“Kosova nuk është shtet”, Haradinaj përplaset me Borrell

Komisioneri i ri për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, shprehet se “Kosova nuk do të jetë shtet pa e njohur Kina, Rusia dhe India”. Këtë deklaratë, diplomati spanjoll që do të drejtojë politikën e jashtme të BE, e bëri gjatë takimit me anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së. Madje, ai shprehet se vizitën e parë në detyrën e re të diplomatit të BE-së, do ta zhvillojë në Kosovë.

“Vizita ime e parë do jetë në Kosovë. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi për sa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë, Kosova nuk do jetë shtet. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj atë që është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Kjo është një nga çështjet që do merren shumë në konsideratë, pasi Status Quo-ja aktuale nuk shërben. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe jam i lumtur që Kosova zhvilloi zgjedhje krejtësisht demokratike”, pohoi ai.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga politika në Kosovë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shkruan se “ndiej keqardhje për deklaratën e Borrell”. “Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së. Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit”.

“Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit. Kosova është me fat që e ka bekimin e shumicës kritike të shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë të na përkrahin në secilën fushë. Deklaratat e tilla, sidomos para konfirmimit të pozitave me ndikim në institucionet evropiane, provojnë qartë nivelin e ultë të kredibilitetit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga z.Borrell”, shkruan ndër të tjera Haradinaj.

Cakaj merr konfirmimin e homologut spanjoll: E duam Shqipërinë në BE

“Spanja mbështet integrimin e Shqipërisë në BE’, ky ishte konfirmimi që ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj mori nga homologu i tij spanjoll, Josep Borrell. Cakaj vlerësoi takimin me ministrin e jashtëm të Spanjës, Borrell, në të cilin u diskutuara mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Spanja konfirmoi qëndrimin e palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e qartë të tij për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Takimi me Ministrin e Jashtëm të Spanjës, Josep Borrell, spikati në tre elemente kryesore:

Së pari, domosdoshmërinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Spanjës, veçanërisht duke rritur nivelin e komunikimit të lartë politik dhe duke shtuar bashkëpunimin ekonomik;

Së dyti, rëndësinë e patjetërsueshme të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në muajin tetor dhe, për më shumë, fuqizimin e politikave të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi;

Së treti, vlerësimin pozitiv ndërkombëtar për përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në vitin 2020 dhe nevojën për një koordinim të ngushtë me pjesëmarrësit e kësaj organizate;

Shqipëria do të vazhdojë t’i realizojë objektivat madhorë të politikës së jashtme dhe të fuqizojë më tej besueshmërinë ndërkombëtare të saj!’ – shkruan Cakaj në Facebook.

Shefi i ri i diplomacisë evropiane mbështet Shqipërinë për negociatat

Shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dhënë sinjale pozitive se do të jetë në krah të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Të paktën kështu kuptohet nga një lajm i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thuhet se Ministri Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me ministrin spanjoll, i cili i ka shprehur mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.

“Gjatë qëndrimit në Tatra të Sllovakisë, Cakaj zhvilloi gjithashtu takim me Ministrin e Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit të Spanjës Josep Borrell, i cili vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e Shqipërisë përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Borrell siguroi për mbështetjen e Spanjës lidhur me hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shprehur qëndrimin spanjoll se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Cakaj konfirmoi gjatë takimit se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike për të filluar këto negociata dhe është e bindur se hapja e negociatave me BE-në është mëse e merituar”, thuhet në njoftimin e MEPJ.

Ky qëndrim i Josep Borrell, është bërë gjatë Takimit Informal të Minstrave të Jashtëm të OSBE-së në Sllovaki, ku sipas Ministrisë tonë të Evropës dhe Punëve të Jashtme, edhe Austria, spanja dhe Suedia janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. “Nga ana e tij Cakaj u shpreh se marrja e vendimit pozitiv do t’i japë një impuls të ri angazhimit të Shqipërisë për të vijuar më tej me reformat. Ministri në Detyrë Cakaj tha se reforma në drejtësi në Shqipëri është e paprecedentë dhe se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë reformat”, shkruhet dër të tjera në njoftimin e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Skip to toolbar