Rama: Meta merr shembull nga Maqedonia (jo skenari maqedonas)

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka sqaruar nga Bashkia e Pustecit deklaratën e Presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski. Ky i fundit, të shtunën kërkoi nga vendet anëtare të BE, që vendi i tij të trajtohej veç Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Pas kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter ku shprehte habinë për deklaratën e kreut të shtetit fqinj, duke theksuar ndër të tjera se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë kontribut në progresin e Maqedonisë së Veriut. Këtë të diel, Edi Rama ishte në Pustec, bashki e përbërë kryesisht nga popullsi me orgjinë maqedonase në rrethin e Korçës. Rama tha se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin e Maqedonisë, me të cilin ishte sqaruar për deklaratat që ai kishte bërë.

“Presim çeljen e negociatave por ndryshme nga Maqedonia, Shqipëria është në përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi nga brenda që nuk duan negociatat. Presidenti i Maqedonisë kishte bërë një deklaratë ku nënkuptonte se mund të ndahen në trajtimin e tyre. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam lidhur me këtë deklaratë, por e vërteta është që ka një dallim të rëndë për të ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë është pjesë e përpjekjes së popullit të tij për të bindur vendet anëtare, KiE-në, ndërsa Presidenti i Shqipërisë është pjesë për të kundërtën, për të krijuar një dyshim që të kthehet në bindje te disa nga vendet, apo te ata që duhet ti bindim së bashku. Presidenti na bën të ndihemi të turpëruar. Ai duhet të merret me qetësimin e fallxhores dhe të ndalonte kafen turke në Shqipëri deri në 30 qershor dhe qetësimin e doktorit.”, tha Rama.


Më tej, Edi Rama tha gjatë fjalës së tij se të shtunën kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, të cilit i kishte thënë se do të zhvillonte një takim elektoral në Pustec. Ai, Zoran Zaev, sipas Ramës i kishte dërguar një mesazh përmes tij, qytetarëve të Pustecit.

“Dje pata një komunikim me kryeministrin e Maqedonisë dhe i thashë që sot do të isha në Pustec dhe kërkoi t’u lexoja një mesazh që më çoi në telefon, që po e lexoj tani ‘Maqedonia dhe Shqipëria janë dy partnerë të ngushtë, ne punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve tanë, shumë shpejt do të jemi aleatë në NATO dhe e ardhmja jonë është në BE. Dy kombe dhe njerëz të afërt, maqedonasit dhe shqiptarët. Ne jetojmë së bashku, respektojmë njëri tjetrin, dallimet tona, dhe qëndrojmë krah për krah në të mirë dhe të keq. Unë besoj se shoku im (Rama) është i angazhuar për të respektuar identitetin kulturor të maqedonasve në Shqipëri. Ashtu sikundër dihet se unë jam i angazhuar të mbroj trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Unë besoj se ai (Rama) do të punojë bashkë me ju për të përmirësuar shërbimet dhe për të sjellë rritje dhe progres për secilin, ashtu sikur unë në Maqedoni. Të fala Zoran Zarev” ishte mesazhi i tij.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Edi Rama u shpreh para banorëve të Pustecit që në zgjedhjet e 30 qershorit të votojnë kandidatin e Partisë Socialiste, Pali Kolevskin, i cili vjen nga radhët e popullsisë maqedonase në Pustec. Edhe në këtë takim elektoral, kreu i qeverisë ka sulmuar opozitën se kërkon destabilitet të vendit, me qëllim që ti shpëtojë reformës në drejtësi.




Skip to toolbar