Lerda s`kënaqet: Kukësi i kampionatit më i rëndësishëm se i Superkupës

SPORT


Partizani do të përballet me Kukësin të premten në “Elbasan Arena”, në takimin hapës të Superligës për sezonin 2019/20. Skuadra e “kuqe” vjen pas suksesit një javë më parë në Superkupë, ku mundi rivalin verilindor, me të cilin përballet përsëri në kampionat. Trajneri Franko Lerda ka folur një ditë para ndeshjes në konfernecë për shtyp, ku së pari ka komentuar deklaratat e Shpëtim Duros, që u shpreh se “Kukësi luajti më mirë”. “Është opinioni i tij, e respektoj. Ndeshjen e pamë të gjithë, sipas meje ishte e ekuilibruar, foli një pjesë për secilin, ne bëmë më mirë në kohët shtesë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme pasi kjo e Superkupës është e kaluar”.

Megjithatë, tekniku italian shprehet se ndeshja më e rëndësishme është të premten, ajo për kampionat, ndërsa tregon se për të ndeshjet do të merren hap pas hapi.  “Ajo që vjen është ndeshje më e rëndësishme, pasi duhet ta luajmë. Jo se nuk ishte Superkupa, se e donin shumë, por e kemi kaluar, më e rëndësishme është ajo që vjen. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje, ilaçi është puna e përditshme, duke përgatitur ndeshjet në mënyrën më të mirë psikologjike e taktike dhe të mendojmë se kur je kampion kundërshtarët japin diçka më shumë, ndaj duhet të jemi gati”.


Gjendja fizike është i vetmi shqetësim për Lerdën, ndërsa për sfidën e të premtes, preferon që skuadra të japë maksimumin, pa vendosur objektiva për rezultatin.  “Kukësi ka një skuadër shumë të mirë, ka invidualitete, një trajner të aftë, ekspert dhe të përgatitur. Do të jetë e vështirë. E kemi parë disa ditë më parë, por unë kam shumë besim te djemtë, respektojmë Kukësin por kam besim se ia dalim. Unë para ndeshjeve mendoj të arrij maksimumin, pastaj nëse vjen një barazim, do të shohim se si vjen ai. Superkupën nuk e lëshojmë se e fituam, nesër do të jetë një ndeshje tjetër, tërësisht ndryshe se nisesh 0-0. Do ta shohim se çfarë ndeshje është, por Kupën e mbajmë, nuk heqim dorë”.




Skip to toolbar