Bllokimi i KZAZ-ve nga militantë të PD-së me urdhër
të kryebashkiakëve të djathtë është cilësuar në kundërshtim me kompetencat e
qeveritarëve vendorë dhe në shkelje me ligjin e Kodin Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje
të martën, kryebashkiakëve që të mos tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor
sepse do të marrin përgjigjen sipas ligjit.
Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha tha se “KQZ
do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit, duke
cituar tre veprat penale për të cilat do të padisë kryebashkiakët dhe personat për
cenimin e një procesi të qetë zgjedhor në KZAZ”.
Shpërdorim detyre, pengim i subjekteve
zgjedhore, dëmtim me dashje i materialit zgjedhor, – citoi zëdhënësja e KQZ-së
duke thënë se këto janë vepra penale të parashikuara në ligjin për
dekriminalizimin.
“Disa kryetar bashkie i janë drejtuar KZAZ ku
kanë kërkuar lirimin si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në
shkolla, në administrim të bashkive.
KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim
të kompetencave për vetëqeverisjen vendore.
KQZ ripërsërit kërkesën për reflektim dhe për
të shmangur pengimin e procesit zgjedhor, cenojnë kompetencën e KQZ, KZAZ, në
ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuara në kodin
zgjedhor”, tha Hoxhaj e cila përmendi edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi, që
inkurajon zbatimin e ligjit për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.
Por fill pas kësaj deklarate ka reaguar
kryetari i KQZ-së, Klement Zguri që është përfaqësues i PD-së në KQZ, i cili thotë
se nuk ndan të njëjtin qëndrim me 4 anëtarët e tjerë të komisionit. Ai thotë se
kjo deklaratë e zëdhënës së KQZ-së është mendim vetëm i 4 anëtarëve të tjerë të
KQZ-së dhe jo i tij.
Kujtojmë se Zguri braktisi mbledhjen e KQZ-së kur u diskutua dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve duke thënë se nuk futet në brendësi të dekretit dhe ta komentojë atë, por e ka për detyrë vetëm ta zbatojë. Ndërkohë që 4 anëtarët e tjerë të KQZ-së e cilësuan nul dekretin pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe vendosën që të vazhdojnë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Deklarata e plotë e KQZ-së:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,bazuar në
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, urdhërimet e Kodit Zgjedhor, në parimet
dhe përcaktimet e kuadrit ligjor që regullon veprimtarinë e organeve administrative,
në përmbushje të misionit, detyrave dhe përgjegjsive, vijon punën për
administrimin e procesit zgjedhor, të datë 30 qershor 2019.
Disa kryetarë bashkie me shkresa drejtuar
KZAZ-ve kanë kërkuar, lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur
Vendet e Numërimit të Votave të Zonave të administrimit Zgjedhor, të caktuara
me vendime nga KQZ, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të
zgjedhësve në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare
(çerdhe, kopshte, shkolla), në administrim dhe pronësi nga këto bashki.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se
këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të
njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Në vijim të deklaratës së datës 14.06.2019,
KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë
administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat
cënojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ-së dhe KZAZ-ve,pjesë ë administratës
së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga
Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës, datë
10.06.2018:
– ka shprehur mbështetjen për qëndrimin e
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke
inkurajuar KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e
procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore, të datës 30 qershor 2019, në zbatim të
dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së
zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;
i bën thirrje të gjitha organeve publike, që
ngarkon ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve
vendorë të datës 30 qershor 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e
Presidentit, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë
5.11.2019, dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në
legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve
shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çdo kërkesë
apo veprim për të cilat, Ligji 139/2015, nuk i parashikon në kompetencë
Organeve të Qeverisjes Vendore, të cilat shkelin në thelb Kodin Zgjedhor të
Republikës së Shqipërisë dhe parimet e përgjithshme parashikuar në nenin 3 të
tij, i konsideron cënim të veprimtarisë institucionale, marrëdhënieve juridike
të vendosura me ligj, mospërmbushje të regullt të detyrës nga ana e tyre, me
pasoja të rënda për interesat e
zgjedhësve dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të datës 30 qershor 2019, dhe
do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit.
Ju kujtojmë se, veprime të tilla përbëjnë
vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i
subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit
zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto
vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas
ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen,
emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi).
Duke kërkuar mos ndërhyrjen për çështje që
janë kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehim besimin për
angazhimin në përputhje me misionin e vetëqeverisjes vendore për të siguruar
qeverisje të efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve
nëpërmjet respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë dhe ligje të
tjera.