Izet Haxhia nuk është lejuar të shkojë në varrimin e nënës së tij, pasi aprovimi i lejes së tij është bllokuar në Prokurori, pas shkarkimit nga vettingu të prokurorit të çështjes Besnik Muçi. Lajmi është dhënë nga avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri, i cili shkruan se për shkak të katrahurës së ndodhur në institucione, klienti i tij nuk ka mundur të përcjell dot në banesën e fundit nënë e tij.
Sipas avokatit Beqiri, Haxhia kishte marrë leje dhe të gjitha masat e nevojshme nga policia e Burgjeve për të bërë shoqërimin e tij në Tropojë, por kërkesa për dhënien e lejes ka ngecur në prokurori. Beqiri tha se iu drejtuar edhe kreut të SPAK dhe Gjykatës Speciale për lejimin e Izet Haxhisë në varrim, por kishte marrë një përgjigje negative nga të dy “pasi nuk ishin organi kompetent për të dhënë lejen përkatëse.”
“Katrahura në institucionet e drejtësisë nuk lejoi Izet Haxhiaj të merrte pjesë në varrimin e nënës së tij. Sot, në orët e para të mëngjesit ndërroi jetë nëna e Izet Haxhisë, ish badigardit kryesor të ish Presidentit të Republikës, Sali Berisha. Ceremonia mortore ishte caktuar në orën 15.00 të ditës së sotme, në fshatin Babinjë të Tropojës. Për hir të së vërtetës, autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si dhe strukturat e policisë së shtetit dhe ato të burgjeve, në një kohë rekord i morën të gjitha masat për të bërë shoqërimin e të paraburgosurit Izet Haxhiaj për në Tropojë, me qëllim që t’i hidhte një grusht dhe nënës së tij, njeriut më të dashur të jetës.
Mirëpo të drejtën e lejes në këto raste e ka Prokurori. Prokuror i kësaj çështje ishte Besnik Muçi. Meqenëse atë e rrëzoi vettingu, kjo çështje ka mbetur pa prokuror. Avokati i Izet Haxhisë dhe Institucioni i IEVP “Mine Peza” në Tiranë, ju drejtuan SPAK dhe Gjykatës Speciale të Krimeve të Rënda, pasi çështja e Izet Haxhisë u dërgua në këtë Gjykatë për kompetencë. Drejtuesi i SPAK ktheu përgjigjen negative, duke theksuar se nuk është organi kompetent për të dhënë lejen përkatëse, sikurse edhe Gjykata bëri të njëjtën gjë.
Ky është një rast i paprecedent, anti human dhe kundër standardeve të arritura deri më sot, kur dy institucione të rëndësishme të drejtësisë i pasojnë njëra-tjetrës një akt formal, pasi përgjegjësinë vendimtare për shoqërimin pa probleme të të paraburgosurit në këto raste e kanë administrata dhe autoritetet policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat për hir të së vërtetës e përgatitën gjithçka në nivelin më të lartë”, shkruan avokat Idajet Beqiri në Facebook.
Izet Haxhia ndodhet në burg në pritje të gjykimit të tij për akuzat për vrasjen e Azem Hajdarit në 1998. Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për dosjen “Hajdari” dhe e dërgoi për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që Krimet e Rënda vendosën që Haxhia të qëndrojë në burg deri sa të shprehet Gjykata e Lartë, e cila aktualisht është jashtë funksioni.