Sokol Balla: Këshilli Politik, si krijesë e Frankenshtajnit

Këshilli Politik, një organ ad hoc, i krijuar si një instrument për të stabilizuar situatën e çuditshme pas braktisjes së institucioneve nga opozita një vit më parë, po reflekton në fakt paradoksin e krijuar, duke dështuar të mbajë gjallë një dialog të rinisur me shumë vështirësi, në një krizë të thellë mosbesimi dhe nën ndikimin e propozimin e ndërkombëtarëve. Sot situata nuk është më e ndryshme se ajo e shtatorit 2019. Palët sërish nuk flasin, së paku në publik, por thjesht sulmojnë dhe braktisin mbledhjet e këshillit. Të martën ishte radha e Damian Gjiknurit. Kriza e besimit ka filluar sërish, që prej ndryshimit të Kushtetutës pa konsensus dhe me votat e opozitës rivale parlamentare. Të martën pasdite, ambasadori britanik Norman, personi që propozoi krijimin e këtij këshilli, “këshilloi” marrjen e vendimeve, pa prishur frymën e marrëveshjeve të 5 qershorit.

Por duket se zëri i ndërkombëtarëve, kritik për këtë situatë, është i zbehtë dhe jo imponues. Kjo ka bërë që socialistët të ndihen të sigurt, jo vetëm për të ecur para me draftin e tyre të kodit zgjedhor, por edhe me një variant kaq hibrid për listat e hapura, saqë duket një ‘hesap i mbyllur’ për diçka që nuk do arrijë të hapet kurrë. Një propozim, që i hap rrugën dhe jo listën, vetëm ndonjë personi që është kaq i fortë, sa të mundë partinë e tij politike, përpara së të mundë kundërshtarët e tij. Shumëkush mendon se çka propozojnë socialistët, është një gënjeshtër për opinionin e gjerë publik, që mund edhe të pranonte një ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës, përballë hapjes së listave, një propozim kaq popullor, sa në pak kohë mori firmat e gati 100 mijë vetëve në një peticion nga një lëvizje, tashmë e shndërruar në parti, me emblemë kryesore, Rudina Hajdarin

Por nga opozita vijnë mesazhe kontradiktore. Sfida që i hodhi Gjiknuri për një kundërpropozim, gjeti një reagim të thatë të Bylykbashit se “drafti” i opozitës ishte kodi aktual zgjedhor, ndërkohë që pesë pyetjet e saj, morën si përgjigje vetëm daljen nga mbledhja të përfaqësuesit socialist. Më e shqetësuar për listat e hapura ose më saktë për të mos u akuzuar se i braktisi ato, ishte LSI, e cila ende sot, në takimin me Bashën, nuk ka thënë nëse ka marrë një përgjigje nëse kandidatët e saj do jenë në lista të përbashkëta, apo lista më vete, ndërsa në shtyp kanë dalë tashmë lista e ndonjë qarku, si ai i Durrësit, ku PD ka nxjerrë 12 emra, vetëm nga radhët e saj.

Edhe PD kërkon reflektim nga PS në Këshillin Politik, Bylykbashi: Shkresa për OSBE/ODIHR në koordinim me ndërkombëtarët

Nuk kanë dakordësi për Kodin Zgjedhor, por palët në Këshillin Politik duket se bien dakord për një cështje, ndërsa të dyja drejtohen me të njëjtin apel: reflektim.  

Në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së radhës, Oerd Bylykbashi u shpreh shkresa drejtuar OSBE/ODIHR është kryer në konsultim me SHBA dhe BE, ndaj kërkoi reflektimin e PS për të kërkuar asistencë.

 “Opozita e bashkuar i është drejtuar OSBE/ODIHR me pyetje specifike lidhur me cështjen thelbësore që përballet ky këshill. Ne kërkojmë ruajtjne e koliaicionit sic janë sot në Kodin zgjedhor, PS kërkon të ndryshojë rregullat kur procesi ka nisur. Shkresa në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me mbështetjen e tyre. Këshilli është ngritur dhe ka funksionuar me nxitjen e partnerëve ndërkombëtarë SHBA dhe BE, dhe në këtë proces opozita i ka qëndruar angazhimeve së marrëveshjes së 14 janarit.  Kërkuam konsensus dhe u gjet më 30 qershor, mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit. Sot PS sërish refuzoi t’i drejtohemi OSBE/ODIHR. Përfaqësuesi i PS bojkotoi mbledhjen. Jemi të gatshëm të vazhdojmë, presim reflektim nga PS sa më parë.

Qëllimi i këtij këshilli është arritja e konsensusit për të garantuar procesin zgjedhor. Nëse s’ka konsensus duhet t’i drejtohemi OSBE-ODIHR. Këshilli s’mund të jetë as fasadë, as vulë noteri i mazhorancës për interesat e saj politike. Ky këshill duhet të funksionojë me konsensus. Opozita ka për draft kodin zgjedhor ekzistues, në shkelje të draftit është maxhoranca, ndaj po i drejtohemi ODIHR.” u shpreh Bylykbashi.

Nuk ka dakordësi në Këshill, Gjiknuri: Opozita kërkon qiqra në hell! Të vijnë në Këshill, pastaj i drejtohemi OSBE-ODIHR

Këshilli Politik nuk arriti të gjejë dakordësi në mbledhjen e radhës mbajtur mesditën e sotme. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi i PS-së në Këshill, Damian Gjiknuri u shpreh se drafti i prezantuar sot nga maxhoranca meriton të diskutohet.

Lidhur me kërkesën e opozitës së bashkauar e cila kërkoi sot ndihmën e OSBE/ODIHR, ai tha se OSBE-së i shkohet me një draft konkret të dalë nga diskutimet dypalëshe dhe jo me një draft të njëanshëm.  

“Besoj që të gjithë e patë që fatkeqësisht PD bojkotoi Këshillin Politik. E bllokoi me të njëjtat qëllime të hedhin peng procesin të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër stiset një debat i kotë, po bëjnë sikur zihen për procedurë a duhet ODIHR tani, a duhet pastaj. ODIHR është organizatë e specializuar që jep mendim për produktet konkrete, ne e sollëm një produkt zgjedhor aty parashikohen koalicionet dhe mekanizma që përcaktojnë ndarjen e mandateve, se zgjedhësi voton edhe për partinë edhe për kandidatët. ODIHR nuk i shkohet për sherre teorike, jep opinion për drafte. Ka qenë këtu për rekomandime po gjetët rekomandim që thotë ODIHR se si zbatohen ndryshimet kushtetuese…hajde të punojmë, koha nuk pret. Në tetor të fillojë nga puna KQZ e re.

Afati është i shkurtër dhe shkurtohet përditë. Ne kemi definicion për koalicionet aty. Më gjeni një pikë të 5 qershorit që ka qenë e debatueshme çështja e koalicioneve. Për ta kuptuar shqiptarët: PD nuk do vazhdimin e kësaj tryeze, do ngecjen e saj. Nëse e ndjejnë veten të fortë ata i kanë votat, por ky është sebep për të justifikuar krizën e tyre të brendshme. Nuk jam i dashuruar me ato që kemi sjellë, mund të kemi edhe ne defekte po ama hajde të diskutojmë për to, pastaj të nisë debati. Unë i pres në mbledhje ata kërkojnë qiqra në hell. Nuk mund të kemi ekspertizë pa pasur draft më parë. Unë nuk dua që ODIHR të gjykojë draftin tonë të njëanshëm, duhet edhe opinioni i PD, i shkohet me produkt konkret ODIHR-it”,- tha Gjiknuri./realstory.al

Opozita në Këshillin Politik dorëzon kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR

Opozita jashtëparlamentare në Këshillin Politik ka dorëzuar sot kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR, lidhur me dy çështjet që nuk gjendet dakordësi me mazhorancën, hapjen 100% të listave dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore.

Kërkesa e plotë:

Të nderuar kolegë,

Këshilli Politik është ngritur dhe funksionon mbi bazën e Marrëveshjes Politike të 14 Janarit 2020 dhe në themel të tij ka konsensualitetin. Zbatimi i plotë dhe joselektiv i kësaj marrëveshje garanton githëpërfshirjen në realizimin e një Reforme Zgjedhore konsensuale. Nëse palët nuk i qëndrojnë marrëveshjes dhe i imponojnë njëra-tjetrës akte të njëanshme, Këshilli Politik e humbet funksionin e tij.

Marrëveshja e 14 Janarit 2020 përmban një klauzolë themelore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas kësaj klauzole, në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, do të kërkohet opinioni dhe asistenca nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo pikë përcakton qartë që në Këshill kriteri themelor është konsensusi dhe se çdo zgjidhje duhet te jetë e pranueshme nga palët. Kjo klauzolë mundëson marrjen e opinionit dhe ndihmës së specializuar mbi çështjet e debatuara përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus.

Partia Socialiste propozon ndryshimin e mekanizmit të garimit zgjedhor dhe të formulës përkatëse që kthen votat në mandate, e që përfshin edhe koalicionet. Ky propozim i njëanshëm, është i papranueshëm për Opozitën, sepse ai ndryshon rregullat bazë të garimit dhe shpërndarjes së mandateve të mbledhura në garën zgjedhore, pa shkak të ligjshëm dhe vetëm 4 muaj para fillimit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor.

Argumenti i Partisë Socialiste se ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut, diktojnë ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor në lidhje me formulën e koalicioneve dhe atë të shpërndarjes së mandateve, është tërësisht i pabazë. Këto ndryshime nuk kanë hequr nga Kushtetuta koalicionin si formë organizimi politik në garën zgjedhore. Kjo formë vazhdon të mbetet në fuqi në Kushtetutë. Formulimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, përfshirë ato të dakordësuara mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara më 23 Korrik, janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standartet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës.

Meqë mazhoranca kërkon të ndryshojë rregullat pa shkak të ligjshëm dhe në mënyrë të njënashme dhe ky propozim nuk pranohet nga Opozita, për shkak se bie ndesh me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës, ndodhemi përpara një mosdakordësie. Rrjedhimisht, sipas Marrëveshjes së 14 Janarit të nënshkruar nga të dy palët, Këshilli Politik duhet të kërkojë paraprakisht opinionin e ekspertëve të OSBE/ODIHR-it dhe të pranojë asistencën e tij. Publikisht, OSBE-ODIHR ka rikonfirmuar gatishmërinë për të dhënë ekspertizë për Këshillin Politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

Për këtë qëllim, në përputhje me pikën 2, paragrafi i tretë, të Marrëveshjes për kornizën e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore të 14 Janarit 2020, në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Opozita është e gatshme të japë kontributin e saj për dërgimin pa vonesë të kërkesës për asistencë, në mënyrë që Këshilli Politik të përmbushë në kohë detyrën e tij.

Me respekt,

ANËTARËT E KËSHILLIT POLITIK
Përfaqësues të Opozitës së Bashkuar

Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili

Zbardhen amendamentet e PS në Këshillin Politik për Kodin Zgjedhor: Lista e kandidatëve 100% e hapur në parim, ja si PS i “mbyll” me stil

“Lista kandidatësh 100% të hapura, ndërsa pragu minimal për ndarjen e mandateve mes koalicioneve apo partive garuese do të jetë 3%.” janë këto propozimet në draftin e e amendamenteve të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor të paraqitura në tryezën e Këshillit Politik.

Të gjitha subjektet zgjedhore apo koalicionet duhet të depozitojnë në KQZ listën emërore të kandidatëve 50 ditë para ditës së zgjedhjet dhe kjo listë nuk mund të ndryshohet më pas.

Në draft sqarohet edhe mënyra se si do të ndahen mandatet e deputetëve pas mbarimit të zgjedhjeve.

Por në draftin e propozuar Këshillit Politik, një burim i lartë socialist tha për realstory.al se vendet e sigurta praktikisht do të përcaktohen nga partitë.

“Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas RI-RENDITJES FINALE TË KANDIDATËVE DUKE PATUR PËR BAZË TRE ELEMENTË: së pari, rënditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.” thuhet ne draft.

Miratimi në Kuvend i ndryshimeve që propozon PS kërkon të paktën 84 vota deputetësh, të cilat mazhoranca zyrtarisht nuk i gëzon. Në kushtet kur opozita parlamentare ka kërkuar hapjen e plotë të listave dhe kur mendon se propozimet e socialistëve nuk i përbush këtë qëllim, mbetet për t’u parë nëse do bëhet i mundur votimi në Parlament.

INFORMACION RRETH AMENDAMENTEVE TË KODIT ZGJEDHOR, TË PARAQITURA NGA PARTIA SOCIALISTE NË TRYEZËN E KËSHILLIT POLITIK

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në datën 30.07.2020 ligjin nr. 115/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.” Këto ndryshime të Kushtetutës kanë hyrë në fuqi në datën 7 Shtator 2020.

Është detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor që të zbatojnë përcaktimet kushtetuese në fuqi për çështjet e zgjedhjeve. Amendamentet e propozuara paraqiten dhe kanë pikërisht këtë qëllim.

Në vlerësimin e Partisë Socialiste këto amendamente përbëjnë platformën më të mirë të mundshme, të konsensusit sa më të gjërë mes mazhorancës qeverisëse, opozitës parlamentare dhe opozitës jashtëparlamentare, për shkak se plotësojnë çdo kërkesë të artikuluar prej tyre.

Më konkretisht, amendamentet e propozuara parashikojnë:

1. LISTA E KANDIDATËVE të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.

2. PRAGU MINIMAL PËR NDARJEN E MANDATEVE për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% E VOTAVE TË VLEFSHME NË SHKALLË VENDI. Ky prag i propozuar bazohet në standardet më të mira demokratike në fushën e zgjedhjeve dhe është pranuar edhe nga Komisioni i Venecias në një sërë opinionesh të tij.

3. GJINIA MË PAK E PËRFAQËSUAR garantohet se do të jetë JO MË PAK SE 30% e përbërjes së Kuvendit edhe në kushtet e zbatimit të listave të hapura plotësisht. Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, si në listën paraprake të depozituar nga subjekti zgjedhor ashtu edhe në listën përfundimtare të mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor.

4. KOALICIONI ZGJEDHOR parashikohet si SUBJEKT ZGJEDHOR QË KONKURON NË ZGJEDHJE. Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike që konkuron e vetme në zgjedhje. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjestare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.

5. PARTIA POLITIKE OSE KOALICIONI ZGJEDHOR, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, DEPOZITON NË KQZ LISTËN SHUMËEMËRORE të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 DITË PARA DATËS SË ZGJEDHJEVE.

6. Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. SUBJEKTI ZGJEDHOR NUK MUND TË NDRYSHOJË renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. KANDIDATËT RI-RENDITEN VETËM NË ZBATIM TË PËRLLOGARITJES SË VOTAVE PARAPËLQYESE dhe plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore

7. Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas RI-RENDITJES FINALE TË KANDIDATËVE DUKE PATUR PËR BAZË TRE ELEMENTË: së pari, rënditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.

Amendamentet ruajnë koalicionet dhe garantojnë garën e ndershme zgjedhore. Formula e ndarjes së mandateve brenda partive të koalicionit, sipas marrëveshjes së koalicionit, përcaktohet në bazë të votave që merr çdo kandidat i listës së koalicionit dhe formulës së përcaktuar në ligj si për të gjithë kandidatët e tjerë të partive që garojnë më vete. Ky është modeli që kanë të gjtha vendet evropiane që kanë sistem proporcional rajonal me votë preferenciale./ realstory.al

“Zgjedhorja”, Topalli: Basha u ul në tryezë, pasi u mbyllën hetimet për paratë ruse

Pas tryezës së përbashkët mes përfaqësuesve të opozitës jashtë parlamentare, asaj parlamentare dhe mazhorancës për reformën zgjedhore, reagoi ish-deputetja dhe kryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Ajo ngre dyshime të forta, se Lulzim Basha bëri pazarin e radhës me Edi Ramën, pasi ndaj kryedemokratit u mbyllën hetimet për dosjen hetimore që lidhej me lobimin rus në SHBA. Topalli e cilëson marrëveshjen për ngritjen e “Këshillit Politik” edhe më të zezë se marrëveshjen e 17 majit 2017.

“Kam vite që e përëris se: Pa hequr Lulzimin nuk ikën Rama. E sotmja ishte vetëm shfaqja e shëmtuar publike e një marrëveshje private okulte, të re, të bërë prej kohësh. Dhe kjo, është më e zezë se ajo e 17 majit. Në historinë 30-vjeçarem pas rrëzimit të sistemit diktatorial, asnjë politika, as i majtë e as i djathtë nuk ka shitur misionin opozitar këshut siç bën ky, edhe kësaj rradhe e bën, pasi ka dorëzuar e djegur mandatet e opozitës, pasi i ka dhuruar gjithë bashkitë kundërshtarit, pasi ka nxjrr PD nga çdo përfaqësim e pasi e ka dëbuar nga sistemi.

Pasi ka hedhur flakë e molotov, pasi ka sulmuar aleatët tanë ndërkombëtarë, pasi urdhëroi djegien e shkollave dhe shpresoi në një përplasje të qytetarëve me njëri-tjetrin, pasi kishte premtuar se do rrëzonte Ramën, se nuk do lejonte zgjedhje më 30 qershor, pasi premtoi se do bënte zgjedhje lokale e politike në një ditë, e pastaj se do i bënte më 13 tetor, dmth, pasi gënjeu, siç din ta bëjë vetëm Lulzimi….

Sot, publikisht u ul në tavolinë (për zgjedhjet) edhe me Gjiknurin, me at të dosjes 184, të përgjimeve të Bild! “Revolucionin” e filloi pak ditë pasi u riaktivizua dosja e 1 milion dollarëve të lobimit, dhe e mbylli sot, një ditë pas pushimit të saj si çështje. Më 17 maijn LB, pasi plagosir rëndë PD, i dha mandatin e dytë Ramës; me pazarin e fundit, pasi e zhduku PD nga çdo institucion, i dhuroi mandatin e tretë”, shkruan Topalli.

Ndërkohë, në reagimin e të martës, Jozefina Topalli i referohet vendimit të një dite më parë nga Gjykata e Tiranës, që shpalli të pafajshëm Lulzim Bashës për hetimet që nisën ndaj tij, pas dyshimeve se ai kishte lobuar në SHBA me para nga Rusia. Gjatë takimit të së martës, katër palët në tryezën e reformës zgjedhore ranë dakord që të krijojnë një “Këshill Politik”, për të vijuar më tej me hartimin e ligjit të ri zgjedhor, ku pritet të pasqyrohen rekomandimet e OSBE/ODIHR. /Realstory.al/

Ja keshtuuu… pasi pushoi”ceshtjen gjykata”.. rikthehen perseri ne krahet e njeri tjetri.

Gepostet von Jozefina Topalli am Dienstag, 14. Januar 2020
Skip to toolbar