Megjithë grindjen për klimën, krerët e
shteteve dhe qeverive të vendeve të G20-s kanë rënë dakord për një deklaratë të
përbashkët. Kancelarja gjermane e bëri këtë të ditur në Osaka.
SHBA ka pranuar, që në deklaratën e
përbashkët shtetet e tjera të G20-s të shprehen për forcimin e angazhimit në
mbrojtjen e klimës, tha kancelarja Merkel në Osaka. Do të ketë një “tekst të
përafërt” me samitin kaluar të G20-s në Argjentinë. Ashtu si në Buenos
Aires, 19 nga 20 shtete të G20-s duan të pranojnë Marrëveshjen e Parisit për
Klimën, SHBA i mbetet qëndrimit të saj refuzues.
Në deklaratë theksohet, se detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Parisit janë “të pakthyeshme”, tha Merkel. Sipas kancelares, në deklaratën e përbashkët përmendet edhe migracioni. Synohet një “bashkëpunim i ngushtë” i vendeve anëtare të G20-s me organizatat e OKB-së për politikën e migracionit. “Në këtë kuptim kemi bërë hapa të mirë përpara”, tha Merkel.
Negociata të ashpra
Më parë ndërmjetësuesit e vendeve të
industrializuara dhe në ekspansion kishin negociuar fort për pozicionimin në
deklaratën e samitit për klimën. Europianët nuk duan të lejojnë që deklarata e
samitit të Osakas të jetë një hap pas duke mos arritur as ujditë e samiteve të
mëparshme të G20-s, kanë thënë diplomatët. Ndërmjetësuesit bënë fjalë për “negociata
shumë të vështira” gjatë natës. SHBA ka mbrojtur pozicionin e saj shumë të
ashpër në çështjet e klimës. Por BE ka qenë unike në qëndrimin e saj, se nuk do
të bëjë lëshime për mbrojtjen e klimës.
Sipas të dhënave franceze, SHBA përpiqen të
shkëpusin 3-4 vende nga blloku i vendeve të G20-s, për të mos iu mbetur besnik
detyrimeve të Marrëveshjes së Klimës në Paris, për të arritur një deklaratë më
të dobët në këtë çështje. Fjala është Brazilin, Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Por europianët duan të paktën të ruajnë standardin e dy samiteve të fundit të
G20-s, pra një deklaratë përfundimtare, ku 19 nga 20 vende të G20-s, me
përjashtim të SHBA të pranojnë kushtet e Marrëveshjes së Parisit. Ata duan të
pengojnë që edhe vende të tjera të G20-s të ndjekin rrugën unilaterale të SHBA.
Në instancën e G20-s bëjnë pjesë vende që së
bashku përbëjnë dy të tretat e popullsisë së botës, 80% të produktit të
brendshëm bruto dhe tre të katërtat e tregtisë botërore. Krerët e shteteve dhe
qeverive të G20-s takohen nga kriza financiare e vitit 2008 një herë në vit në
një samit ndërkombëtar./DW/