtare, KiE-në, ndërsa Presidenti i Shqipërisë është pjesë për të kundërtën, për të krijuar një dyshim që të kthehet në bindje te disa nga vendet, apo te ata që duhet ti bindim së bashku. Presidenti na bën të ndihemi të turpëruar. Ai duhet të merret me qetësimin e fallxhores dhe të ndalonte kafen turke në Shqipëri deri në 30 qershor dhe qetësimin e doktorit.”, tha Rama.

Më tej, Edi Rama tha gjatë fjalës së tij se të shtunën kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, të cilit i kishte thënë se do të zhvillonte një takim elektoral në Pustec. Ai, Zoran Zaev, sipas Ramës i kishte dërguar një mesazh përmes tij, qytetarëve të Pustecit.

“Dje pata një komunikim me kryeministrin e Maqedonisë dhe i thashë që sot do të isha në Pustec dhe kërkoi t’u lexoja një mesazh që më çoi në telefon, që po e lexoj tani ‘Maqedonia dhe Shqipëria janë dy partnerë të ngushtë, ne punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve tanë, shumë shpejt do të jemi aleatë në NATO dhe e ardhmja jonë është në BE. Dy kombe dhe njerëz të afërt, maqedonasit dhe shqiptarët. Ne jetojmë së bashku, respektojmë njëri tjetrin, dallimet tona, dhe qëndrojmë krah për krah në të mirë dhe të keq. Unë besoj se shoku im (Rama) është i angazhuar për të respektuar identitetin kulturor të maqedonasve në Shqipëri. Ashtu sikundër dihet se unë jam i angazhuar të mbroj trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Unë besoj se ai (Rama) do të punojë bashkë me ju për të përmirësuar shërbimet dhe për të sjellë rritje dhe progres për secilin, ashtu sikur unë në Maqedoni. Të fala Zoran Zarev” ishte mesazhi i tij.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Edi Rama u shpreh para banorëve të Pustecit që në zgjedhjet e 30 qershorit të votojnë kandidatin e Partisë Socialiste, Pali Kolevskin, i cili vjen nga radhët e popullsisë maqedonase në Pustec. Edhe në këtë takim elektoral, kreu i qeverisë ka sulmuar opozitën se kërkon destabilitet të vendit, me qëllim që ti shpëtojë reformës në drejtësi.

Të hënën nis shkarkimi, acarohet Meta: Parlament i çunave të Shijakut

Në kohën kur Kryeministri Edi Rama ishte duke folur nga Kolonja, ku bëri jo pak ironi me Presidentin e Republikës, dhe drejtuesit e opozitës, ka ardhur një reagim i fortë nga zëdhënësi i Ilir Metës, që duket edhe në një formë kërcënimi.

Kur na ndajnë vetëm 48 orë nga koha kur PS do të dërgojë në Kuvend Mocionin për shkarkimin e Ilir Metës, zëdhënësi i këtij të fundit, Tedi Blushi ka shkruar në rrjetet sociale se: “Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës”.

Duke vijuar më tej, në mesazhin e shkruar nga z.Blushi, i cili i quan deputetët socialistë “çuna të Shijakut”, duke nënkuptuar bandën e fisit Avdylaj, shprehet se ata që kërkojnë të instalojnë “Narko-Republikën” e bandave do të marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa!”, shkruan Tedi Blushi.

Pra, ky mesazh, të lë të kuptohet se në zyrën e kreut të shtetit është përgatitur plani për shpërndarjen e Parlamentit, që në fakt u nënkuptua më herët, kur Ilir Meta kërkoi nga KQZ listën e deputetëve të Parlamentit.

Kjo e sotmja, është ndoshta deklarata më e fortë e bërë nga zëri zyrtar i Presidentit të Republikës, çka nënkupton se tashmë palët janë pozicionuar në “llogore” dhe “lufta” po merr trajtë të nxehtë.

Kriza, Astrit Patozi: Kur Meta u bë President mori fund Republika!

Kryetari i  Bindjes Demokratike Astrit Patozi e ka cilësuar “fund të Republikës, momentin kur Ilir Meta u zgjodh President”. Patozi ka folur në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos, ku ka analizuar situatën politike në vend, teksa theksin gjatë intervistës së tij e ka pasur te vendimi i presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kjo është situatë surreale e cila nuk është e papritur për mua të paktën. Unë kur u zgjodh Ilir Meta President kam bërë një status asokohe që është fundi i Republikës sepse Ilir Metën gati po e çonin me barelë në institucionin më të lartë të shtetit dhe socialistët ishin shumë të mërzitur, ndërsa Ilir Meta ishte më i mërzitur vetë se ata që e kishin zgjedhur. Kjo lojë me Republikën është fundi i sistemit. E kam shkruar atëherë që është fundi i sistemit sepse socialistët e trajtuan atë sikur po e internonin”, shkruan Patozi.

Më tej, Patozi shprehet se tani PS po vuan pasojat e zgjedhjes së Ilir Metës në krye të shtetit, pasi sipas kreut të Bindjes, tashmë Rama e ka pas qafe presidentin.  

Socialistëve iu është bërë shumë mirë që iu është kthyer në kokë ajo shaka që bënë atëherë dhe pavarësisht se Edi Rama thotë sot “se nuk kam asnjë lloj pendese që zgjodha Ilir Metën President se nuk mund ta dija ça do bënte ai”, unë jam shumë i sigurt se ai e ka ditur shumë mirë se kë po çonte në Presidencë. Por e ka çuar si hileqar, e ka çuar si pazarxhi, e ka çuar për ta hequr qafe dhe ndërkohë e ka mbas qafe sot”, tha Patozi.

Skip to toolbar