Kombëtarja U-18 e drejtuar nga trajnerët Ilir Biturku dhe Olsi Uku, prej disa ditësh është duke marrë pjesë në turneun “Kvarneska Rivijera 2019”, që po mbahet në Rijeka të Kroacisë.
Ekipi kuqezi ka arritur të fitojë dy ndeshjet e para të luajtura në këtë turne.
Në ndeshjen e parë, përfaqësuesja kuqezi mundi ekipin kroat NK Orijent, falë golit të shënuar nga Armelindo Mema, që aktivizohet me ekipet zinxhir të QPR.
Në ndeshjen e dytë të zhvilluar të martën kombëtarja jonë fitoi kundër Venecias me rezultatin 1-0.
Golin për ekipin tonë e realizoi sulmuesi Anteu Fetahu në minutën e 74. Këtë të mërkurë pasdite do të luhet dhe ndeshja e tretë për ekipin tonë ajo kundër NK Vinodol, ku kuqezinjtë do të synojnë një tjetër fitore në këtë turne.