Shkencëtarët britanikë dhe amerikanë po bashkohen për të kërkuar shenjat më të hershme të kancerit në një përpjekje për të zbuluar dhe trajtuar sëmundjen përpara se të shfaqet. Ata planifikojnë të “lindin” kancerin në laborator për të parë saktësisht se si duket “në ditën e parë”. Research Cancer UK është bashkuar me Universitetet e Kembrixhit, Mançesterit, University College London, dhe Stanford dhe Oregon në SH.B.A. për të shkëmbyer ide, teknologji dhe ekspertizë në këtë fushë.
Së bashku, shkencëtarët kanë për qëllim të zhvillojnë teste më pak invazive, të tilla si teste të gjakut, frymëmarrjes dhe urinës, për monitorimin e pacientëve me rrezik të lartë, përmirësimin e teknikave të imazhit për zbulimin e hershëm të kancerit dhe të kërkojnë shenja praktikisht të pazbulueshme të sëmundjes.
Por ata e pranojnë se kjo është “sikur të kërkosh një gjilpërë në kashtë”. “Problemi thelbësor është se ne kurrë nuk mund të shohim një kancer para se të lind në një qenie njerëzore”, thotë Dr David Crosby, kreu i hulumtimit të zbulimit të hershëm në Cancer Research UK. Studiuesit nga Manchester, po rritin indin e gjirit njerëzor në laborator me qelizat imune sintetike për të parë nëse mund të vërejnë ndryshimet shumë të hershme, delikate që mund të çojnë në kancer.
Sidoqoftë, gjithmonë ekziston rreziku i diagnozës së tepërt, sepse jo të gjitha ndryshimet e hershme të qelizave shndërrohen në kancere. Kështu që studiuesit e kancerit thonë se ato duhet të jenë më të sakta, duke parë gjithashtu gjenet me të cilët lindin njerëzit dhe mjedisin ku ata rriten, për të përpunuar rrezikun unik të një individi nga kancere të ndryshme.
Deri më tani, shkencëtarët thonë se hulumtimi për zbulimin e hershëm ka qenë në shkallë të vogël. Dr Crosby tha që bashkëpunimi do të “shkaktojë një ndryshim në sistemin tonë shëndetësor, duke e zhvendosur atë nga kurimet e shtrenjta të sëmundjes në fazën e vonë, në mundësinë që të ndërhyjmë në pikën e saj më të hershme dhe të japë trajtim të shpejtë, me kosto efektive”.
Shifrat tregojnë se 98% e pacientëve me kancer të gjirit jetojnë për pesë vjet ose më shumë nëse sëmundja diagnostikohet në fazën 1 ose faza më e hershme, krahasuar me vetëm 26% në fazën 4, faza më e përparuar. Por, aktualisht, vetëm rreth 44% e pacientëve me kancer gjiri diagnostikohen në fazën më të hershme.