Përballja me COVID-19/ Ilir Meta fjalim në sesionin e 75-të të OKB: Vaksina duhet të jetë e përballueshme për të gjithë

Presidenti Illir Meta ka mbajtur ditën e sotme një fjalim për debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Mes shumë temave kombëtare dhe ndërkombëtare, Meta ceku dhe integrimin europian të Shqipërisë në BE.

FJALA E PLOTË NGA ILIR META

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Sh. T. Z. Ilir Meta
në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

24 shtator 2020

“E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme!
Zoti Sekretar i Përgjithshëm!
Të nderuar delegatë!

Ju lutem më lejoni ta nis fjalën me urimet e ngrohta për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Turqisë, Volkan Bozkir për zgjedhjen e tij në detyrën prestigjioze të Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme!

Zoti President, Shqipëria është e nderuar të shërbejë nën udhëheqjen tuaj si Zëvendëspresident i sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke përfaqësuar Grupin e Evropës Lindore.

Përgjatë këtij sesioni historik ju mund të mbështeteni plotësisht në bashkëpunimin dhe partneritetin tonë.

Zoti President,

Kemi pasur shumë arsye për të qenë krenarë gjatë 75 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Si rezultat i bashkëpunimit global në kuadrin e OKB-së, ia kemi dalë mbanë të parandalojmë shpërthime të mëdha ushtarake dhe të pakësojmë vuajtjet njerëzore.

75-vjetori i Kombeve të Bashkuara shënon një moment historik dhe duhet të shërbejë si një kohë reflektimi se si të forcojmë OKB-në dhe ta bëjmë atë edhe më të efektshme në përballjen dhe zgjidhjen e sfidave të paprecedenta globale, me të cilat përballen sot shoqëritë tona.

Zoti President,
Pandemia Covid-19 ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. Pasojat e saj socialo-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale.

Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Bëhet fjalë për rrezikun që iu kanoset sigurisë ushqimore, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimit ekonomik, ndryshimit të klimës dhe barazisë gjinore, duke përkeqësuar dobësitë ekzistuese dhe duke rritur pabarazitë që ekzistojnë në dhe midis vendeve të ndryshme.

Mënyra se si do të reagojmë dhe do të përgjigjemi ne do të përcaktojë se sa shpejt do të rimëkëmbet bota, si dhe do të formësojë aftësinë tonë për të arritur dhe përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të menaxhuar sfida të tjera globale.

Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.

Pandemia ka theksuar nevojën e njerëzimit për një sistem më të fortë multilateral, bazuar në parimet dhe idealet e mishëruara në Kartën e OKB dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale.

Ne mbështesim fuqimisht në këtë drejtim vizionin dhe axhendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria është e bindur se një Organizatë e reformuar e Kombeve të Bashkuara do të ofrojë një qasje më të integruar dhe gjithëpërshirëse për të realizuar Axhendën 2030 dhe për të qenë të sigurt se askush nuk do të mbetet pas.

Të nderuar delegatë,

Në këto momente kritike ne duhet t’iu përgjigjemi frikës dhe shpresave të njerëzve, të cilëve iu shërbejmë.

Me qëllim që të zbusim kurbën e pandemisë dhe të parandalojmë një krizë ekonomike globale, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit.

Do të dëshiroja të shfrytëzoj këtë rast që të përgëzoja Kombet e Bashkuara për mobilizimin e mbështetjes me pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore në më shumë se 130 vende, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të përshpejtuar kërkimin, gjetjen dhe prodhimin e një vaksine, e cila duhet të jetë e përballueshme financiarisht dhe në dispozicion të gjithë njerëzve në mbarë globin.

Zoti President,

2019 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, sepse u goditëm nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme.

U jemi mirënjohës atyre kombeve mike që na ndihmuan në kohën kur kishim aq shumë nevojë, dhe që na ofruan mbështetje financiare dhe materiale gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme të rindërtimit.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që provoi se ishte një partnere e vërtetë.

Agjencitë e saj u angazhuan qysh nga dita e parë. Ekspertët e shpëtimit dhe të ndihmës iu futën punës menjëherë, duke mbështetur autoritetet tona, së bashku me partnerë nga Evropa dhe vende të tjera.

Më pas u përballëm me goditjen e COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë na është gjendur në krah në çdo hap të rrugës dhe veprimeve që ndërmorëm për ta përballuar këtë pandemi. OKB-ja ka hartuar gjithashtu një plan të përgjigjes socialo-ekonomike për të garantuar një veprim të koordinuar në të gjithë hapësirën e saj dhe një mbështetje të efektshme ndaj masave në rang kombëtar.

Shqipëria po punon fort për të arritur synimin global të Kombeve të Bashkuara për të ulur emetimet e gazrave dhe efektin serë me 45% në dekadën e ardhshme, si dhe për të mundësuar zero emetime deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2016.

Për më tepër, ne kemi miratuar Strategjinë për Ndryshimin e Klimës si dhe Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazrave dhe të efektit serë.

Ndërsa Shqipëria po përpiqet të përdorë plotësisht gjithë potencialin e saj ekonomik, ne i kemi përputhur përparësitë dhe objektivat tona kombëtare me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Objektiva shumë të rëndësishme të kësaj Strategjie janë mbrojtja e bashkësive rome dhe egjiptiane, e personave me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera potencialisht të të pambrojtura dhe të margjinalizuara.

Kemi shënuar përparim edhe në drejtim të barazisë gjinore, me rritjen dita-ditës të numrit të grave që punojnë në institucionet shtetërore si dhe në administratën publike.

Zoti President,

Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë nevojave të grupeve më të rrezikuara, veçanërisht atyre të të rinjve. Efektet ekonomike që rezultojnë nga pandemia do të çojnë në rritjen e numrit të të rinjve të papunë, duke i shtyrë ata të largohen nga vendi i tyre i origjinës.

Padyshim që ky është një kërcënim global, që prek veçanërisht vendet me ekonomi të dobëta.

Të nderuar delegatë,

Kryesia e Radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020 është një tregues i prekshëm i angazhimit tonë të palëkundur për të promovuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes dialogut dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në një kohë kur po përjetojmë rritjen e tensioneve dhe polarizimit.

Në cilësinë e saj si Kryetare e Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka mbështetur fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global.

Me qëllim vijimin e angazhimit aktiv në dobi të stabilitetit dhe të sigurisë, Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2022-2023.

Shqipëria beson fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale. Ne do të ofrojmë një kontribut proaktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes përvojës sonë rajonale, si një faktor kryesor paqeje, stabiliteti dhe sigurie.

Do të ushtrojmë një qasje aktive, konstruktive dhe të matur, si dhe do të veprojmë me përgjegjësi për të forcuar multilateralizmin përmes partneriteteve dhe bashkëpunimit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjitha shteteve të nderuara të Asamblesë së Përgjithshme që të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë për në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.

Zoti President,

Në zhvillimet e sotme të ndërlikuara dhe të ndërlidhura globale, vende modeste si Shqipëria nuk priten të konkurrojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale.

Ato mund të kontribuojnë duke e pasuruar botën me gjithçka që kanë më të çmuar: me identitetin, historinë, kulturën, traditat dhe vlerat e tyre.

Njëra prej traditave që vlerësojmë dhe çmojmë më tepër është harmonia e rrallë ndërfetare që mbizotëron në Shqipëri.

Megjithëse shqiptarët tradicionalisht u përkasin besimeve të ndryshme fetare, ata kanë jetuar paqësisht krah për krah me njëri tjetrin që nga kohë që nuk mbahen mend. Kur vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, Papa Françesku e cilësoi atë si “vëllazëria fetare”.

Në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së ne organizuam vjet në Shqipëri një konferencë rajonale, me temë “Feja si instrument për paqen”, me synimin për ta çuar përpara lirinë e fesë si një çështje themelore e të drejtave të njeriut.

Kjo trashëgimi e çmuar e tolerancës ndërfetare dhe kulturore përcakton se cilët jemi ne si komb. Historia e jashtëzakonshme se si shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit është një tregues dhe shprehje e jashtëzakonshme e frymës sonë të tolerancës, dhembshurisë dhe respektit ndaj të tjerëve.

Shqipëria është krenare që i ofron botës mbarë një mesazh të bashkëjetesës dhe dialogut midis feve të ndryshme.

Është një mesazh që mund të shërbejë si një antidot i fuqishëm kundër rritjes së intolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm që minojnë paqen dhe sigurinë.

Të nderuar delegatë,

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë.

Në fillim të këtij viti mirëpritëm vendimin politik të Këshillit të BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na duhet të përmbushim standardet e kërkuara para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ky proces kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra me vendosmëri nga qeveria, që do të na çojë drejt reformave të mirëfillta dhe të qëndrueshme.

Ky angazhim i ripërtërirë pritet të prodhojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve kryesore që lidhen me funksionimin demokratik dhe me sundimin e ligjit, të cilat duhet të pasqyrojnë konsensusin politik ndërpartiak dhe t’i shërbejnë njëkohësisht stabilitetit të përgjithshëm të vendit tonë.

Ne ua kemi shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për ndihmesën që na dhanë për t’u rimëkëmbur nga tërmeti që na goditi si dhe nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Shqipëria vazhdon të jetë plotësisht në një linjë me politikën e jashtme të BE-së në rajon, duke u krenuar me aleancën tonë të fuqishme evropiane dhe euro-atlantike të vlerave të përbashkëta.

Zoti President,

Shqipëria është mëse e vetëdijshme edhe për detyrimet e saj si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake, nën drejtimin e OKB-së, BE-së dhe të NATO-s, në operacione të ndryshme paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali dhe Afganistan.

Qëllimi dhe interesi ynë kryesor janë të sigurojmë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.

Rajoni ynë ka një histori tragjike diktaturash, shtypjesh të popujve dhe konfliktesh ushtarake. Pavarësisht trashëgimisë së vështirë që ende e përndjek rajonin tonë, gjatë dy dekadave të fundit është shënuar një përparim i rëndësishëm, kryesisht falë ciklit të reformave të ndërmarra në kuadër të proceseve të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Inkurajojmë dhe mirëpresim faktin se faktori shqiptar vazhdon të mbështesë kursin evropian dhe euro-atlantik në të gjithë rajonin, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal dhe pronësinë në hartimin dhe realizimin e projekteve ambicioze.

Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sot Kosova është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale.

Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

Në përfundim Zoti President, do të dëshiroja të ripohoja edhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij. Ne, shtetet anëtare, duhet të përmbushim pjesën që na takon dhe të luajmë rolin tonë për zbatimin, respektimin dhe forcimin e sistemit shumëpalësh në mënyrë që të përfitojmë nga ai.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, Balla: Kuvendi prej vitesh ka shërbyer si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë në procesin e integrimit

U mbajt sot mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE).

Takimit kishte në fokus “Progresin e realizuar dhe sfidat në kuadër të Kriterit Politik, Kapitullit 23 me fokusin në 15 pikat e Vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian të datës 25 Mars 2020 për hapjen e negociatave”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla tha se Shqipëria ndodhet në prag të publikimit të raportit nga Komisioni Europian dhe po ashtu te marrjes së vendimit për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Sipas Ballës, Plani i Masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE-së ne mars te ketij viti duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha institucionet e përfshira, të cilat do të duhen të raportojnë në Parlament në lidhje me punën e bërë në drejtim të realizimit të detyrave të lëna.

Fjala e plotë e Taulant Ballës:

Jam veçanërisht falenderues për takimin e sotëm për shkak të momentumit në të cilin ndodhet Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Jemi në prag të publikimit të raportit nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe po ashtu te marrjes së vendimit për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ketij keshilli I takon te percjelle nje mesazh që Shqiperia vazhdon të jetë i ankoruar në projektin historik, pikërisht atë të integrimit në familjen evropiane. Dhe Kjo vendosmëri duhet të shoqërohet me një vetëdije të fortë në lidhje me sfidat që na presim dhe qe ne te gjithe ketu duhet të jemi gati për ti përmbushur per sektorin qe mbulojme.

Në linjë me këtë angazhim jemi mbledhur sot për t’u njohur me progresin e bërë në kapitullin 23 e cila do të detajohet imtesisht nga Ministrja e Drejtësisë. Kapitulli 23 së bashku me kapitullin 24 kanë një rëndësi të veçantë dhe jane determinante për të përcaktuar përparimin e një vendi në rrugëtimin evropian nese marrim nje tabele krahasuese me vende te tjera te angazhuar ne kete proces. Për këtë qëllim duke pasur parasysh rolin e KKIE-s si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian synojmë që për tematika vendimtare si kjo e sotmja të rritet transparenca dhe llogaridhënia në vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse.

Të njëjtin synim ka edhe dokumenti për të cilin jeni ftuar të gjithe se bashku te diskutojnë dhe për të cilin do të kërkoja vëmendjen e anëtarëve të këtij Këshilli për shkak se kontributi i tyre ka qenë i vyer dhe i pazëvendësueshëm në arritjen e këtij version përfundimtar të Planit të Masave që kemi sot.

Realisht jo per subjektivizëm gjej rastin per tju falenderoj per sugjerimet e te gjithe institucioneve qe kane kontribuar. I referohem pikërisht komenteve të ardhura pas diskutimit të projekt-Planit të Veprimit, më 9 qershor 2020, në një mbledhje të zgjeruar të këtij Këshillit ku ishin të pranishëm te gjithe drejtuesit e shtetit Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile etj. Plani i Masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE-së ne mars te ketij viti duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha institucionet e përfshira të cilat do të duhen të raportojnë në Parlament në lidhje me punën e bërë në drejtim të realizimit të detyrave të lëna.

Për këtë qëllim më lejoni të vendos theksin në rolin parësor dhe të pazëvendësueshëm të Kuvendit te Shqiperisë në monitorimin e aktivitetit të strukturave shtetërore në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit. E theksova edhe e rithem sa herë më jepet mundësia në këtë Këshill, në një moment historik në të cilin ndodhet vendi, Kuvendi duhet të marrë rolin që i takon të kontrolluesit dhe të monitoruesit të institucioneve të tjera për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit.

Përpos kësaj, Kuvendi prej vitesh ka shërbyer si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë në procesin e integrimit dhe KKIE është një shprehje e këtij roli. Inkurajoj që në këtë faze sa historike po aq edhe sfiduese edhe delikate për vendin të nxisim zhvillimin e takimeve intensive në kuadër të KKIE apo edhe të Komisionit të Integrimit Evropian qe drejtohet po ashtu nga zonja Hajdari, për të përmushur detyrimin tonë ligjor në raport me procesin e integrimit. Kuvendi do të monitorojë zbatimin e Planit të Veprimit, duke inkurajuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe atyre të pavarura për të përparuar në kërkesat e vendosura nga Këshilli me synim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Do te ishte mire qe secili prej institucioneve te shikonte mire planin sepse ka afate te mirepercaktuara.
Ky monitorim do të bazohet ne raportimin periodik nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e masave të Planit.
Pavarësisht kësaj, siç mund të kuptohet edhe nga një analizë sipërfaqësore e planit të masave, përparësitë dhe institucionet përgjegjëse shkojnë përtej vullnetit të qeverisë apo aftësive monitoruese të Kuvendit. Integrimi Evropian është një rrugëtim kompleks që kërkon bashkërendimin e shumë aktorëve- qeverisë, Kuvendit, institucioneve të gjyqësorit, partitë politike, shoqërisë civile e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nuk mund të pretendojmë dhe më lejoni ta theksoj që është një qasje totalisht e gabuar nëse do të mendonim që vullneti i qeverisë apo vetëm i maxhorancës (nëse doni) do të ishte i mjaftueshëm. Në këtë rrugëtim duhet të jemi sëbashku për të mundësuar avancimin sa më të shpejtë dhe të sigurtë në procesin e integrimit të vendit.

Rama në Berlin, DW: Shqipëria nuk e ka të sigurt, se do të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në

Burime të Deutsche Welles bëjnë të ditur se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndodhet për një vizitë dyditore në Gjermani. Ai është takuar të enjten, 17.09.20 në mbrëmje, në një darkë me një grup parlamentarësh nga Bundestagu Gjerman. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Shoqatës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.

Sipas qarqeve ne Berlin, Rama ndodhet në Gjermani për të lobuar te grupi parlamentar më i madh në Bundestag, CDU/CSU, për t’i dhënë Shqipërisë po-në e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE–në. Por siç mësoi DW nga qarqet parlamentare pranë CDU/CSU, në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum. 

Ende shumë punë

Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar të enjten, me 17.09., si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”,  ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes së për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakordësuar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri.

“Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë te hapja e konferencës së parë ndërqeveritare”, thonë skeptikët në Berlin.

Nuk takohet me kancelaren

Kohët e fundit Shqipëria është lëvduar nga qeveria gjermane për angazhimin e saj për të ndërmjetësuar në konfliktin e Bjellorusisë. Por, ndryshe nga ç’ishte raportuar më parë nga disa mediume të Tiranës. Rama nuk ka pasur takim me kancelaren Angela Merkel, i thanë DW-së burime diplomatike nga Berlini. Sipas burimeve të DW, në mesditë, Edi Rama do të niset për Bavari. /DW

“I zhgënjyer që s’u hapën negociatat”, Sassoli: Do punojmë së bashku

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli shprehet i zhgënjyer për vendimin e Komisionit Europian për të shtyrë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por thekson se tani është koha e duhur që të flitet për aspiratat europaine të këtyre dy vendeve. Më 28 janar do të mbahet në Bruksel samiti për Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të drejtuar nga David Sassoli do të flasin lidhur me perspektivën europiane të vendeve të tyre.

Në këtë samit do të marrin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Mezi pres t’i mirëpres përfaqësuesit nga Ballkani Perëndimor në Parlamentin Evropian. Kjo shtëpi ka qenë gjithmonë e përkushtuar në mënyrë të vendosur në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Dihet që ne ishim shumë të zhgënjyer nga dështimi i Këshillit Evropian për të filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tetorin e kaluar. Tani është koha të ecim së bashku dhe të vazhdojmë të përparojmë. Parlamentet janë thelbësore në këtë drejtim. Unë e kam thirrur këtë Samit për të zhvilluar një strategji për rolin që parlamentet mund të luajnë në drejtimin e axhendës së reformës së BE-së dhe në dhënien e masave konkrete për të përmbushur aspiratat evropiane të njerëzve të Ballkanit Perëndimor. Jam i bindur se nuk ka kohë dhe vend më të mirë për ta bërë këtë“, tha Sassoli.

“Bild”: Basha përdori 675 mijë euro nga Rusia, kundër integrimit të Shqipërisë në BE

Gazeta gjermane “Bild”, që gjatë vitit të kaluar publikoi disa përgjime që ngrinin dyshime mbi blerjen e votës në Shqipëri, këtë fillim viti ka publikuar një artikull, ku ngre një tjetër dyshim. “Bild”, i ka kushtuar një artikull çështjes më të bujshme të lobimit të partive shqiptare në SHBA, asaj të Partisë Demokratike që dyshohet se përdori para nga rusia për lobim. Titulli i shkrimit të “Bild”, që e ka shpërndarë deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, është: “A qëndron Rusia pas fushatës kundër anëtarësimit në BE?”. Shkrimi hapet me një koment rreth përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sipas artikullit të “Bild”, “Edi Rama ende shpreson të udhëheqë vendin e tij drejt BE. Në vendin e tij, megjithatë, ai gjithashtu ka rezistencë. Opozita shqiptare, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH), po përpiqet me të gjitha forcat të rrëzojë kryeministrin socialist. Përdoren jo vetëm mjete demokratike: Fushatat e dyshimta në internet, dokumentet e nxjerra dhe regjistrimet komprometuese janë shpërndarë qëllimisht. Me sa duket është një nga lobistët më me ndikim në botë”, thuhet në komentin e “Bild”.

Por, para se të vijohet më tej, nga ky paragraf hidhet pak dritë, ndoshta edhe mbi përgjimet për blerjen e votës, që vetë kjo gazetë publikoi një vit më parë. “Bild” thotë se “Opozita shqiptare, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH), po përpiqet me të gjitha forcat të rrëzojë kryeministrin socialist. Përdoren jo vetëm mjete demokratike: Fushatat e dyshimta në internet, dokumentet e nxjerra dhe regjistrimet komprometuese janë shpërndarë qëllimisht”, duke lënë të kuptohet se edhe përgjigjmet për zgjedhjet u servirën nga Partia Demokratike për gazetën gjermane, ndonëse kjo nuk u pranua asnjëherë zyrtarisht. Megjithatë, kjo duket një tjetër temë diskutimi. Lidhur me lobimin e PD me para nga Rusia në SHBA, ngre dyshime se 675 mijë eurot nga Rusia janë përdorur kundër integrimit të Shqipërisë në BE.

“Rrjetet e Muzin shtrihen përtej të gjitha kufijve dhe në një larmi sistemesh politike. Lista e klientëve të lidhur me të është ‘mbresëlënëse’. Ai mbështeti republikanët George W. Bush, Ted Cruz, John McCain dhe madje edhe Donald Trump në fushatën zgjedhore në SHBA. Në 2017 ai u punësua nga vendi i Gjirit Persik, Katarit. Në emër të Emirit, ai do të përmirësonte marrëdhëniet e vendit arab me delegacionin Trump dhe me komunitetin hebre në Shtetet e Bashkuara. Misioni dështoi. Për shkak se Muzin nuk u regjistrua në agjencinë e Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara FARA si këshilltar i një shteti të huaj, atij iu desh të hiqte dorë nga Katari. Ndërkohë, klienti tjetër: Opozita shqiptare, e cila dëshiron të parandalojë pranimin e Shqipërisë në BE nën kryeministrin aktual me të gjitha forcat – dhe kostoja e përdorimit të Muzin padyshim që kushton shumë. 675,000 euro për përdorim anti-BE”, thotë gazeta gjermane, “Bild”.

Më tej, “Bild” shkruan rreth kontratës së lobimit të nënshkruar nga Lulzim Basha dhe Nik Muzin. Gazeta gjermane, tregon edhe se nga kanë ardhur paratë e lobimit. “Sipas dokumenteve nga agjensia amerikane FARA, Muzin duhej të merrte 675,000 euro për misionin e tij tremujor. Informacioni vjen nga vetë ai. Shuma e tarifës dhe origjina e parave tani e vënë klientin në vështirësi. Lulzim Basha, drejtuesi i Partisë Demokratike Shqiptare, kishte nënshkruar kontratën me Muzin. Një tarifë prej 25,000 dollarë ishte rënë dakord tre herë. Sidoqoftë, shumë më tepër u paguan. Për këtë arsye, hetimet ndaj liderit të opozitës Basha filluan në Shqipëri në qershor. Ai vetë mohon se ka shpërdoruar para ose nuk i ka taksuar ato, flet për një fushatë të ndyrë dhe akuzon akuzuesit se janë të korruptuar.

Po nga kanë ardhur paratë për Muzin?

Muzin vetë konfirmoi pagesën e fondeve për autoritetin amerikan FARA. Në një raport të mëvonshëm FARA, kompania që u shfaq si klient ishte një kompani që ndan kutinë e saj të postës në Rrugën St. Vincent në Edinburgh, Skoci me 1200 ndërmarrje të tjera: Biniatta Trade LP. Gjurmët e Tregtisë Biniatta çojnë diku nëpër botë: nga Skocia përmes Belize-Amerikës së Jugut – dhe prej andej në Rusi.

Përkundër këtij zgjerimi global, kompania ka më pak para se çdo fillim biznesi: Sipas regjistrit britanik të biznesit, Biniatt Trade ka një kapital aksionesh prej 100 £. Ajo që revista amerikane “Mother Jones” zbuloi në mes të vitit, sjell PDSH-në shqiptare dhe drejtuesin e saj të opozitës Lulzim Basha për të shpjeguar më tej vështirësitë. Sepse prapa Biniatta Trade është një rrjet i ndërmarrjeve të mbivendosur – në fund të të cilit ka disa njerëz me ndikim të biznesit nga Rusia. Njëri prej tyre është Evgeny Sheremetyev. Ai zotëron aksione në disa kompani ruse.

Të paktën njëri prej tyre merr urdhra nga qeveria ruse. Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, është një provë e qartë që Rusia është prapa përpjekjeve të lobistit të lartë Nick Muzin. Në fakt, Rusia ka pak interes për afrimin e Shqipërisë me BE. Pranimi do të dobësonte më tej ndikimin e rusëve në Ballkan. Në një deklaratë zyrtare, Partia Demokratike Shqiptare tha: “Partia Demokratike nuk ka pasur lidhje direkte ose indirekte me individë ose kompani ruse”. Një deklaratë që, duke pasur parasysh lidhjet e dokumentuara midis PDSH-së, lobistit më të lartë dhe biznesmenëve rus, nuk është shumë ndriçuese”, përfundon shkrimi i “Bild”. Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, hetimet e lobimit me para ruse të Bashës në SHBA, u mbyllën nga Gjykata e Tiranës. Ajo e shpalli kryedemokratin të pafajshëm, por socialistët kërkojnë që hetimet të rihapen për të zbardhur të vërtetën e kësaj dosje./Realstory.al/

Ambasadori i parë i SHBA në Tiranë: Mos lini reformat nga zemërimi me BE

Diplomati amerikan Christopher Hill inkurajon politikën shqiptare që të vijojë punën me reformat për plotësimin sa më shpjet të kushteve në mënyrë që të ecet para me integrimin. Hill, i cili ka qenë dhe ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, tha se pavarësisht zhgënjimit për mos hapjen e negociatave, autoritetet të lënë pas zemëratën dhe të vijojnë rrugën e reformave.

“Sa i përket negociatave ka njëfarë zhgënjimi por kjo gjë nuk të çon përpara. Duhet të mbledhim veten dhe të ecim para me realizimin e reformave. Duhet të lihet zemerata dhe të fillohet puna. Nuk po ju kërkohet të realizoni asgjë që nuk ju vlen juve”, tha Hill, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në samitin e Paqes të Evropës Juglindore.

Në lidhje me Mini-Shengenin, Hill tha se dëshironte që kjo rritje e lëvizshmërisë të mos bllokonte marrëveshje më të mëdha. “Sa i përket mini-shengenit ballkanik, unë do të doja të shihja marrëveshje që rrisin lëvizshmërinë, nuk do të doja të shihja një marrëveshje që rritë lëvizshmërinë por ndalon marrëveshje më të gjera dhe më të mëdha.” tha Hill

Për sa i përket ndikimit rus në Ballkan, diplomati amerikan tha se duhet treguar kujdes në disa çështje, por nuk ka shqetësime të rritjes së ndikimit të saj në rajon. “Nuk kam shqetësime për atë qe do te jetë e ardhmja” tha Hill pasi “Ballkani do të jetë i integruar në BE dhe NATO.”

Athina Zyrtare: Integrimi Ballkanit, i nevojshëm për stabilitetin e rajonit

Ministria e Jashtme e Greqisë citon se perspektiva europiane  e  Ballkanit Perëndimor është jetik dhe i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Këtë reagim Athina Zyrtare e bëri pas vendimit të Këshillit të Europës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se vendet të fokusohen tek zhvillimi i reformave në mënyrë që afrimi me BE të jetë edhe më i shpejtë dje pa kundërshtime nga vendet anëtare. Greqia, thuhet në deklaratë, mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kjo perspektivë  europiane u hap në samitin e BE-së të zhvilluar në Selanik në 2003 dhe të cilën Greqia e mbështeti me të gjitha forcat si rruga për konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Ky qëndrim mbetet një nga pikat konstante kryesore të politikës së jashtme greke. Greqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e bëra nga vendet e rajonit për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në familjen tonë europiane. Për të arritur këtë qëllim, ne i inkurajojmë këto vende që të qëndrojnë të përkushtuara në rrugën e reformave, të cilat mund të kenë vetëm një efekt pozitiv në qasjen e tyre ndaj Bashkimit Europian dhe në jetën e qytetarëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku për të realizuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, për të mirën e rajonit dhe vetë Europës”, thuhet në deklaratë.

Negociatat, Ministri grek: Kushti i Mitsotakis për Ramën

Respektimi i të drejtave të minoriteti grek, vetëdeklarimi i tyre dhe e drejta për pronat janë disa nga çështjet që u diskutuan gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij grek Mitsotakis në SHBA gjatë asamblesë së OKB-së. Pas këtij takimi, Greqi doli hapur duke deklaruar “pro” integrimit të Shqipërisë, por më herët Mitsotakis tha se “nëse Shqipëria kërkon një ‘po’ nga Greqi duhet të respektojë të drejtat e minoriteti grek.” I njëjti kusht duket se është kërkuar nga ai edhe gjatë takimit me Ramën. Kështu bëri të ditur Ministri i Jashtëm grek, Nikos Denidas gjatë një interviste për mediat në Athinë. Ministri grek deklaroi se ky kusht nuk ka të bëjë me diferencat mes Shqipërisë dhe Greqisë, por me respektimin e të drejtave të njeriut

Ne do të dëshironim që të dy vendet të ecnin përpara, ky është realiteti, ky është interesi i tyre dhe në të njëjtën kohë, interesi i Greqisë dhe BE-së. Por ata duhet të plotësojnë kushtet. Mitsotakis u takua me z. Rama në New York, ku unë gjithashtu isha i pranishëm dhe i tha qartë: Vetëdeklarim për minoritetin grek. Ky nuk është pretendimi i Greqisë kundër Shqipërisë, por është një e drejtë themelore e njeriut. A mund të thotë dikush “Jo ti nuk je” kur ti mendon se i përket pakicës greke? Mitsotakis foli qartë me zotin Rama edhe për pronat. Këto gjëra nuk kanë asnjë lidhje me diferencat mes Greqisë dhe Shqipërisë, ato kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut dhe ligjit evropian. Në rast vështirësish, pala greke është e gatshme t’u ofrojë atyre ndihmë dhe ekspertizë, po ashtu dhe BE.” –tha Denidas

Ministri Denidas tha se Greqia nuk dëshiron të shkaktojë probleme për Shqipërinë, por thjeshtë kërkon respektimin e ligjit, që është edhe në interes të shoqërisë shqiptare.

Pala shqiptare ofroi një kompromis me ne, por ai nuk mjafton. Dhe po e përsëris, jo sepse duam t’i detyrojmë. Dhe e them këtë sepse nuk dua që shqiptarët të mendojnë se Greqia u shkakton atyre probleme, por sepse është në interes të shoqërisë shqiptare. Shqipëria, qeveria, duhet të afrohet me pakicën greke, ata në fund të fundit janë qytetarët e saj.”u shpreh ministri i jashtëm grek.

Gjermania: Integrimi i Shqipërisë sa më shpejtë, të parandalojmë influencat e tjera në rajon

Gjermania është shprehur gjithmonë pro zgjerimit dhe përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Qëndrimi i Merkelit, është theksuar edhe njëherë nga ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili u shpreh me nota pozitive për integrimin e Shqipërisë dhe domosdoshmërisë për ta bërë sa më shpejt të jetë e mundur.

 “Mendoj se BE ka interes në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme për të parandaluar të tjerët, të cilët jo domosdoshmërish bien dakord me vlerat tona, nga zgjerimi i influencës së tyre në rajon.” tha Maas duke iu referuar kështu ndikimit rus në Ballkan.

Ministri gjerman madje hodhi poshtë idenë se përpjekjet dhe rezultatet e dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të vlerësoheshin veçmas siç ishte sugjeruar. Përkundrazi ai tha se të dy vendet kanë punuar shumë dhe gjithmonë janë trajtuar si një “paketë”. Këto deklarata Maas i bëri në Helsinki të Finlandës në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE, ku ndodhet dhe ministri Cakaj.

Merkel mesazh skeptikëve të BE: Europa nuk është e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor

Kancelarja gjermane Angela Merkel riafirmon përkushtimin dhe vendosmërinë e saj për zgjerimin e Bashkimit Europian. Merkel tha se “Europa do të bashkohet vërtet kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE” duke u dhënë një mesazh të qartë të gjitha vendeve në BE që janë skeptik ndaj zgjerimit të unionit duke përfshirë këtu edhe presidentin francez, Macron.

Nëse i shikoni gjërat gjeostrategjike, por edhe hartën, atëherë do të ketë vetëm një Evropë të bashkuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Merkel

Këto komente Merkel i bëri gjatë një aktiviteti të hënën ku shënohej 30-vjetori i piknikut paneuropian, një ngjarje e vlerësuar si një moment kryesor në rënien e Perdes së Hekurt dhe në bashkimin e Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Ky është një sinjal pozitiv për Shqipërinë, e cila pret që në tetor të vendoset për hapjen ose jo të negociatave. Aktualisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi janë vende kandidatë zyrtarë për anëtarësimin në BE, ndërsa Bosnja-Hercegovina dhe Kosova klasifikohen si “kandidatët e mundshëm”.

Skip to toolbar