Duncan Laurence me “Arcade” nga Holanda është fituese e edicionit të radhës të Festivalit Europian të Këngës. Këngëtari holandez pati mbështetjen e gjerë të publikut, votat e të cilit përmbysën dhe pikët e dhëna nga juritë profesioniste të 41 shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të Euro Song, që u mbajt në Izrael.
Holanda e fiton Festivalin Europian të Këngës pas 44 vitesh mungesë. Sakaq në vendin e dytë u rendit Italia me 465 pikë, ndërsa Rusia zuri vendin e tretë me 369 pikë, ndërsa me 9 pikë më pak ishte Zvicra që u rendit e katërta.
Sakaq këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi, që përfaqësonte vendin tonë në këtë edicion të Euro Song me këngën “Ktheju Tokës”, është renditur në vendin e 18-të. Ndonëse më herët ishte vlerësuar për performancën e saj në rrjetet sociale dhe nga sondazhe të ndryshme, juritë profesioniste të shteteve pjesëmarrëse i kanë dhënë shumë pak pikë, vetëm 43.
Nga votimi i publikut këngëtarja shqiptare ka marrë 50 pikë, duke e mbyllur aventurën në Euro Song në vendin e 18-të. Në finalen e madhe të Europianit të Këngës, e ftuara speciale që u ngjit në skenë, ishte këngëtarja Madona, e cila këndoi disa nga klipet e saj më të fundit. Gjatë performancës së saj, këngëtarja me famë botërore pati disa probleme me vokalin, por që nuk e zbehën ekzaltimin e publikut.