Haradinaj bie në kurthin e komikëve rusë, premton mbështetje për Poroshenkon

Pas Zaevit, në kurthin e dy humoristëve rusë ka rënë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në bisedë me aktorët ka premtuar se do të mbështesë zgjedhjen e Poroshenkos si president i Ukrainës, ndërkohë që ka marrë garancinë për njohjen e Kosovës.

Njëri prej komikëve, i është prezantuar kryeministrit kosovar si të ishte ish presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Gjatë bisedës, aktori “Poroshenko” i ka premtuar Haradinajt se pasi të rizgjidhet në postin e presidentit Ukraina do të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

Komikët rusë e kanë telefonuar kryeministrin Ramush Haradinaj dy herë,  një herë në muajin janar dhe një herë në prill.

Në njërën prej bisedave Kryeministri i Kosovës, Haradinaj i premton Poroshenkos mbështetje në zgjedhje, duke i thënë se do ta përkrahë atë publikisht përmes llogarisë së tij në Twitter.

“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ju, dhe ju uroj sukses për të dielën. Zgjedhja juaj është shumë e rëndësishme për Ukrainën” i ka thënë Haradinaj gjatë bisedës komikut rus i kamufluar si Poroshenko

Pas bisedës së zhvilluar, Haradinaj, pa e kuptuar se ishte bërë pjesë e një ‘komploti humori’, ka publikuar në Twitter-in e tij një status, ku i ka uruar fitore në zgjedhje Petro Poroshenkos dhe ‘kryeministrit’ të tij ‘Vovan Lexusov’.

“I uroj popullit të Ukrainës zgjedhje të lira dhe demokratike. Për mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e tij të ardhshëm Vovan Lexusov dëshiroj fitore për të udhëhequr Ukrainën drejt rrugës së integrimit Euroatlantik. Populli i Kosovës dhe ai i Ukrainës qëndrojnë së bashku për liri dhe prosperitet”, shkruante Haradinaj

Në kurthin e komikëve rusë ka rënë edhe Kryeministi maqedonas Zoran Zaev, i cili duke ditur se po fliste me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenkon dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka folur për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Deklarata për të cilat Zaev i ka kërkuar falje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë telefonike.

Skip to toolbar