Çmendet legjenda Mike Tyson, shpenzon shuma marramendëse për kanabis

Legjenda e boksit amerikan, Mike Tyson ka shokuar fansat në të gjithë botën me një deklaratë të bërë prej tij, ku shprehet se shpenzon “40 mijë javë në muaj për të pirë kanabis”. Këtë deklaratë, Tayson e ka bërë në një komunikim në radio, ku me të qeshur i drejtohej partnerit të tij në biznes Eben Britton, se sa para shpenzonin për të pirë kanabis.

Legjenda e boksit në peshat e rënda, tashmë në moshë 53 vjeç, pretendon se shpenzon të paktën 33 mijë paund, ose rreth 40 mijë euro në javë, së bashku me partnerin e tij për të konsumuar kanabis. Tyson zotron aktualisht një fermë të kultivimit të kanabisit në jug të Kalifornisë, e cila ka një sipërfaqe prej 40 hektarësh.

Në vitin 2016 ai krijoi kompaninë Tyson Holistic Hoding, e cila ka si qëllim kultivimin dhe më pas tregtimin e kanabisit në SHBA. Pas suksesit në tre vitet e para të fermës, Mike Tyson synon që të zgjerojë sipërfaqen e kanabisit në 407 hektarë.

“Emisioni i Rai 3, Fake News”, qeveria përgënjeshtron Bashën për drogën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar ashpër për dokumentarin e transmetuar nga stacioni italian RAI 3 për mafian e kanabisit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë emision “fake news”, ndërsa ka sulmuar edhe opozitën, që ka trumbetur këtë emision për akuza politike, të cilës i ka kujtuar Lazaratin, duke e cilësuar “markë” autentike e PD-së.

Ky qëndrim i Lleshajt është përforcuar edhe nga Kryeministri Rama, i cili ka shpërndarë reagimin e ministrit në Twitter. “S’kemi ç’bëjmë!E kotë të harxhosh kohë me shumëçka serviret ende si gazetari, po me gazetarinë s’ka pikë lidhje. Çka vërtetë vlen çdo minutë janë reformat, punët, veprat. Ato do të flasin, kur llafet t’i ketë marrë era dhe baltën ta ketë fshirë uji i kohës”, shprehet Rama.

Ministri shkruan se në dokumentar paraqiten fakte të vjetra që nga koha e Lazaratit të famshëm për të cilin përgjegjësi duhet të mbajë Berisha dhe se autoritetet italiane e dinë shumë se niveli i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë këto vite është në nivelin më të ulët historik.

“Fatmirësisht, autoritetet italiane e njohin shumë mirë dhe nga shumë afër, të vërtetën e luftës kundër kanabisit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer policor mes dy vendeve.

Ato kanë folur në të gjitha nivelet për këtë dhe unë besoj se do te shprehen edhe pas këtij reportazhi të Rai 3 – një mishmash i denjë për të ilustruar epideminë e ‘fake news’”, deklaron Lleshaj.

Ministri thekson se falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, lufta kundër kanabisit si fenomen, është një luftë e fituar e shtetit shqiptar.

“Kultivimi apo sasitë e kanabisit me origjinë nga Shqipëria, të kapura nga vendet fqinje, kanë rënë në minimumet historike.

Ndërkohë, goditja në tokē dhe në det nga Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, është konstante dhe shkurajuese për krimin.

Rrjetet dhe organizatat kriminale që kanë vepruar në këtë fushë janë goditur rëndë në të gjitha aspektet, përfshirë edhe atë financiar.

Fenomeni ‘Kanabis’ është tanimë një histori e tē shkuarës dhe lufta kundër tij një “bast” i fituar i kësaj mazhorance. Të gjitha shifrat provojnë këtë fakt”, shkruan Ministri.

Ai akuzon opozitën që e shfrytëzoi menjëherë këtë dokumentar të pavërtetë për të sulmuar dhe hedhur akuza drejt qeverisë dhe policisë.

“Një emision i televizionit italian “Rai 3” i pak ditëve më parë i mjaftoi opozitës që, si përherë, të nxitonte për të kërcyer tek konkluzione haluçinante, të cilat meritojnë vërtet keqardhje.

Disa histori nga e shkuara si Lazarati, kjo “markë” autentike e PD, apo edhe episode të tjera të shkuara (përzier në njē sallatë televizive sensacionale, pa asnjë vlerë dokumentare, po me synimin e vetëm audiencën e interesuar për shoë) kanë frymëzuar opozitën e plandosur jashtë-parlamentare.

Ajo ka rimarrë vrullin e një shiu vere, për të akuzuar Policinë e Shtetit dhe Qeverinë për njollat që ata vetë i kanë vënë vendit kur ishin ne pushtet”, shkruan Ministri Lleshaj.

Dokumentari “Narcotica” i transmetuar në Rai 3 hedh akuza të rënda për prodhimin dhe trafikun e kanabisit nga Shqipëria, dokumentar ky që u shfrytëzua nga opozita për të sulmuar policinë dhe qeverinë.

Fact Checking/ Berisha zbulon avionë droge. Por janë avionë amerikanë (fake news)

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar një video të dërguar nga “qytetari dixhital” ka publikuar të enjten një denoncim për “avionët e drogës që fluturojnë në Kanabistan”, sipas tij.

Sipas Berishës videoja që i është dërguar atij nga një qytetar, tregon qartë se avionët e mafias së drogës kanë nisur sezonin e korrjes së kanabisit në Shqipëri.

“Koha e korrjes se mallit filloi! Avionët e narkoflotës të mafies së drogës vijnë e shkojnë në Kanabistan! Nuk pushojnë! Prodhim i mbarë sezon pune! Shikoni videon e qytetarit dixhital italian nga brigjet e Kavajës!”, – shkruan Berisha.

Realstory u interesua, mori informacion dhe zbuloi se e vërteta e avionëve është krejt ndryshe nga sa thotë Berisha.

E vërteta është se këta janë avionë amerikanë që kanë kane ardhur për trajnim në Shqipëri. Madje gjatë ditës së mërkurë në këta avionë ka fluturuar edhe e ngarkuara e lartë me punë e SHBA-së, Leyla Moses Ones dhe kryeministri Edi Rama.

Pra avionët nuk kanë asnjë lidhe me drogën siç aludon Berisha dhe as me trafikun e saj, por me SHBA-në dhe asistencën që jep në Shqipëri.

Sërish drogë në Lazarat, arrestohen pesë persona, mes tyre edhe dy gra

Lazarati rikthehet sërish në qendër të vëmendjes për mbjelljen e kanabisit. Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 5 persona në flagrancë mes tyre dhe dy gra.

Gjatë kontrollit në oborret e banesave te tyre u konstatuan të mbjella nga 10 deri 15 bimë narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, gjithashtu mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, në oborret e 5 banesave u konstatuan të kultivuara bimë të dyshuara narkotike, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

B.A., 65 vjeç, banues në fshatin Lazarat;

S.A., 40 vjeç, banues në Sarandë;

M.K., 69 vjeç, banues në fshatin Lazarat;

H.N., 46 vjeçe, banuese në fshatin Lazarat;

B.N., 36 vjeçe, banuese në fshatin Lazarat.

Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

Sekuestrohen 1 mijë rrënjë kanabis, tre persona në pranga

Policia ka përfunduar operacionin “Ballenjë-2019”  duke sekuestruar 1 mijë rrënjë kanabis që ishin gati për t’u mbjellë dhe ka arrestuar 3 persona në Martanesh.

Sipas policisë, kubiket ishin çuar në një zonë të pyllëzuar dhe ishin gati për t’u mbjellë ne malin e Ballenjës në Martanesh.

Në kuadër të operacionit policia ka sekuestruar armë zjarri, municion luftarak, kubikë ku ishin kultivuar fara cannabis sativa dhe bazë materiale që do shërbente për të kultivuar në tokë fidanët narkotikë.

Personat e arrestuar janë:

A.Ll, 26 vjeç, banues në Mirditë.

K.H, 25 vjeç, banues në Tiranë.

O.K, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

•Një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishek

•1324 kubik(gota plastike), të mbjella të dyshuara me fara cannabis sativa

•Vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike.

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim.

Ndërtuan sera me kanabis, 4 shqiptarë në pranga në Athinë

Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal të kultivimit të drogës, ndërsa ka arrestuar 4 shqiptarë.

Departamenti i anti-drogës zbuloi një magazinë në lagjen Peristeri të Athinës, ku munden të sekuestrojnë 915 rrënjë kanabis dhe 2.5 kg kanabis te paketuar dhe te gatshme për treg.

Mësohet se në magazinë ishte montuar një sistem tepër modern i rritjes së bimëve.

Mediat greke raportojnë se policia arrestoi 4 shtetas shqiptarë, te moshave 35,37,39 dhe 35 vjeç, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për shkak të hetimeve.

Skip to toolbar