Gomonia jep alarmin SOS, në rrezik 5 persona

Një gomone me emrin “LYPEN 3”, me 5 persona në bord ka shfaqur probleme në motorin e saj gjatë kohës që lundronte pranë gadishullit të Karaburunit. Lajmin e ka dhënë Drejtoria e Përgjithshme Detare, e cila është njoftuar nga ekuipazhi i gomones.

Sapo është dhënë sinjali i alarmit, Kapiteneria e Vlorës dhe Policia Kufitare kanë nisur kërkimin dhe shpëtimin e personave që gjendeshin në gomone. Fillimisht, është nisur një mjet i policisë kufitare, dhe më pas një mjet i rojes bregdetare, që kanë nisur kërkimin e gomones.

Rreth orës 14:30 të së dielës, Policia Kufitare ka njoftuar se ka gjetur mjetin rreth 1 milje përballë Shën Vasilit, duke konstatuar se personat që ndodheshin në bord nuk kishin asnjë problem për jetën. Pas gjetjes së gomones, është bërë transportimi i personave që ndodheshin në bordin e saj.

E rëndë në Karaburun, fundoset anija në shpellën e Haxhi Alisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në shpellën e Haxhi Alisë në gadishullin e Karaburunit, ku një mjet lundrues është përplasur dhe si pasojë është mbytur. Sipas një njoftimi zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, mësohet se rreth orës 21:05 të mbrëmjes, një mjet lundrues me flamur Shqiptar, me 4 persona në bord, është përplasur dhe çarë brenda shpellës, ku si pasojë është mbytur.

Fatmirësisht, të katër personat që kanë qenë në mjet kanë shpëtuar pasi kishin dalë në tokë. “në orën 21:05 u njoftua në sall se një mjet me flamur Shqiptar me 4 persona në bord ishte përplasur dhe ishte çarë brenda shpellës së Haxhi Alisë në Karaburun. Me shpejtësi u njoftua Policia Kufitare dhe Kapiteneria të cilat organizuan operacionin e kërkim shpëtimit. Mjeti i policisë kufitare pas kërkimit në shpellë dhe në tokë, arriti të gjente pesonat. Të 4 personat ishin mirë dhe kishin dalë në tokë, pasi anija ishte zhytur në ujë”, thuhet në njoftimin e Drjtorisë së Përgjithshme Detare.

Në fund, Drejtoria Detare shpreh falënderimin për policinë kufitare që arriti tu vinte me shpejtësi në ndihmë personave, ndërkohë që ka dërguar dhe një mesazh për kritikët  ndaj institucioneve, që sipas Drejtorisë Detare, kanë hedhur baltë mbi këtë institucion.

Humbën në Karaburun, policia gjen çiftin hungarez pas 15 orësh

Policia e Vlorës ka bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e turistëve hungarez, pas 15 orë kërkimesh.

Dy turistët hungarezë në momentin e gjetjes nga forcat e policisë në Vlorë

Turistët, një çift nga Hungaria, kishin humbur në Karaburun të Vlorës që prej pasdites së të dielës. Ka qenë vetë çifti që kishte lajmëruar policinë, por më pas ishin ishin futur në një zonë pa valë telefonike duke bërë që policia të humbiste sinjalin e tyre.

Çifti e kishte kaluar natën në çadrën e kampingut që kishin me vete, në një zonë që nuk kishte valë telefonike dhe kjo e ka bërë të pamundur që policia të lidhet me ta. Ndërkohë vetëm gjatë mëngjesit të ditës së hënë, policia ka mundur të lokalizojë dhe të shpëtojë çiftin e turistëve. Turistët të moshës 35 dhe 40 vjeç, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.   

Çifti hungarez, kishte shkuar për të eksploruar zonën në këmbë dhe makinën e kishin lënë pranë një lokali në Karaburun. Gjatë eksplorimit ato humbën rrugën, duke dhënë alarmin SOS për policinë.

Skip to toolbar