Milan rrezikon të dështojë në përmbushjen e misionit për arritjen e zonës Champions në kampionat, çka do të ishte fatale për klubin kuqezi, që ka investuar shumë dy vitet e fundit. Nëse arritja e vendit të katërt në kampionat nuk do të kryhet, kjo do t’i kushtonte pozicionin jo vetëm trajnerit Gattuso, por edhe Drejtorit Sportiv, Leonardo.
Braziliani ka qenë arkitekti i merkatos së Milanit këtë sezon, ku veç blerjeve të mira si Paqueta apo Piatek, ka pasur dhe disa që nuk kanë sjellë rezultatet që priteshin. I larguari Higuain apo dhe Laxalt, janë dy nga dështimet e merkatos, çka ka bërë që Fondi Elliott të analizojë me kujdes veprimet e Drejtorit Sportiv.
Calciomercato, bazuar në informacione pranë “Rossonerëve”, shkruan sot se Leonardo është pranë shkarkimit, teksa mësohet se klubi ka pasur kontakte me Drejtorin Sportiv të Lille, Luis Campos, që njihet si zbulues talentesh. Ky pëlqehet shumë nga Gazidisi dhe mund të ishte pozitiv për Milanin.
Por një tjetër emër alternativë është dhe shqiptari, Igli Tare, që është Drejtor Sportiv i Lacios. Media italiane shkruan se Tare gjithashtu është në listën e drejtuesve të Milanit, por pengesat kryesore për ta sjellë atë Milano janë dy: e para, Igli Tare ka një kontratë të gjatë me Lacion dhe e dyta ka marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin Lotito.