Kryeministri i
Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve
të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e
kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në
tryezën e bisedimeve.
Ai i bëri këto
komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës,
Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime
konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.
“Dhe ka një
pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që
komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet
njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është
dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim.
Kur flas për Serbinë, edhe 1000 për qind ia vë taksën, por kur flasim me
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet
të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, tha zoti Veseli.
“E pash
intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm, pra, nuk kam qasje me Amerikën
si me Serbinë. Me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë krah për krah me
Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën. Kemi
dallim në një temë; suspendimin e taksës. Sikur kryetari Veseli e të tjerët të
kishin qenë unik Amerika ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo
dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”, tha
të mërkurën kryeministri Haradinaj.
Ai hodhi poshtë çdo
mundësi që këmbëngulja për tarifat të jetë populizëm.
“Fatkeqësisht
besnikëria ndaj atdheut ndaj temave të interesit nacional nuk duhet me u
kalkulu kështu. Populizëm ose miqësi me Amerikën për Veselin e të tjerët ka
qenë kur ishin momente të tjera, u pa se nuk e kemi fort shqetësim qasjen ndaj
Amerikës se kemi fol me një gjuhë tjetër, ju e dini për cilën temë e kam
fjalën. Ndërsa, kur janë temat e interesit nacional, me i kërku Kosovës me e
suspendu taksën pra me ja dhanë tregun shtetit që e mohon ekzistencën tonë
është e padrejtë. Ehe nuk shpjegohet kjo kurrqysh ski qysh me e shpjegu, nuk
është në logjikën e Amerikës, e as të askujt tjetër, por, është fatkeqësia e
udhëheqësve tonë që shkojnë atje dhe i thonë duhet me e gjet një zgjidhje, në
vend se me i thanë ka të drejtë kryeministri jonë, kemi të drejtë që e kemi
vendosë taksën…Po shihet këta unë e kam pas shumë të vështirë me e mbajt këtë
drejtim politik, pikërisht për shkak të këtyre thyerjeve, se jam ankuar disa
herë që nuk kemi qenë unik fatkeqësihst. Dhe kjo pastaj e bën Serbinë më të
guximshme edhe nuk lëshon pe përderisa gjysma jonë i thotë kemi me e hekë
taksën pse me e ardhë Serbia në dialog?”, tha kryeministri Haradinaj.
Qeveria e Kosovës u
vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në nëntor të vitit të kaluar
në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi
kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e këtyre tarifave,
ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen./VOA/