KQZ rrëzon kërkesën e PUK për çregjistrim si subjekt zgjedhor, çështja i kalon Kolegjit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e bërë nga kryetari i Partisë për Unitet Kombëtar, aleat i PS, Idajet Beqiri, që kërkonte çregjistrimin nga zgjedhjet e 30 qershorit të subjektit të tij politik. Gjatë fjalës së tij, Beqiri u shpreh para anëtarëve të KQZ-së se partia e tij e quan anti-kushtetues dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Megjithatë, z.Beqiri e argumentoi lëvizjen e forcës së tij poltike, duke përdorur faktin që zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Dekreti i Presidentit na ka shokuar. Këtë situatë e prisnim në fillim të vitit 1991. Është shkelur haptazi Kushtetuta e Shqipërisë. Duke mos patur dritë jeshile këtu, ne si subjekt zgjedhor, vlerësojmë se duke mos patur më mundësi morale, financiare, nuk shkojmë dot më tej. E konsideroj një veprim anti-kushtetutes, në një vend tjetër me një dekret të tillë, presidenti do të vizitohej psiqikisht”, tha ndër të tjera Idajet Beqiri.

Mirëpo, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se kjo ishte e pamundur të bëhet në kushtet kur fletët e votimit janë printuar, madje janë printuar jashtë vendit, pasi kompanitë shqiptare nuk i plotësonin kushtet. Sipas Z.Biba, kërkesa e Idajet Beqirit nuk mund të pranohej pasi afatet për të riprintuar fletët e votimit nga fillimi, nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Ndërkohë, pas fjalës së Denar Bibës, foli Kryetari i KQZ-së Klement Zguri, i cili u rikthye në detyrë pasi braktisi mbledhjete  KQZ-së ditën kur u mor në shqyrtim dekreti i Ilir Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Zguri kërkoi që KQZ-ja të mos mblidhej dhe të mos merrte asnjë vendim, pasi dekreti i presidentit ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

“Kush mundët të më thotë, akte të pavlefshme vendosen në fletoren zyrtare të shtetit? Personalisht nuk dua të merrem me të drejtën e Metës për dekretin. Kategorikisht! Nga njëra anë kam presidentin, nga ana tjetër Presidenti. Kush jam unë, që duhet t’i ballafaqoj vendimmarrjen e këtyre insitucioneve. I qëndroj mendimit tim! Kjo kërkesë do ta tejkalojë edhe atë që këtu është shkruar dhe kërkuar. KQZ duhet t’i ndërpresë procedurat për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Zguri, duke braktisur më pas mbledhjen. Kryesimin e  saj e mori përsëri Denar Biba, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të KQZ-së votuan  për rrëzimin e kërkesës së Idajet Beqirit, për çregjistrimin si subjekt zgjedhor nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, subjekti politik PUK i drejtuar nga Idajet Beqiri i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar vendimin e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës për çregjistrim nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit

Skip to toolbar