Hidi bëhet “sulmues”, Bylis thyen Kukësin

Bylis ka befasuar Kukësin në Ballsh, pasi ka fituar me rezultatin 2-1 përpara tifozerisë së tij. Skuadra mallakastriote nuk e ka nisur mirë takimin, pasi Kukësi ka kaluar në avantazh me Limaj në minutën e  16-të të sfidës. Futbollisti i Kukësit realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, duke mposhtur portierin Isli Hidi. Megjithatë, vetëm pas 15-të minutash lojë, ka ardhur goli i barazimit për vendasit.

Bylis fitoi një penallti në minutën e 31-të të sfidës, ndërsa gjuajtjen e mori përsipër Isli Hidi. Portieri i mallakastriotëve gjuajti dhe shënoi nga pika e bardhë e penalltisë duke vendosur barazimin në fushë. Me këtë rezultat do të mbyllej  pjesa e parë. Në të dytën, Kukësi kërkon avantazhin disa herë, por sulmi gjen vështirësi në depërtimin e  mbrojtjes së Bylis. Ndërsa po mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Bylis bën surprizën.

Kapiteni Murataj gjuan në të 89` nga jashtë zone, ndërsa Guindo shkon drejt portës dhe devijon në portë me thembër. 2-1 për Bylisin, që me fitoren e të dielës shkon në kuotën e 7-të pikëve dhe mban vendin e katërt, me po aq pikë së kukësi, që zbret në vendin e tretë. Kjo është fitorja e dytë radhazi për Bylisin, që bëri të njëjtën gjë edhe ndaj Skënderbeut, duke rezultuar deri më tani, surpriza e kampionatit.

Bylis me ambicie në Superligë, merr Isli Hidin për portën

Bylis është rikthyer në Superligë pas disa sezonesh mungesë. Skuadra mallakastriote ka rritur ambiciet me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, pasi pretendon të mos jetë kalimtare në Superiore. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur përforcimet në skuadër, duke afruar në ekip futbollist cilësor.

Një prej tyre është Isli Hidi, ish-portieri i kombëtares që sezonin e shkuar mbrojti portën e Teutës. Hidi është prezantuar këtë të mërkurë në zyrat e klubit ballshiot, duke iu bashkuar grupit të lojtarëve, në pritje të nisjes të sezonit. Më herët, Isli Hidi ka luajtur me ekipin e Bylis, duke u bërë një nga idhujt e tifozëve mallakastriot.

Pak ditë më parë, Bylis prezantoi dhe një tjetër lojtar me eksperiencë, Ditmar Bicaj. Ai pritet t`i japë shumë siguri repartit të prapavijës në skuadrën ballshiote gjatë sezonit në Superligë.

Ndërkohë, deri tani, Bylis ka dhënë shenja pozitive, pasi në testin e fundit miqësor, fitoi 3-1 ndaj Skënderbeut, duke bindur drejtuesit e skuadrës. Deri në nisjen e kampionatit, skuadrës pritet t`i bashkohen të tjerë futbollistë të cilët do të luftojnë për të përmbushur objektivat e sezonit.

Skip to toolbar