Presidenti Ilir Meta do të jetë të hënën (sot) në orën 09:59 përballë deputetëve të komisionit hetimor parlamentar të ngritur për hetimin dhe shkarkimin e tij për shkelje të rëndë të kushtetutës të bërë përmes firmosjes së dekreteve antikushtetuese, siç ishte ai për anulimin e datës së zgjedhjeve. Presidenti ka vendosur ta bëjë në këmbë rrugën nga presidenca drejt parlamentit dhe do të jetë i shoqëruar nga tre këshilltarë.
Në mbledhjen e Komisionit, presidenti pritet të
argumentojë arsyet që çuan në anulimin e datës së zgjedhjeve dhe më pas do t’u përgjigjet
pyetjeve të deputetëve që lidhen me shkeljen e kushtetutës, kompetencat që
Kushtetuta i njeh presidentit, si dhe precedentët e mëparshëm.
Pritet që mbledhja të karakterizohet nga
debate dhe batuta mes palëve, ndërkohë që duhet thënë se kundër aktit të
presidentit është edhe opozita parlamentare. Pra Meta do të ketë përballë në
komision jo vetëm maxhorancën por edhe opozitën e re parlamentare.
Kjo është hera e parë në historinë e politikës
shqiptare, që një president përballet me një komisionin hetimor që kërkon shkarkimin
e tij.
Komisioni Hetimor i ka dërguar kreut të
shtetit kërkesën që të jetë i pranishëm në mbledhjen e së hënës datë 9 shtator
në orën 10:00. Ndërkohë, vetë presidenti e cilësoi “çmenduri” pyetjen e
gazetarëve nëse ai do të jetë ose jo i pranishëm në Kuvend, ndërsa theksoi se
“mezi pret të kthehet në parlament”.
Duke parë reagimet që nga qershori edhe deri
më sot, Presidenti Meta pritet ta shfrytëzojë përballjen e tij me deputetët në
Kuvend për të dhënë mesazhe të koduara ndaj Ramës dhe Bashës, ashtu siç ka
vepruar në shumë dalje me akuza të rënda edhe për ndërkombëtarët deri në
deklarata për “deep state”. Kohët e fundit ai ka treguar se i pëlqen të jetë në
qendër të vëmendjen mediatike dhe për këtë ka shfrytëzuar çdo hapësirë që
mundësojnë rrjetet sociale.
Gjithsesi dita e hënë pritet të jetë vendimtare për presidentin Meta, edhe për faktin se në Tiranë zbarkojnë ekspertët e Komisionit të Venecias, të thirrur nga Kuvendi për të dhënë ekspertizën e tyre për kërkesën për shkarkimin e presidentit. Në axhendë është parashikuar që ekspertët e Komisionit të Venecias të zhvillojnë disa takime. Fillimisht me presidentin Meta, për të vijuar më pas me takimet e tjera zyrtare; me krye parlamentarin Gramoz Ruçi; përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Parlament, përfshirë Komisionin e Posaçëm Hetimor, Ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ-së dhe kryetarin në detyrë të Gjykatës Kushtetuese. Para se të vendosë për shkarkimin e presidentit, maxhoranca do të presë raportin paraprak të Komisionit të Venecias. Komisioni Hetimor parlamentar ka një afat 3 mujor i cili përfundon më 9 tetor. /Realstory.al