Të premten luhet ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës. “Demat” vijnë në këtë përballje pas një historie suksesi që vijon prej 5 vjetësh. Trajneri Lerda synon që edhe në takimin e së premtes të marrë tre pikët. Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, Lerda u shpreh se në derbi nuk është asnjë prej skuadrave favorite. Por sipas tij lojtarët duhet të përgatiten për të përballuar këtë sfidë.
“Mendoj që në ndeshjet derbi, nuk ka skuadra favorite. Mendoj se lojtarët duhet të përgatiten sa më mirë për ta përballuar këtë sfidë”, tha Lerda. Ndërkohë, sipas tij, mungesat nuk do të jenë problem, pasi skuadra ka organikë të pasur. “Skuadra e Partizanit dhe organika është e pasur. Mendoj që nuk do të ketë probleme, pasi lojtarët që do aktivizohen do jenë mjaft të përgatitur për këtë takim”, tha Lerda.
Lerda shprehet se e respekton Tiranën, por mendon vetëm për skuadrën e tij. Ndërkohë, në krahasim me takimin e parë derbi, Lerda mendon se në sfidën e të premtes duhet më shumë përgatitje psikologjike për lojtarët.
“Unë mendoj për skuadrën time dhe për lojtarët e mi. Nuk dua të mendoj se çfarë ndodh për kundërshtarët, edhe pse i respektoj. Të gjitha ndeshjet mendoj që janë të vështira, për t’u përgatitur. Por ky takim me Tiranën, duhet përgatitur më shumë nga ana psikologjike, pasi pritet shumë nga mediat, tifozët dhe të gjithë”.
Ndonëse Tirana nuk ka një ecuri pozitive me derbet në 5 vitet e fundit, trajneri i Partizanit shprehet se nuk i druhet humbjes. “Sigurisht që nuk i druhem aspak. Mendoj që kjo është një ndeshje që duhet ta luajmë nga ana psikologjjike. Nuk lexoj shumë gazeta dhe për mua është e rëndësishme të japim maksimumin. Në ndeshje futbolli ka çdo rezultat brenda”, tha Lerda, ndërsa beson se rivalët e skuadrës së tij janë ende në garë për titull. “Nuk i ka humbur shanset për titull. Besoj se do të rikthehet, shpresoj jo nga kjo javë. Ka potencial dhe lojtarë që mund ta bëjë”, tha ndër të tjera Lerda.