Tre ditë “burg” ndryshojnë Balliun: Dialog me qeverinë

Pak orë pasi u lirua nga Gjykata e Tiranës për bllokimin e rrugës te “Unaza e Re”, Klevis Balliu është bashkuar përsëri në protestën e banorëve të “Astirit”. Në fjalën e mbajtur gjtë protestës, Balliu është shprehur se “banorët janë gati të ulen në dialog me qeverinë”. Sipas tij, mazhoranca duhet të lërë datën dhe orën dhe qytetarët shkojnë për dialog.

“Jam krenar që jam pjesë e Partisë Demokratike. Edi Rama nuk do që të shkojmë në Europë. Shqipëria ka sot nevojë për qytetarët dhe jo për bandën e Habilajve. Ja ku janë qytetarët, qeveria të japë orën dhe datën dhe qytetarët janë gati të dialogojnë. Të dialogohet në lidhje me këtë çështje kaq shumë delikate për banorët e Unazës së Re”, është shprehur Balliu.

Më tej, ai i bëri thirrje gjykatës të lirojë tre banorë që mbahen në qeli, pasi akuzohen për bllokim të paligjshëm të rrugës. Pasi ndenji tre ditë në paraburgim, Klevis Balliu u bëri thirrje banorëve të protestojnë paqësisht pa shkelur ligjin.

“Ne duhet të nxjerrim nga burgu 3 heronjtë tanë. Iu bëj thirrje gjykatave që të nxjerrin heronjtë tanë, që janë baballarë. Ftoj që të gjithë qytetarët që të vazhdojnë protestën, në mënyrë paqësore, pasi nuk po shkelim asnjë ligj. Kjo është një protestë për kauzë kombëtare”, u shpreh Klevis Balliu.

Kujtojmë se Gjykata e Tiranës rrëzoi  kërkesën e prokurorisë për arrest me burg ndaj ish deputetit demokrat Klevis Balliu dhe 9 protestuesve të tjerë të cilët akuzohen për bllokimin e rrugës së Unazës së Madhe. Gjykata e Tiranës vendosi lirimin nga burgu të këtyre personave, duke vendosur masën detyrim paraqitje.

Bllokimi i rrugës, Lleshaj: Drejtues të PD u fshehën pas grave

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, reagoi pak çaste pas përfundimit të protestës së radhës të banorëve të “Astirit” në Unazën e Re. Lleshaj publikon foto nga bllokimi i rrugës te Unaza e Re, ku shihet dhe ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, që më pas u ndalua nga policia. Ministri i Brendshëm shprehet se “drejtues të PD-së u fshehën pas fëmijëve dhe grave”, duke i përdorur në mënyrë abuzive.  “Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës”, shkruan Lleshaj.

Më tej, Sandër Lleshaj shprehet se Policia e Shteti nuk do të përballet me fëmijët, ndërsa shton se nuk do të tolerohet asnjë pengmarrje e qytetit nga një grup parapolitik. “Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë: Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit. Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike”, shkruan Lleshaj.

Në fund, Ministri Lleshaj shprehet zgjidhja e problemeve nuk vjen nëpërmjet vetëgjyqësisë, që promovon PD, por vetëm në rrugë institucionale. “E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë. E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve”, shkruan Lleshaj.

Protesta te “Unaza e Re”, Klevis Balliu dhe 7 protestues shoqërohen në polici

Policia e Tiranës shoqëroi në komisariat Klevis Balliun, pas përfundimit të protestës në zonën e “Astirit”. Ish-deputeti i PD-së dhe 7 protestues janë shoqëruar në komisariat, pasi bllokuan rrugën. Në fakt, bllokimi i rrugës nga tubime që nuk kanë lejen e orgeneve të rendit, cilësohet si vepër penale, sanksionuar nga ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Para se të shoqërohej në komisariat, Klevis Balliu se “Edi Rama po u mohon qytetarëve të protestojnë në liri”.

“Edi Rama tentoi që me bandat e tij të kthejë diktaturën, duke mohuar qytetarëve që të protestojnë në liri. Ata harrojnë se kjo tokë ka zot. Nuk do lejohet nipi i Spiro Kolekës që të zaptojë tokën e qytetarëve. Protestoj sa herë ka korrupsion dhe vjedhje. Edi Ramës dhe Bundestagu dhe Europa i kërkoi që të luftojë krimin e organizuar, por ai lufton popullin”, tha Balliu.  Ndërkohë, në protetstën e të dielës në mbrëmje, ishte dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili duke sulmuar prokurorinë, gjykatat dhe median, u shpreh se “nuk ka Kod Penal që ndalon protestën”.

Ndërkohë, banorët e zonës së Astirit, të shoqëruar dhe nga drejtues të Partisë Demokratike, vijuan protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në një prononcim për mediat, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji u shpreh se protesta e banorëve, sipas tij, është e ligjshme. “Policia ka vepruar në mënyrë brutale, duke tentuar që të imponohet një regjim policor. Protesta do të vazhdojë dhe ne do të jemi në mbështetje të tyre. Ne dimë se janë shoqëruar 6 persona bashkë me Klevis Balliun. Ne do të mbështesim banorët në këtë protestë dhe sigurisht që duam lirimin sa më të shpejtë të protestuesve”, tha Salianji.

Me ndryshimet e fundit të kryera në Kodin Penal, të cilat kanë hyrë në fuqi zyrtarisht, çdo person që bllokon rrugën fizikisht apo vendos pengesa, rrezikon deri në 3 vite burg. Sipas ndryshimeve, vënia e pengesave ose ndalimi i qarkullimit te mjeteve te transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Zbatimi i këtyre ndryshimeve, nisi pikërisht me disa banorë që protestojnë në Unazën e Re prej një viti.

Balliu tregon “forcën” e PD: Kemi mbështetje të madhe

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu ka folur në një studio televizive, duke deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Edi Ramën. Balliu shton se Partia Demokratike ka mbështetje të madhe nga qytetarët, që sipas tij, do të duket në protestën e 8 korrikut përpara kryeminisrtisë.

“Ne nuk do bëjmë asnjë hap pas, kemi më shumë mbështetje që na jep forcë dhe energji të përballemi me strukturën kriminale të qeverisë”,- tha Balliu.

Balliu tregon se Rama, sipas tij, po kërkon marrëveshje për të shpëtuar kokën e tij, por marrëveshje me Ramën, thotë Klevis Balliu, nuk do ketë sa kohë ai do të jetë kryeministër.

“Ai do marrëveshje për të shpëtuar kokën e tij. Por, nuk ka dhe nuk do të ketë marrëveshje me të sa kohë që ai do të jetë kryeministër. Tek protesta e Unazës bëhet fjalë për një aferë për të cilën askush nuk mbajti përgjegjësi, nëse ndërhyn Rama mund të këtë përplasje të jashtëzakonshme. Ka një mënyrë që kjo të mos ndodhë, që ai të dëgjojë zërin qytetar. Këtë duhet të bëjë edhe për raste të tjera, të dëgjojë vullnetin e popullit sa nuk është vonë”,- u shpreh Balliu.

Balliu: Edi Rama është në ditët e fundit. Të gatshëm të përballemi kudo

Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu i akuzuar për dhunë ndaj policisë, ka kërcënuar të mërkurën kryeministrin Rama duke thënë se ai është në ditët e tij të fundit dhe se opozita është e gatshme të përballet kudo me të.

Balliu tha se Rama ka kapur Prokurorinë e cila lë në “arrest shtëpie” banditët e kriminelët, ndërsa lë në burg protestuesit.

“Edi Rama është në ditët e fundit. Ai ka rritur dozën e vjedhjeve, ka shpenzuar 300 milionë euro, në një kohë që shpenzimet duhet të ishin më pak. Edi Rama ka rritur dhunën ndaj protestuesve. Rama ka kapur Prokurorinë, e cila kërkon “arrest shtëpie” për Avdylajt, kurse për banorët që protestojnë kërkohet ‘arrest me burg’. Këto shantazhe nuk do trembin opozitën, ne jemi të gatshëm të përballemi në prokurori, në gjykate dhe në sheshe. Sepse këtu po luhet fati i Shqipërisë. Nuk do lejojmë që të ketë zgjedhje moniste si koha e Enver Hoxhës. Në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme kur shqiptarët të vendosin me votë për programin ekonomik dhe politik që ata do të zgjedhin”, tha Balliu.

PD bën thirrje për revoltë, Balliu: Është e vetmja rrugë për shqiptarët

Ish-deputeti Klevis Balliu ka depozituar në Prokurori disa prova, që sipas tij dokumentojnë dhunën e policisë ndaj banorëve të “Unazës së Re”. Pasi bëri dorëzimin e provave, Balliu foli për mediat duke u shprehur se Prokuroria është kthyer në “pastrim kimik” që fshin provat ndaj kriminelëve, ndërsa theksoi se Policia dhe Prokuroria bashkëpunojnë së bashku për të fabrikuar prova ndaj qytetarëve.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, veç revoltës. Ne si PD do i dalim në mbrojtje qytetarëve kur ata dhunohen nga policia. Mos të harrojmë këtu dhunimin e Sait Dollapit”.

“Ne sot kemi depozituar këto prova, por shpresojmë që Prokuroria të bëjë punën që duhet të bëjë. Por është e çuditshme që çdo dosje që ka lidhje me Rilindjen mbyllet. Ndaj PD hapen hetime dhe thirren si të pandehur”.

“Prokuroria dhe Policia bashkëpunojmë së bashku për të fabrikuar prova ndaj qytetarëve shqiptar. Prokuroria është kthyer në pastrim kimik ndaj kriminelëve”, tha ndër të tjera Klevis Balliu.

Lirohet Klevis Balliu

Ditën e sotme u zhvillua seanca gjyqësore me dyer të mbyllura ndaj ish deputetit demokrat Klevis Balliu dhe 3 personave të tjerë.

Balli së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, u ndaluan nga policia gjatë një proteste 2 ditë më parë tek Unaza e Re.

Ndonëse Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg”, gjykata ka vendosur që të 4 të pandehurit të liheshin të lirë dhe vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Balliu akuzohej për goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i policisë,organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërrim prone, prishje e qetësisë publike.

Klevis Balliu me dy gishta para gjykatës, pret vendimin për 6 akuza

Është shfaqur i qeshur dhe me dy gishta para gjykatës, ish deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i arrestuar dy ditë më parë për dhunë ndaj policisë.

Balliu ka dalë sot para gjykatës dhe pret vendimin e saj për 6 akuzat që rëndojnë mbi të. Ish deputeti akuzohet për Goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i policisë,organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërim prone, prishje e qetësisë publike.

Në seancë e sotme ishin të pranishëm ish-deputetë të djathtë, si Edmond Spaho, Genc Pollo, Albana Vokshi, Ervin Salianji, dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Balliu tha para gjyqtares Rexhina Merlika se është 30 vjeç, tregoi adresën e banimit, u shpreh se ka arsim të lartë, është beqar dhe i padënuar më parë. Ndërsa mbrohet nga dy avokatë, njëri prej tyre Genc Gjokutaj.

Vendimi për Balliun do të jepet në një seancë me dyer të mbyllura.

“Klevis Balliu mbahet në burg me urdhër politik”

I pranishëm në qytetin e Pogradecit, ku ka zhvilluar takime me qytetarët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për burgosjen e ish deputetit Klevis Balliu. Basha tha se Klevisi është burgosur me urdhër politik të Ramës.

“Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëve,e që po i dhunonte policia. Unë jam krenar për Klevis Balliun, e di që edhe ju jeni krenar për Klevis Balliun. Dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort, edhe më të bashkuar në krah të njerëzve, në krah të kauzës tonë për liri dhe demokraci. ta tregojmë veten. Ky është mesazh për të gjithë ju e në veçanti për rininë e Pogradecit, ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë”, tha Basha. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu u arrestuar dy ditë më parë për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë

Arrestohet Klevis Balliu, ja për çfarë akuzohet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është arrestuar paradite e sotme bashkë me 5 banorë të Astirit, të cilët u përplasën me policinë tek Unaza e Re.

Protestuesit po tentonin t’i bllokonin rrugën kryeministrit Rama, që po inspektonte një fabrikë në atë zonë.

Përplasjet me policinë kanë çuar në arrestimin e Balliut dhe 5 persona të tjerë. Balliut i është komunikuar masa e sigurisë “arrest me burg” për 3 akuza “kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Bashkë me Balliun është arrestuar dhe një banor tjetër i identifikuar si Elton Skënderi, ndërsa 4 personat e tjerë janë lënë të lirë.

Skip to toolbar