Erdhi për Influencën Ruse, Kostelançik shmang Metën

Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit në Amerikë, David Kostelancik, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë këtë të mërkurë. Paraditen e kësaj të marte, është zbardhur dhe axhenda e Kostelancik, i cili do t`i nisë takimet e tij në Shqipëri me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi në orën 11:00. Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik, takimin e dytë do ta ketë me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha në orën 14:00, ndërsa pas tij në orën 15:30 do të zhvillojë një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Takimi i fundit i planifikuar në axhendën e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, është ai me Kryeministrin Edi Rama në orën 17:00 të pasdites.

Këto janë katër takimet zyrtare të planifikuara të Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Qëllimi kryesor i vizitës së Kostelancik në Tiranë është influenca ruse në Shqipëri. SHBA ka shprehur këtë shqetësim kohët e fundit, pas publikimit të dokumenteve që implikojnë Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, se kanë përdorur para ruse për të lobuar në SHBA. Për këtë çështje nga organet e drejtësisë shqiptare ka nisur një hetim. Por influenca ruse nuk lidhet vetëm me paratë e lobimit të Bashës.

Presidenti i Republikës Ilir Meta është ‘marrë’ në mbrojtje nga Ambasada e Rusisë në Tiranë pak kohë më parë, kur kreu i shtetit nisi të sulmonte reformën në drejtësi dhe filantropin George Soros. Ndërkohë, portali rusë, ‘regnum.ru’ ka pasqyruar çdo deklaratë të Ilir Metës gjatë dy muajve të fundit. Por ndryshe nga takimi i parashikuar me Bashën, Zyrtari i Lartë i DASH, të paktën nga axhenda e bërë publike, nuk ka parashikuar një takim me Ilir Metën.

Realstory.al mësoi se të paktën deri paraditen e të mërkurës, nuk është parashikuar një takim midis David Kostelancik dhe Ilir Metës. Nuk dihet ende pse Zyrtari i DASH, që ka parashikuar takime me drejtuesit kryesor politikë në vend, mazhorancës dhe opozitës, ka shmangur një takim me kreun e shtetit. Megjithatë, vlen të kujtohet, se Ilir Meta, prej muajit qershor dhe deri tani, si kreu i shtetit, ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paprecedentë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndikimin e tyre në vendin tonë./Realstory.al/

Stoltenberg: Rusia, tentativa për destabilizim e rajonit. Rama: Protestat, ujë për mullirin rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, doli në konferencë për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës që pati në Tiranë. Jens Stoltenberg u shpreh se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vijojë investimin në bazën ushtarake të Kuçovës, duke theksuar se ky investim nuk do të kushtëzohet nga trazirat politike në vend. Ndërsa u shpreh se ky investim është mënyra më e mirë për të parandaluar konfliktet, ndërsa shtoi se ka informacione se Rusia po bën përpjekje për tu përfshirë në institucionet e vendeve anëtare të NATO-s.

Rusia po bën përpjekje për t’u përfshirë në institucionet tona, duke u përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve anëtare. Trazirat politike dhe tensionet që kemi parë nuk do të ndikojnë si mënyrën si do të realizojmë investimet në bazën e Kuçovës. Për mua kjo është një shembull sesa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe e kundërta”, tha Jens Stoltenberg.

Gjatë fjalës së tij, Rama i pyetur nga media, ka folur edhe për influencën ruse në Shqipëri dhe Ballkan. Duke folur për opozitën, e cila ka paralajmëruar mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datën 30 qershor, Rama tha se ky do të ishte një akt që do të njolloste vendin, si pjesë e NATO-s. Ndërsa, sipas Ramës, nëse këto skenare do të ndodhin, ato do të çonin ujë në mullirin e atyre që nuk duan integrimin e Shqipërisë në BE.

Së pari, nuk është sekret, ose mbase është sekreti më i madh publik, që qasja e Rusisë ndaj BE dhe proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO nuk ka ndodhur, çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore jo vetëm të opzitës, paralajmërojnë dhe përpiqen, dhe mesaduket do të përpiqen që të ndodh këtu”.

“Do të ishte një njoll për vendin tonë si një vend anëtar i NATO. Së treti patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat e NATO dhe BE, dhe si e tillë, me ose padashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e  Ballkanit Perëndimor as në NATO as në Bashkimin e Europian”, tha Rama.

Olta Xhaçka: Rusia po destabilizon Shqipërinë!

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur në konferencën “Sfidat e sigurisë në Ballkan”, ku ka deklaruar se rajoni nuk është imun ndaj influencave të huaja. Xhaçka u shpreh se Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të influencave të huaja. Ajo tha se influenca ruse në rajon ka si synim nxitjen e destabilizimit.

Vite më parë nuk imagjinohej që Rusia të arrinte të kishte influencë në Ballkan. Gjatë këtyre 10 viteve, Shqipëria ka ndihmuar si vend anëtar i BE, e ka konsoliduar statusin e saj për sigurinë. Sot ndihemi më të sigurt ndaj influencave ruse, pas zgjidhjes së emrit të Maqedonisë së Veriut dhe hapave integruese të Malit të Zi. Ka një influencë ruse, e cila nxit destabilizim në vendet tona. Këto aktorë bëjnë përpjekje për të destabilizuar vendin, që shkojnë përmes mediave, që synojnë nxitjen e tensioneve fetare, politike, sociale, në një rast ekstrem, u arrit deri në grusht shteti në një vend kandidat për në BE”.

Sipas Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mënyra më e mirë për të mbajtur larg influencën ruse nga rajoni jonë, është integrimi në Bashkimin Europian dhe bashkëpunim më i ngushtë mes vendeve.

Mirëpo, nëse ne bëhemi bashkë, gjithë Ballkani Perëndimor mund të jetë më i sigurt. Bashkëpunimi dhe shpejtimi i integrimit drejt BE, na bën më të fortë dhe na bën që të mbajmë larg influencat ruse dhe të huaja të padëshiruara. Në Ballkan ka ekzistuar influencë e huaj e padëshiruar. Duhet të punojmë gjithë bashkë që mos lejojmë diçka të tillë”, ka thënë ndër të tjera Olta Xhaçka.

Skip to toolbar