“Kosova nuk është shtet”, Haradinaj përplaset me Borrell

AKTUALITET


Komisioneri i ri për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, shprehet se “Kosova nuk do të jetë shtet pa e njohur Kina, Rusia dhe India”. Këtë deklaratë, diplomati spanjoll që do të drejtojë politikën e jashtme të BE, e bëri gjatë takimit me anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së. Madje, ai shprehet se vizitën e parë në detyrën e re të diplomatit të BE-së, do ta zhvillojë në Kosovë.

“Vizita ime e parë do jetë në Kosovë. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi për sa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë, Kosova nuk do jetë shtet. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj atë që është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Kjo është një nga çështjet që do merren shumë në konsideratë, pasi Status Quo-ja aktuale nuk shërben. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe jam i lumtur që Kosova zhvilloi zgjedhje krejtësisht demokratike”, pohoi ai.


Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga politika në Kosovë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shkruan se “ndiej keqardhje për deklaratën e Borrell”. “Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së. Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit”.

“Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit. Kosova është me fat që e ka bekimin e shumicës kritike të shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë të na përkrahin në secilën fushë. Deklaratat e tilla, sidomos para konfirmimit të pozitave me ndikim në institucionet evropiane, provojnë qartë nivelin e ultë të kredibilitetit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga z.Borrell”, shkruan ndër të tjera Haradinaj.




Skip to toolbar