Kërkohej prej 4 vitesh, shqiptari arrestohet duke pushuar me të dashurën

Një shqiptar i kërkuar nga drejtësia italiane prej 4 vitesh është kapur gjatë pushimeve që po kalonte me të dashurën e tij.

Policia italiane ka arrestuar shtetasin shqiptar B.A. në një hotel ku po pushonte së bashku me të dashurën. Shqiptari akuzohet për vjedhje, tregtim droge dhe plaçkitje, ndërsa kërkohej nga drejtësia italiane që prej 2015. Veprimtarinë e tij kriminale e ushtronte në Milano dhe policia italiane kishte humbur gjurmët e tij.

Shqiptari mendonte se 4 vite do të mjaftonin që ai të harrohej, por ai u gjurmua nga kartat e përdoruara në hotelet në të cilat pushonte.

Identifikohen dy shqiptarët që humbën jetën në Pontebanna

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Itali në rrugën “Roma” në Villorba ku kanë mbetur të vdekur dy të rinj shqiptar. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit kur një makinë “Volkswagen Golf GTI” me ngjyrë të zezë ka dalë nga rruga dhe është përplasur  me muret e betonit që kufizojnë kantieret e Pedemontana në zonën e Villorbas.

Si pasojë e përplasjes së fortë makina ka përfunduar në një kanal anës rrugës. Menjëherë në vend kanë shkuar në ndihmë kalimtarë të rastit por dy personat që ndodheshin në bord kanë vdekur në vend.

Viktimat janë identifikuar si Dorian Myftaraj, 24 vjeç dhe Rruzhdi Karreci, 35 vjeç punëtor, rezident në Spresiano, me origjinë nga Durrësi.

Itali, përplaset për vdekje 16-vjeçari shqiptar

Një 16-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi është përplasur për vdekje nga një makinë. Trupi i të riut u gjet buzë rrugës, ndërsa në pranga ka rënë shtetasja italiane me iniciale C.S.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Via Vivnale Fasolara, ku i riu shqiptar kishte shkuar me pushime tek motra e tij. Sipas policisë dyshohet se drejtuesen mund ta ketë zënë gjumi në timon duke shkaktuar aksidentin. Gruaja që drejtonte makinën vuante nga sulme paniku dhe është dërguar në spital në gjendje të rënduar.

Aksident i rëndë në Itali, përmbyset makina me 5 shqiptarë, tre në gjendje kritike

Një aksident i rëndë ka ndodhur në kufirin me Casaluce në Itali ku një makinë është përmbysur pasi drejtuesi i saj ka humbur kontrollin. Si pasojë janë plagosur të pesë personat që kanë qenë brenda tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.

Mediat italiane shkruajnë se brenda makinës ishin pesë punëtorë shqiptarë, tre prej të cilëve raportohet se janë në gjendje kritike në spital.

Nuk ka ende nje saktësim per dinamiken e aksidentit, për te cilin nuk përjashtohet edhe një humbje kontrolli nga ana e drejtuesit.

Në vend mbërritën forcat e policisë dhe zjarrfikës, të cilët ndihmuan të nxirrnin të aksidentuarit nga makina.

Bie nga lartësia duke punuar, humb jetën 27-vjeçari

Një shtetas shqiptar ka humbur jetën gjatë kohës që ishte duke punuar në një lartësi prej 10 metrash.

27-vjeçari ishte duke punuar në çati kur papritur shpërtheu flaka dhe ai u rrëzua nga një lartësi prej 10 metrash. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportit të tij me helikopter në spital nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Firence, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të kokainës në Itali, Arbër Cekaj koka e grupit kriminal

Arbër Cekaj është një emër i njohur për policinë shqiptarë i cili akuzohet për trafikun e mbi 600 kg kokainë në Shqipëri përmes bananeve. Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, emri i tij sërish ka dalë në media, por këtë herë nga drejtësia italiane.

Arbër Cekaj dyshohet se është dhe drejtuesi i një grupi kriminal i shkatërruar gjatë të martës në Itali që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Novaras . Gjatë aksionit u arrestuan 19 persona,7 prej tyre janë shqiptarë.

Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2 vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Cekaj ishte kryetari i këtij grupi kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Hetimet kanë nisur dy vite më parë, më 2017 pas arrestimit të shtetasit shqiptar  Elton Shano, 38 vjeç me 3 kg kokainë e 1 pistoletë. Pak muaj pas arrestimit ai ka vendosur të bashkëpunoj me forcat e policisë e rrëfimi i tij ka ndihmuar në zbardhjen e një trafiku kokaine që jo vetëm tranzitonte në qytetin e Novarës, por dhe kishte një qendër magazinimi në këtë qytet.

Kokaina e cilësisë së pastër 95% trafikohej nga Kolumbia në Shqipëri e më pas transportohej në Novara. Kokaina furnizonte tregjet e shitjes së saj jo vetëm në Novara, por dhe në Alessandria, Bustio Arsizio, Massa Carrara e Pavia.

Shkatërrohet rrjeti i drogës Shqipëri-Itali, 19 të arrestuar

19 persona kanë rënë në prangat e policisë italiane nën akuzën e trafikimit të drogës dhe veprimit si një organizatë kriminale.

Pas një hetimi 2-vjeçar, të zhvilluar në disa zona të Italisë, si në provincën e Novarës,  Pavia, Varese, Alessandria dhe Massa Carrara, policia ka mundur të sekuestrojë 50 kilogramë kokainë.

Të arrestuarit janë persona me shtetësi të ndryshme, ku përfshihen edhe shqiptarë. Droga vinte nga Shqipëria në drejtim të Italisë së Veriu.  Hetimet kanë nisur që në vitin 2017 duke përfunduar me sukses në 2019 me operacionin e koduar “Contadino”. Gjatë këtyre dy viteve janë arrestuar edhe persona të tjerë që kishin lidhje më këtë rrjet të trafikimit të drogës.

Lëviznin me drogë në makinë, arrestohen 2 shqiptarë

Dy të rinj shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi u kapen me një sasi droge në makinën e tyre. Në makinë ishin 4 të rinj, ndërsa policia u vu në ndjekje të tyre provincën e Casertas, pasi ju bindën urdhrit për të ndaluar.

Me të pikasur policisë të rinjtë janë larguar me shpejtësi dhe kanë braktisur makinën “Opel Corsa” pranë një karburanti. Katër të rinjtë kanë tentuar të ikin me vrap, por dy prej tyre u arritën të kapeshin nga policia.

Konkretisht në pranga u vunë shtetasit Reiz Datja, 20 vjeç dhe Indrit Turshilla, 21 vjeç. Gjatë kontrollit në makinë policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 108 gram marijuanë.

U kapën me 2.6 kg heroinë, arrestohen dy shqiptarë

Dy shtetas shqiptarë kanë përfunduar në pranga nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.  Policia italiane në zonën e Padovas ka kryer një operacion patrullimi duke monitoruar një makinë tip “Kia Sportage”, pas informacioneve të marra se do të kryhej një shkëmbim drogë.

Makina drejtohej nga një shqiptar, i cili ishte në rolin e korrierit. Pasi zbriti nga makina dhe takoi një tjetër person, që mund të ishte klienti, ka shkuar drejt bagazhit dhe mori pakon që ia dha subjektit që e priste. Pikërisht në këtë kohë ka ndërhyrë policia ku gjeti drogën të shpërndarë në pesë pako, secila nga 500 gramë. Të arrestuarit janë dy shqiptarë të moshës 29 vjeç dhe 30 vjeç.

Pas kontrollit policia sekuestroi 2.6 kg heroinë, 207 gramë kokainë dhe 520 euro cash.

Shkatërrohet rrjeti i drogës Shqipëri-Itali, 18 të arrestuar

18 persona, italianë dhe shqiptarë, kanë përfunduar në prangat e policisë italiane nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Grupi i strukturuar kriminal vepronte në të gjithë Italinë, ndërsa rrugët e transportit të drogës ishin të lidhura nga Shqipëria përmes gomoneve që zbarkonin drogën në Puglia.

Bëhet fjalë për një trafik të gjerë kokaine dhe marijuane, ndërsa në operacion u përfshinë 150 efektiv policie në qytete të ndryshme të Italisë Qendrore dhe Veriore.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “outlet”, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me identitetin dhe sasinë e sekuestruar të drogës.

Skip to toolbar