Hidi bëhet “sulmues”, Bylis thyen Kukësin

SPORT


Bylis ka befasuar Kukësin në Ballsh, pasi ka fituar me rezultatin 2-1 përpara tifozerisë së tij. Skuadra mallakastriote nuk e ka nisur mirë takimin, pasi Kukësi ka kaluar në avantazh me Limaj në minutën e  16-të të sfidës. Futbollisti i Kukësit realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, duke mposhtur portierin Isli Hidi. Megjithatë, vetëm pas 15-të minutash lojë, ka ardhur goli i barazimit për vendasit.

Bylis fitoi një penallti në minutën e 31-të të sfidës, ndërsa gjuajtjen e mori përsipër Isli Hidi. Portieri i mallakastriotëve gjuajti dhe shënoi nga pika e bardhë e penalltisë duke vendosur barazimin në fushë. Me këtë rezultat do të mbyllej  pjesa e parë. Në të dytën, Kukësi kërkon avantazhin disa herë, por sulmi gjen vështirësi në depërtimin e  mbrojtjes së Bylis. Ndërsa po mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Bylis bën surprizën.


Kapiteni Murataj gjuan në të 89` nga jashtë zone, ndërsa Guindo shkon drejt portës dhe devijon në portë me thembër. 2-1 për Bylisin, që me fitoren e të dielës shkon në kuotën e 7-të pikëve dhe mban vendin e katërt, me po aq pikë së kukësi, që zbret në vendin e tretë. Kjo është fitorja e dytë radhazi për Bylisin, që bëri të njëjtën gjë edhe ndaj Skënderbeut, duke rezultuar deri më tani, surpriza e kampionatit.




Skip to toolbar