Bie skenari i PD, betohet kryebashkiaku i ri i Devollit

Eduard Duro është betuar përpara këshillit të ri të Bashkisë Devoll, duke marrë zyrtarisht detyrën si kryetar i kësaj bashkie. Pas gati dy orë mbledhje, e cila u zhvillua në ambientet e nën-prefekturës për shkak të protestës së militantëve të PD përpara bashkisë, i zgjedhuri i PS në 30 qershor, ka bërë betimin para këshillit të ri bashkiak, pas konstituimit të tij.  Në këto kushte bie dhe skenari i Partisë Demokratike për të mos lejuar futjen në zyrë të bashkiakëve të zgjedhur në 30 qershor, të paktën në ato bashki që katër vitet që ikën janë drejtuar nga Partia Demokratike.

Tashmë mbetet të shihet se si do të veprohet më tej, pasi pas betimit të kryetarit të ri të bashkisë, praktikisht Eduard Duro duhet të shkojë në zyrën që do të drejtojë katër vitet e ardhshme. Megjithatë, Realstory.al kontaktoi me përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste, për të mësuar se cili do të ishte hapi i radhës, që Eduard Duro të futet në zyrën, që aktualisht mbahet nga Blejon Nallbati. Por drejtues të PS u shprehën se është ende herët për këtë proces, duke mos dhënë shumë sqarime rreth asaj që pritet të ndodhë më pas.

Ndërkohë, në zyrën e kryetarit të bashkisë qëndron Bledjon Nallbati, i cili prej mëngjesit të së premtes me mbështetjen e ish-deputetëve të PD dhe LSI si dhe të militantëve të këtyre forcave politike, janë futur në bashki dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e mbledhjes së këshillit të ri të kësaj bashkie. Gjithsesi, duket se marrja e zyrës do të jetë një proces formal, që në rastin më të keq do të kryhet edhe me ndërhyrjen e forcave të rendit, pasi mbajtja me forcë e zyrës mund të përbëjë vepër penale.

Pavarësisht kësaj, konsituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të kësaj bashkie, është fillimi i fundit i rrëzimit të skenarit të Partisë Demokratike për të mos njohur zgjedhjet, duke përdorur rrugën ligjore. Në kushtet kur gjykatat e shkallëve të para janë duke miratuar ditë pas dite mandatet e bashkiakëve të rinj, dhe në krahun tjetër Kolegji Zgjedhor po miraton shpërndarjen e mandateve për këshillat bashkiakë, brenda datës 10 gusht, pritet që të përfundojë konsituimi i këshillave dhe betimi i kryetarëve të rinj të bashkive. /Realstory.al/

Skip to toolbar