Hollanda fiton Eurosong-un, Jonida Maliqi e 18-ta!

Duncan Laurence me “Arcade” nga Holanda është fituese e edicionit të radhës të Festivalit Europian të Këngës. Këngëtari holandez pati mbështetjen e gjerë të publikut, votat e të cilit përmbysën dhe pikët e dhëna nga juritë profesioniste të 41 shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të Euro Song, që u mbajt në Izrael.

Holanda e fiton Festivalin Europian të Këngës pas 44 vitesh mungesë. Sakaq në vendin e dytë u rendit Italia me 465 pikë, ndërsa Rusia zuri vendin e tretë me 369 pikë, ndërsa me 9 pikë më pak ishte Zvicra që u rendit e katërta.

Sakaq këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi, që përfaqësonte vendin tonë në këtë edicion të Euro Song me këngën “Ktheju Tokës”, është renditur në vendin e 18-të. Ndonëse më herët ishte vlerësuar për performancën e saj në rrjetet sociale dhe nga sondazhe të ndryshme, juritë profesioniste të shteteve pjesëmarrëse i kanë dhënë shumë pak pikë, vetëm 43.

Nga votimi i publikut këngëtarja shqiptare ka marrë 50 pikë, duke e mbyllur aventurën në Euro Song në vendin e 18-të. Në finalen e madhe të Europianit të Këngës, e ftuara speciale që u ngjit në skenë, ishte këngëtarja Madona, e cila këndoi disa nga klipet e saj më të fundit. Gjatë performancës së saj, këngëtarja me famë botërore pati disa probleme me vokalin, por që nuk e zbehën ekzaltimin e publikut.

Jonida shkon në finale dhe ka një mesazh për shqiptarët

Megjithëse e shanë për anglishten, Jonida ia doli ta çojë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovizionit dhe pas kësaj ka bërë një status në Instagram, duke dhënë dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët, ata që shkruan mirë, ata që e votuan por edhe për ata që ç’nuk thanë.

 “Shqiponja prek qiellin, sytë dhe këmbët rikthen gjithmonë në tokë!! Nuk kam heshtur asnjë moment në këtë rrugëtim, edhe kur dëgjoja në korr fansat europiane që këndonin shqip #Kthejutokës, edhe kur më nisnin nga Tirana lajme nga më të çuditshmet! Unë bëra dje atë për të cilën marrë frymë, për të cilën edhe erdha në këtë skenë: Këndova!! Jam emocionuar si kurrë më parë me 3 minutat e mia dhe të Shqipërisë, akoma më shumë kur dëgjova: Albania!🇦🇱 Po jetoj ëndrrën time, mbështetja dhe votat tuaja nuk ndalen fluturimin e shqiponjës!! Jemi në finale, por tashmë unë mendoj se kemi fituar, jo vetëm me kualifikimin por edhe me njëri-tjetrin! U bëmë bashkë si kurrë më parë dhe unë për këtë ju jam pafund mirënjohëse!!! Ju dua shumë, shihemi në finale”, shkruan Jonida e cila do të performojë sërish nesër mbrëma në finalen e madhe të Eurovizionit.

Ëndrra vazhdon për Jonida Maliqin, kualifikohet në finale

Jonida Maliqi u kualifikua në natën finale si pjesë e 10 këngëve më të mira të përzgjedhura gjatë gjysmëfinales së dytë.

Me këngën e saj “Ktheju tokës”, Jonida dha një performancë të shkëlqyer vokale në Tel Aviv duke kënduar në gjuhën shqipe. Ajo e tregoi identitetin e saj shqiptar edhe në veshje, ku u shfaq me një fustan shumë të bukur nga stilisti Ardi Asllani me punime folklorike.

Jonida Maliqi ngjitet sonte në skenën e Eurovizionit

Shqipëria do të përfaqësohet sonte në festivalin evropian të muzikës, Eurovizion nga këngëtarja Jonida Maliqi.

Edicioni i 64-t i Eurovisionit zhvillohet në Tel Aviv, Izrael.

Jonida Maliqi do të këndojë sonte në shqip këngën “Ktheju Tokës”, të cilës nuk ka pranuar t’i bëjë version në anglisht. Maliqi do të jetë e 14 në radhë për të kënduar, duke konkurruar për të qenë në finalen e së shtunës.

Nga 41 këngëtare në konkurrim vetëm 26 do arrijnë të shkojnë në finale. Kjo këngë i kushtohet gjithë emigrantëve nëpër botë.

Skip to toolbar