Negociatat, Hahn: Vendimi merret në tetor, Gjermania kërkon kohë

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn ka prerë shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur negociata në qershor. Gjatë konferencës nga Luksenburgu, Hahn tha se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e raportit të Komisionit Europian, dhe me gjasë vendimmarrja do të shtyhet për muajin tetor. Vendet skeptike si Franca, Holanda, Danimarka por edhe Gjermania, kanë kërkuar më shumë kohë thotë Hahn, ndërsa shton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur kushtet.

Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit, rezultate konkrete do të ketë në muajin tetor. Gjermania ka thënë jo. Ka pasur diskutime për shtyrjen edhe nga Franca, por edhe vende të tjera si Holanda dhe Danimarka. Janë shtete që kanë kërkuar që çështja e negociatave të lidhet me arritjet personale të shteteve. Nuk ka një vendim pozitiv për hapjen e negociatave në këtë kohë, por shpresojmë që në tetor të kemi një vendim përfundimtar të Këshillit të Europës. Shpresoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE.” ka thënë Hahn

Hahn deklaroi se Shqipëria ka bërë progres por koha për të marrë një vendim nuk ka qenë e mjaftueshme dhe se kriza e brendshme e vendit ka njëfarë ndikimi në vendimmarrjen e vendeve skeptike.

Sot në Shqipëri mund të shihni krizën politike dhe mund të shqetësoheni në mënyrë të veçantë lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore, por duhet të bëjmë një dallim me atë që vendosur më herët për Shqipërinë dhe vendimit unanim për 5 prioritetet kyçe të zbatuar nga ky vend, sidomos në Reformën në drejtësi. Nuk mund ta fajësojmë Shqipërinë se prej kësaj reforme janë pezulluar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Është pikërisht ajo që ne kemi kërkuar. Nuk mund ta injorojmë krizën e brendshme e cila ka pasur njëfarë ndikimi te disa vende për vendimin e ditës së sotme, por shpresojmë se deri në Tetor do ketë një ndryshim. Kur flasim për zgjerimin është një proces që zgjat në kohë, çelja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm” – tha Hahn

I pyetur nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të vlerësoheshin veçmas për hapjen e negociatave, Hahn tha se vendimi për këto dy vende do jepet në grup. “Deri tani nuk është ndarë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe vendimi për ta do duhet të merret në grup. Të dy vendet i kanë plotësuar kushtet. Institucionet duan pak më shumë kohë për negociatat si për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Hahn: Dhuna në protesta ndikim negativ në hapjen e negociatave

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn thotë se imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Dhuna e përdorur në protesta ka ndikim të madh tek vendimmarrësit në BE, prandaj duhet treguar shumë kujdes tha Hahn. Megjithatë Hahn theksoi se është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.

DW: Zoti Hahn, në një intervistë të dhënë para ca kohësh e përshkruanit veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri të shtunën shpërtheu zjarri në protestë. Me cilat mjete do të ofroheshit ju për të qetësuar gjendjen?

Johannes Hahn: Unë e thashë këtë atëherë në përgjigje të një pyetjeje për përshkrimin e detyrës sime dhe kjo ka të bëjë edhe me vendet fqinje. Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva evropiane motivi kryesor dhe në këtë drejtim unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar.

A do të ndikojë ky imazh mbi vendimin për negociatat e anëtarësimit?

Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë.

Megjithatë ministri i shtetit, Michael Roth, në një intervistë për Deutsche Welle-n u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor.

Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja duket më premtuese se në Shqipëri. A ekziston mundësia që Maqedonia e Veriut të trajtohet më vete?

Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.

Pra, kjo do të thotë se, nëse Shqipëria nuk arrin të gjejë një kompromis, mund të çelen negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut?

Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.

Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët.

Po grupi parlamentar i CDU/CSU-së ka thënë, se nuk do të arrijë të marrë një vendim që në qershor dhe se në fakt dëshiron ta shtyjë vendimin deri në shtator. E biseduat dhe ju me ta, apo nuk jeni dorëzuar ende dhe po vazhdoni të luftoni që ta sillni çeljen e negociatave në rend të ditës të Këshillit të BE-së qysh në qershor të këtij viti?

Ne në Vjenë kemi një shprehje: Vetëm një letër dorëzohet. Asgjë tjetër. Prandaj edhe unë do të përpiqem deri në momentin e fundit, që të arrijmë një vendim. Ia vlen dhe ua kemi borxh partnerëve tanë që ta mbajmë fjalën, kur ata i përmbushin kushtet që ua kemi vendosur ne mbi bazën e vendimeve të marra njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u fol tashmë gjerë e gjatë. Më 29 maj do të dalin progres-raportet e të gjitha vendeve. Çfarë do të lexojmë aty për vendet e tjera?

Shumë gjëra të mira, por edhe shumë gjëra kritike. Siç ndodh rëndom me progres-raporte. Ka përparime aty këtu, por ka edhe stanjacion. Për shembull, te bisedat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ngrirë prej disa muajsh. Shpresoj se tani do të shkrijnë, jo vetëm për shkak të stinës. Pra, për ta thënë më shkoqur: se së shpejti do të fillojnë bisedimet. Edhe këtu kemi të bëjmë me perspektivën evropiane për të dy vendet dhe një marrëveshje obliguese ndërmjet vendeve është në fund të fundit bazamenti për perspektivën europiane.

Zonja Merkel dhe Zoti Macron kanë nisur një iniciativë për t’i mbështetur këto biseda. Cilat janë mjetet më efektive që ka në dorë Bashkimi Evropian për t’i lëvizur të dyja palët drejt kompromisit?

Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar.

Hyn këtu edhe liberalizimi i vizave?

Nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje. Por sa i përket besueshmërisë, po.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i mendimit se pa SHBA-të nuk do të ketë negociata të suksesshme. E shihni dhe ju kështu?

Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme.

Pyetja e fundit, për ju si “arkitekt” i Ballkanit Perëndimor, nëse më lejohet t’i kthehem edhe njëherë vetëpërshkrimit të përmendur në krye të intervistës. Vitin e kaluar ju e mbështetët idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. E shihni ende si zgjidhje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?

Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur.

“Tani është koha për të finalizuar integrimin e Ballkanit në BE”

Në 15 vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, eurokomisioneri  Johannes Hahn ka postuar një mesazh optimist për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një postim në Twitter, Hahn shkruan se tani është koha që edhe Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së. Sipas tij, historia e suksesit të Europës do të shkruhet kur të bëhen bashkë Bashkimi evropian dhe Ballkani Perëndimor.

“Sot ne festojmë 15-vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizionin e përbashkët: ribashkimin e kontinentit europian dhe mbrojtjen e paqes, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian.

Ky vizion u realizua dhe tani është koha për të hedhur vështrimin përpara dhe për të finalizuar projektin historik të unifikimit të europianëve duke integruar edhe Ballkanin Perëndimor.

Jam i sigurt se, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët, Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor: Jemi më të fortë së bashku”, shkruan Hahn.

Hahn për DW: Ligji i pronave me mangësi, nxitës i disa protestave në Shqipëri

“Problemet me të drejtat e pronës janë në fakt një çështje komplekse dhe e vjetër në Shqipëri!” Kështu e ka nisur intervistën e tij Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn për DW. Hahn tha se ligji për pronat ka shumë mangësi dhe se KE është gjatë gjithë kohës në monitorim dhe trajtimin e situatës, që të jetë në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare.

Komisioni Europian është gjithmonë i hapur dhe në bisedime të vazhdueshme me qeverinë shqiptare për të përcaktuar hapat e ndihmës që kërkohet si në mënyrë financiare ashtu dhe me ekspertë në lidhje me ligjin e të drejtës së pronave, ka thënë Hahn. Lexoni më poshtë intervistën e plotë të Komisionerit Hahn për DW.

DW: Cili është opinioni juaj për situatën në Shqipëri lidhur me të drejtën e pronës? Ju pyes duke patur parasysh që Komisioni Europian ka nxitur, për më shumë se 25 vite, qeveritë në Shqipëri, të sigurojnë ligjërisht të drejtën e pronës. Një seri ligjesh, projektligjesh, vendimesh të qeverisë, në vitet e fundit dhe sivjet ecin në drejtim të kundërt: ato parashikojnë shpronësimin e tokës, që kanë pronarët legjitimë për arsye tregtare në emër të interesit publik. Fjala është për shpronësime që përligjen me zhvillimin e turizmit, ndërtimin e Mega Hoteleve nga privatët, kryesisht në Bregdetin e Jonit. Sa mund të ndikojë kjo situatë në vlerësimin e Shqipërisë nga Komisioni për hapjen e negociatave?

Johannes Hahn: Problemet që kanë të bëjnë me të drejtat e pronës janë në fakt një çështje komplekse dhe e vjetër në Shqipëri, që shkon pas në vite, në kohën e rënies së regjimit komunist. Përmbyllja e sigurisë ligjore dhe qartësia e titujve të pronësisë nuk është arritur ende plotësisht, pavarësisht nga vazhdimi i përpjekjeve për arritjen e tyre. Copëzimi, fragmentarizimi ligjor, zbrazëtitë në sistemin e regjistrimit dhe zbatimin e ligjit në këtë fushë mbeten të adresohen në të gjithë vendin. Komisioni Europian është i vetëdijshëm për shqetësimet ndaj vendimeve të fundit, të miratuara nga Qeveria shqiptare, lidhur me menaxhimin e tokës përgjatë zonës jugore bregdetare dhe vazhdon të angazhohet me autoritetet kompetente në këtë drejtim. Duke pasur parasysh rëndësinë e temës në vend, është vendimtare që çdo masë e mëtejshme të jetë pjesë e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të përshtatet në një plan të strukturuar reformash.

Të drejtat e pronësisë po monitorohen nga BE si pjesë e kuadrit të të drejtave themelore të njeriut. Komisioni Europian po shqyrton mundësitë ta mbështesë Shqipërinë në trajtimin e situatës problematike lidhur me të drejtën e pronës, në linjë me standardet ndërkombëtare.

DW: Cilat hapa mund të ndërmarrë Komisioni Europian për ta bërë mbështetjen e tij financiare për ҫështjen e pronës më efikase se deri tani dhe kontribuar njëherazi edhe në reduktimin e korrupsionit, që ndodh nga shkelja e të drejtës së individit për pronën?

Le të ndalem pak më hollësisht: në Shqipëri situata e pazgjidhur ligjore për pronësinë vijon t’i hapë dyert korrupsionit dhe zotërimit të pasurisë së vendit nga i njëjti grup njerëzish. BE ka dhënë fonde që në Shqipëri të respektohet e drejta e pronës dhe të luftohet korrupsioni në fushën e pronësisë së tokës. Por p.sh. EURALIUS, i financuar nga BE, hartoi verën e kaluar një Draft Raport, ” Mbrojtja e Pronës në Shqipëri”, që edhe sot e kësaj dite, nuk është kthyer në një Raport dhe nuk ka parë dritën e botimit.

Johannes Hahn: Komisioni Europian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në adresimin e çështjeve lidhur me të drejtat e pronës. Duke pasur parasysh kompleksitetin e këtyre çështjeve, mbështetja e mundshme financiare e BE-së do të shoqërohet me një monitorim të plotë të zhvillimeve përkatëse legjislative dhe institucionale që ndikojnë në situatën e të drejtave pronësore në Shqipëri. Për më tepër, Komisioni Europian, gjatë hartimit të mbështetjes së tij, është duke përdorur ekspertizë multidisiplinare për të shqyrtuar kuadrin ligjor, institucional dhe teknik dhe siguruar që mbështetja e tij të jetë komplementare me programet e tjera të donatorëve. Përveç kësaj, Komisioni i jep Shqipërisë mbështetje të konsiderueshme në zbatimin e strategjisë së saj kundër korrupsionit.

DW: A ka vullnet Komisioni Europian të angazhojë ekspertë europianë dhe fonde financiare për të rishikuar gjithë kuadrin ligjor në Shqipëri, që ai të jetë në përputhje me standardet europiane, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtës themelore të pronës?

Johannes Hahn: Kuadri i të drejtave pronësore në Shqipëri mbetet i fragmentarizuar dhe kërkon përpjekje të strukturuara për të adresuar dobësitë e tij ligjore dhe teknike. Komisioni Evropian vazhdon të angazhohet me autoritetet shqiptare për këto çështje dhe të diskutojë mbështetjen financiare të BE-së. Modalitetet e një ndërhyrjeje të tillë ende mbeten për t’u përcaktuar, por drejtimi i aktorëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve me ekspertizat përkatëse po përdoren për të ushqyer procesin e reformave në këtë fushë komplekse.

DW: A e shihni shkeljen e së drejtës së pronës së individit një gjenerator potencial revoltash dhe trazirash në Shqipëri, në një kohë kur nga faktorë të tretë, si psh. Rusia nuk mungojnë përpjekjet për të destabilizuar vendet e rajonit, mes tyre edhe Shqipërinë?

Johannes Hahn: Çështjet e pazgjidhura në këtë fushë kanë një efekt negativ në të drejtën e individit ndaj pronës dhe në gëzimin paqësor të saj, duke përfshirë edhe privimin e mundshëm të pronarëve legjitimë nga prona, toka e tyre. Për më tepër, ato mund të kontribuojnë në një “efekt ngrirës” mbi investimet e aktorëve të biznesit dhe të krijojnë një premisë për informalitetin, duke përdorur vakumet në zbatimin e ligjit. Në këtë drejtim, Komisioni Evropian pohon se konsolidimi i të drejtave pronësore kërkon të drejta të pronës të qëndrueshme, që të funksionojnë mirë në të gjithë vendin, në të cilat të jetë përmbushur parimi i sigurisë ligjore. Ne, inkurajojmë një proces reformimi të mirë kalibruar me përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës dhe nën drejtimin ndërkombëtar.

Hahn për Thaçin: Taksa kundërproduktive, të pezullohet

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johannes Hahn dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi patën një takim në Bruksel. Hahn e konsideroi takimin si të frytshëm dhe këmbëngulën që dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve duhet të rifillojë së shpejti në interes të stabilitetit dhe progresit rajonal.

Në llogarinë e tij Twitter, Hahn përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat e importit të Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja ishin kundërproduktive dhe kërkoi përsëri pezullimin e tyre.

Më parë, Thaçi tha për London Daily The Guardian se një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të normalizuar marrëdhëniet e tyre është e mundur këtë vit, pavarësisht nga pengesat e kohëve të fundit.

“Ne duhet të ulemi edhe me armiqtë tanë të hijes, por pa asnjë parakusht dhe të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin,” citon gazeta.

Skip to toolbar