Politika harron ndasitë dhe bëhet bashkë, uron Kurban Bajramin

Sulmet dhe kriza politike është harruar këtë të diel dhe të gjithë politikanët janë fokusuar tek të dhëniet mesazhe me sa më shumë dashuri, mirëkuptim dhe komunikim të ruajtur gjithmonë të larta vlerat njerëzore. Kanë qenë të shumta urimet e politikanëve në drejtim të besimtarëve myslimanë për festën e Kurban Bajramit dhe dhënies së mesazheve për të punuar për interesat e kombit dhe popullit. I pari që nisi urimin ishte presidenti Meta, i cili duke harruar sulmet e vazhdueshme në drejtim të qeverisë por edhe opozitës kohët e fundit, i është kthyer sërish shprehjes së tij“me qetësi dhe dashuri”(të paktën për të dielën). Kreu i Shtetit ka bërë thirrje për dialog gjithëpërfshirës dhe palët të luftojnë mbi interesat personale për ato kombëtarë.

Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa! Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.”  shkruan Meta, i cili vlerëson këtë ditë të shenjtë si ditën e bashkimit të vlerave njerëzore dhe vërtetimit të harmonisë fetare që gëzon Shqipëria.

Urimet kanë vijuar me kryeministrin Rama, i cili  ka zgjedhur t’i urojë besimtarët myslimanë, por edhe t’u japë njëkohësisht  një dhuratë, një xhami të rikonstruktuar, ku ato mund të falen dhe ushtrojnë besimin e tyre. Me foton e xhamisë së Pazarit në  Gjirokastër që është rikonstruktuar, Rama i uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, gëzuar Kurban Bajramin” shkruan Rama.

Gjithashtu edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka harruar sulmet ndaj qeverisë dhe aferave korruptive e shkatërrimit të ekonomisë. Ai ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit duke uruan mbarësi dhe mirësi në këtë festë të sakrificës për të gjithë besimtarët dhe kombin shqiptarë.

Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi. Zoti ju faltë mirësi, mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët kudo ku janë!” shkruan Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është bërë pjesë e urimeve për besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Përmes një postimi në tëitter, Veliaj bën thirrje për më shumë dashuri, punë dhe bashkim mes njerëzve.

Gëzuar Bajramin! Të duhemi më shumë, urrehemi më pak! Të punojmë më shumë, të flasim më pak! Të bashkohemi më shumë, përçahemi më pak! Kjo është fryma! Le të përkushtohemi të gjithë! Gëzuar!”, shkruan Veliaj.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi bëri thirrje për reflektim dhe të mësohet më shumë nga bashkimi që nxit festa e Kurban Bajramit për të kapërcyer mosmarrëveshjet politike. Toleranca fetare e myslimanëve tha Ruçi duhet të na shërbejë si një frymëzim për tolerancën politike dhe bashkëpunimin midis individëve.

Kurban Bajrami na mëson se nëpërmjet besimit  mund të kapërcejmë mosmarrëveshjet,  ndarjet e konfliktet politike e shoqërore dhe të mirëkuptohemi e bashkohemi nën flamujt e vëllazërimit, dashurisë dhe devocionit për Shqipërinë. Toleranca fetare e myslimanëve dhe gjithë besimtarëve shqiptarë të na shërbejë si frymëzim për tolerancën politike dhe bashkëpunimin midis individëve, forcave politike dhe institucioneve në të mirë të Shqipërisë.” pohon Ruçi

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin, Spahiu: Dita kur shërojmë plagët

Me mijëra besimtarë shqiptarë janë mbledhur mëngjesin e të dielës në sheshin “Skënderbej” për t’u falur për namazin e Kurban Bajramit. Kjo festohet nga mijëra besimtarë mysliman në të gjithë botën dhe njihet ndryshe si “festa e flijimit”.

Nga sheshi “Skënderbej” , kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu bëri thirrje për më shumë paqe dhe harmoni, dhe devotshmëri ndaj Allahut. Spahiu u shpreh se simbolika e kësaj dite është kurbani, si shenjë mirënjohje ndaj Zotit.

Kurban Bajrami është dita ku ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me sytë e dashurisë. Allahut i intereson devotshmëria jonë. Te Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i Kurbanit, por bindja ndaj tij. Sot në këtë ditë besimi Bajrami. Dëshmia e sakrificës na bën që ti jemi Zotit mirënjohës. Kjo na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të bëjmë sakrifica për fe dhe atdhe. Kurbani do të thotë afrim të njeriut me krijuesin. Njerëzit nuk duhet t’i ndërpresin shpresat te Allahu”, tha Spahiu.

Simbolika e Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, riti që nis që nga periudha e Profetit Abraham dhe është një nga rregullat e Islamit. Para festës së Kurban Bajramit, në Mekë zhvillohet pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, ku miliona myslimanë nga e gjithë bota marrin pjesë.

Skip to toolbar