E rrahu Kokëdhima, miliarderi spanjoll do të ndërtojë shkollë në Shqipëri

Incidenti i verës në restorantin e Mihal Kokëdhimës nuk e ka penguar Familjen spallonje Galdon të rikthehet në Shqipëri, si shenjë e përshtypjeve të jashtëzakonshme nga vendi, pavarësisht asaj që ndodhi. Ministri i Turizmit Blendi Klosi, gjatë një vizite në Spanjë, është takuar me Eugenio Galdon, i cili ka premtuar se do të ndërtojë një shkollë në zonat e prekura nga tërmeti, ndërsa fondi do të alokohet nëpërmjet Kryqit të Kuq Spanjoll. “Pavarësisht incidentit të ndodhur familja Galdon do të kthehet në Shqipëri me pershtypje të jashtëzakonshme për këtë vend. Këtë herë për të ndihmuar Shqipërinë nga goditja e tërmetit”, tha biznesmeni spanjoll.

Ndërkohë, Ministri Blendi Klosi konfirmoi premtimin e Z. Gladon. “Gjithashtu, me familjen Galdon, nga buxheti i familjes së tyre, nëpërmjet Kryqit të Kuq spanjoll ata do të ndërtojnë një shkollë në zonat e prekura nga tërmeti. Ata do të jenë vetë në Tiranë për të ndihmuar në ndërtimin e shkollës në zonën e prekur nga tërmeti”, u shpreh Klosi. Më tej, ministri shtoi se me Eugenio Gladon bisedoi edhe për nevojën e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, duke përmirësuar infrastrukturën për ankorimin e jahteve apo dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. “U takova me Eugenio Galdon për të vijuar njohjen dhe ndarë respektin që ai ka për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithashtu, me sygjerimet e tij se si ne mund të ndërtojmë në Shqipëri një biznes të vërtetë të marinave, e jahteve, e dhe të hapim Shqipërinë për industrinë e turizmit në jug. Ndamë disa mendime se si ne në Shqipëri kemi shumë nevojë për të krijuar disa standarde në këtë biznes”, shtoi ministri.

Vetë biznesmeni spanjoll, u shpreh se Shqipëria është një vend me atraksione të mëdha turistike. Ndërsa shtoi se mezi pret që të rikthehet për të vizituar vendin tonë. “Unë falenderoj mikun tim Blendi Klosi. Ne jemi duke ruajtur marrëdhëniet tona me Shqipërinë. Ne duam të hapim një derë, gjetëm vendin e duhur.  Unë jam shumë i impresionuar për atë që bëtë pas rënies së tërmetit, duke strehuar fëmijët. Unë do të ndërtoj një shkollë në zonën e prekur nga tërmeti. Ka shumë mënyra se si ju mund të kontribuoni për vendin tuaj. Shqipëria është një atraksion i vërtetë dhe ne kemi ndërmend të kthehemi shumë shpejt me anijet tona dhe të vizitojmë vendin tuaj të bukur”, tha Eugenio Galdon.

Biznesmeni Eugeni Galdon, që operon në sektorin e telekomunikacionit në Spanjë, gjatë pushimeve në Shqipëri vitin e kaluar u dhunua së bashku me familjen e tij nga Mihal Kokëdhima, pronari i një restoranti, tashmë të shembur, në Himarë. Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë, Mihal Kokëdhima është arrestuar dhe duke vuajtur dënimin në burg. /Realstory.al/

Dhunoi turistët, mbyllet “Panorama” e Kokëdhimës

Të dielën Mihal Kokëdhima dëgjoi pretencën e gjykatës, që e la në burg. Po gjatë kësaj dite, lokali i tij “Panorama” në Sarandë ka vendosur një tabelë ku shkruhet “Mbyllur”. Në fakt, sipas Report Tv, tabelën te restoranti i Kokëdhimës, personi që tentoi të dhunonte pesë turistë spanjollë, e kanë vendosur të afërm të tij. Ndërkohë, efektivët e policisë kanë qenë të pranishëm të dielën pranë lokalit të Mihal Kokëdhimës, duke hequr shezlonet e vendosura nga Kokëdhima.

Gjithashtu, kamarierët që kanë qenë të punësuar në këtë restorant, që shërbente dhe si hotel, janë larguar nga vendi i punës, pasi janë paguar për ditët që kanë punuar gjatë muajit gusht.

Ndërkohë, Mihal Kokëdhima është lënë në burg këtë të diel nga gjykata, pasi tre ditë më parë, ai tentoi të dhunonte pesë turistë spanjollë, të cilët mbetën të pakënaqur nga shërbimi në restorant dhe ikën pa paguar faturën.

Në videon e publikuar pas ngjarjes, dukej momenti kur Kokëdhima qëndronte në kofanon e furgonit të turistëve, dhe herë pas here qëllonte me grushte xhamin e parë të mjetit. Ai argumentoni para gjykatës të dielën, se nuk kishte synim të dhunonte turistët, por xhamin e qëllonte pasi donte të mbahej.

Ndërkohë, të shtunën në media u publikua lajmi se restoranti “Panorama” i Mihal Kokëdhimës, kushëririt të Koço Kokëdhimës, nuk ishte me leje. Por pas vitit 2013, kur kushëriri u bë deputet, sipas Report Tv, restoranti është futur në proces legalizimi.

Psikopatët që përdhunojnë turizmin shqiptar

Nga Mero Baze

Kokëdhima në Porto Palermo nuk është një njeri normal. Dhe njihet nga kushdo që ka shkuar qoftë dhe një herë, që nuk është normal. Nuk besoj se aty ka turistë apo vizitorë, që shkojnë për herë të dytë. Ai ka mbijetuar falë pozicionit që ka zaptuar në atë rrugë, privatizimit të plazhit dhe rezevateve të peshkut që ka bërë aty. Skena makabër me turistët spanjollë, tejkalon çdo skenar hollivudi dhe nuk ka aktor që ta marrë përsipër. Por çdo gjykim mbi një të sëmurë mendor është humbje kohe. Është njësoj si të gjykosh atë që vrau tetë vetë në Selenicë, ai që vrau dy turistë çekë, para disa vitesh në Dukagjin, apo krime të tjera nga të sëmurë psiqikë, në çdo vend të botës.

Ajo që duhet të gjykojmë është sistemi jonë i sigurisë në shërbimin publik. Restoranit, plazhi, disko, apo Pub-i, hoteli apo kampingu malor, janë shërbime për publikun në turizëm që zhvillohen nga privatë. Ajo që është e detyrueshme në këto raste është që njerëzit që i shërbejnë publikut duhen lincensuar. Kokëdhima është rasti ekstrem kur shteti duhet të kishte ndërhyrë me kohë që t’ia mbyllte atë restorant. Për të kuptuar këtë do të mjaftonte që një inspektor të shkonte qoftë dhe një herë tek restoranti i tij. Tani që dëmi u bë dhe Shqipëria po bëhet objekt humori dhe destiancion tmerri për këdo që e shikon, së paku duhet vepruar ashpër, që ndëshkimi ndaj tij, të shërbejë si shembull për këdo që abuzon me shërbimet ndaj publikut.

E para që duhet bërë, është heqja e tabelës “Restorant” dhe ndalimi i përhershëm i aktivitetit të tij dhe çdo familjari të tij në fushën e turizmit, përfshi dhe stan që i ka qëndruar solidar në atë akt. Këtu nuk kam paraysh dënimin penal se me atë merret gjykata. Por ndëshkimi administrativ që duhet t’i japë qeveria për ta bërë shembull për këdo që guxon të sillet si bandit në shërbimet publike. Dhe bashkë me këtë ndëshkim që duhet të nisë me çmontimin e çdo të drejte që ky njeri ka pasur në shërbimet turistike, duhet të nxjerrim mësime dhe për rritjen e sigurisë në vendet me intesitet të lartë turizmi.

Fakti që policia aty është përgjigjur pas gjysmë ore dhe e ka takuar atë në rrugën për të shkuar në Sarandë afër Nivicës, do të thotë se praktikisht nuk ka ekzistuar ndihma policore. Deri atëhere e keqja do të ishte bërë po të mos ishin dy shqiptarët e tjerë të çmendur që kanë përballuar sulmin e një psikopati me thikë dhe celular në dorë  dhe e kanë “shetitur” atë tre km pa e shtypur me makinë. Nuk vlen FNSH në Sarandë nëse nuk ka policë në Borsh, Qeparo, Himarë, Jalë, Dhërmi, pra në të gjithë bregdetin, që të jetë në një vendngjarje për 5 minuta.

Ajo që ka ndodhur në Porto Palermo, beteja mes një psikopati të sëmurë dhe një grupi turistësh, është një tmerr me një fund të lumtur, pasi mund të kishim më shumë se një viktimë nga kjo histori. Dëmi që ai i ka bërë Shqipërisë, është i pallogaritshëm. Licensimi i shërbimeve turistike, ndëshkimi shembullor i këtij psikopatit, dhe prania e policisë në çdo plazh të bregut jugor deri në fund të gushtit, është detyrimi minimal i qeverisë. Këtë radhë zoti shpëtoi njerëzit, por jo imazhin e turizmit shqiptar. Dhe nëse nuk e marrim seriozisht këtë histori, kur të përsëritet, nuk do shpëtojnë më, as njerëzit.

Skip to toolbar