Sokol Balla: Letër nga një europian i frustruar

Nga Sokol Balla

E fus këtë letër në një shishe dhe po e hedh në detin Adriatik. Eshtë kufiri ynë detar me Europën por s`ka asnjë pengesë dhe kjo shishe me gjasë do ecë larg përmes Mesdheut. Më pas nga rryma e ngrohtë që del jashtë në Atlantik nga Gjilbraltari, ndoshta rrëmbehet nga turbullira e rrymave të Golfstrimit dhe shkon në gjirin e Biskajës, e prej andej ndoshta ndalon o në brigjet e Bretanjës, o në portin e Roterdamit, o ndoshta më larg e i kalon afër Hamburgut e më pas ndalon në Kopenhagen. Në të gjitha këto vende sot ka shqiptarë, nga ata udhëtarët e pasigurt të Tranzicionit, që lanë pas një vend pa shpresë, për tu ngulur e ngritur kasollet e tyre të vockla në brigjet e pasura europiane. Shumë prej tyre sot janë më mirë sesa ishin dje. Dikush jeton me djersën e ballit, dikush në qeli, si pjesë e atij 0.4 përqindshit të famshëm kriminal që na thonë se kemi në Holandë.

Por këtë shishe mund ta marrë edhe ndonjë spanjoll, francez, gjerman, danez apo holandez fluturues. Ata duhet ta kuptojnë se sot humbën një aleat të vogël. Më saktë është akti i fundit i një dashurie të refuzuar prej shekujsh nga një kontinent që i duket se Ballkanin nuk e ka pjesë të tijën, porse i është ngjitur atij si një çamçakëz bezdisës në çizme dhe që mezi pret ta heqë. Dhe për ta bërë këtë, ka shkaktuar luftra. Tani kur fjala luftë është më e rrezikshme sesa 100 vjet më parë, vëllëzerit tanë europianë që s’na duan, zgjodhën të na luftojnë me armën më moderne të kohës: Gënjeshtrën.

Sepse duhet t’i qëndrojmë të vërtetës në sy: Për ne shumicën e shqiptarëve, Europa është ajo ku ikim e udhëtojmë pa viza. Ca për pushime, ca për biznes, ca nga halli e varfëria, e ca të tjerë sigurisht për të abuzuar. Me një fjalë si gjithë të tjerët. Si Italianët drejt Amerikës, si Grekët drejt Anglisë, si Turqit drejt Gjermanisë, si Kosovarët dikur drejt Zvicrës. Për ne integrimi europian duket vetëm kaq, por sigurisht nuk është. Eshtë edhe para, investime, qindra miliona euro për Bujqësinë, Infrastrukturën, Demokracinë. Por këto i dinë më shumë politikanët. Ne dimë që e kemi vendin në Europë. Kush ka dyshim, të shohë Ermonela Jahon, Saimir Pirgun, Rame Lahajn, Granit Xhakën e gjithë plejadën dje dhe sot të artistëvë, sportistëve, e më pak shkencëtarëve, që çanë me mbiemrat e tyre paganë e shqiptarë, me emra zogjsh, pemësh, lulesh e malesh, të barabartë, në mos më të mirë se europianët “doc”. Vjet dy eventet më të mëdha sportive të botës, u hapën nga artistë shqiptarë, Dua Lipa finalen e Champions dhe Era Istrefi finalen e Botërorit. Ndoshta vëllezërit tanë mohues nuk e dinë, por të gjithë këta janë shqiptarë.

E megjithatë ka dhe një të vërtetë të madhe për arsyen e suksesit të shumicës absolute të këtyre yjeve botërore të parametrave të Rita Orës, Bebe Rexhës, Shkodran Mustafit apo Ermal Metës: Shumica e tyre janë refugjatë ose kanë lindur nga familje emigrantësh e pas shumicës prej tyre fshihet një tragjedi. Familjare, personale apo kombëtare. Nëse nuk do të kishin ikur në Europë, shumë prej tyre ndoshta nuk do t’ia kishin dalë. Vijnë nga një komb i copëtuar, i torturuar, i keqtrajtuar, i vendosur gjithmonë në Ligën B të krenarisë së kombeve dhe talentet e kushedi se sa Duave, Ermalëve e Muradëve vdiqën në kampe lufte, përqëndrimi, ose në muret e betonta të pallateve të ndyra shqiptare të komunizmit. Shiftari, na quajnë serbët, po pak vetë e dinë se me këtë kanë parasysh karrocierët. Ne, kombin e Kalorësit të Krishtërimit, Skënderbeut, prej shekujsh tentojnë të na mbysin, nëse jo asgjësojnë. Siç e bënë turqit 500 vjet dhe s’na lanë as të hapim një shkollë, as të kemi një kishë ku të shkruanim shqip. Siç e bënë grekët më vonë, kur tentuan të helenizojnë atë numër jo të vogël shqiptarësh të vjetër, por nuk mundën. Sot edhe kur hyn në Athinë, shkelqëjnë në shqip emrat e trevave arvanitase, ku plakat flasin akoma shqip. Plaka, si lagjia më e famshme e Athinës, aty ku gjendet Partenoni, origjina e Artit, Historisë e Demokracisë, pasuria botërore që bën të famshëm grekët e rinj, që sot as anglishten nuk e flasin aq mirë dhe që nuk e kuptojnë greqishten e vjetër që në sintaksën e saj ngjan me shumë me shqipen sesa me gjuhën që ata vetë flasin sot.

Por ne s’patëm dot shkolla dhe fakti që mbijetuam ishte pak për t’u konsideruar pjesë e familjes Europiane. Prandaj e deshëm dhe e duam Europën. Prandaj nxituam 30 vjet shpesh duke thyer kokën, por duke u ngritur sërish në këmbë e ecur para. E derisa kuptuam sot, se e ardhmja europiane ishte vërtet një horizont: një vijë e gjatë në infinit, që sa “sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ajo largohet”. Fiks siç lexonim në librat e shkollës, kur ishim të vegjël në Gjeografi.

Por në vitin 2006 në Luksemburg, kur po prisnim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, horizonti europian u shfaq në formën e trashë dhe rondokope të ministrit të jashtëm të Qipros, i cili u vonua të vinte 40 minuta, pasi mesa duket kishte edhe ca dilema të fundit para se të vinte firmën në një copë letër. Pastaj erdhi arrogant dhe i avashtë, vuri firmën si me bezdi e u largua edhe pa bërë foto. Përse? Ndoshta ai e dinte më mirë se të tjerët, se horizonti europian i Ballkanit dhe i shqiptarëve, o ishte larg, o duhet të vonohej me çdo kosto e mënyrë. Mënyra e tij për të “kontribuuar” ishin 40 minutat e vonesës. Po sa vonesa të tilla na janë bërë nga Europa ku deshëm aq shumë të futemi?

Shumë, dhe disa prej tyre janë tonat. Europa e pas Perdes së Hekurt na deshi shumë, por na deshi demokratikë. Ne i ofruam Berishën dhe referendumin për kushtetutën, që donte ta bënte atë mbret të pashpallur. Europa na donte të ndershëm, Por ne i dhuruam 26 majin e 1996. Europa na donte të paqtë, por ne i bëmë dhuratë vetes, dhunën dhe histerinë kolektive të 1997. Europa tentoi të na pajtonte, por ne vazhduam hasmërinë e gjakun, këtë herë brenda në parlament e para dyerve të partive si në 1998 dhe para dyerve të qeverisë si në 2011. Ne ngelëm adoleshentët e kontinentit, ndërsa Europa plakej e plakej, e ndërsa plakej, si një plakë gërnjare, edhe dhimbjen e eshtrave dhe vështirësinë e shurrës, do ta gjente tek çamçakëzi bezdisës në çizme: Ballkani dhe shqiptarët. Europa na donte të rrinim në shtëpi, e ndaj na shkeli syrin e qeshi, kur në 2015 e lamë atë dhe u kthyem e mbollëm cannabis.

E prapë e them por tani pyes veten: Përse na gënjyen? Përse thanë (e thonë akoma me atë lojën e pisët polic i mirë/polic i keq) se integrimi është e ardhmja jonë? Jo nuk është dhe të paktën për këtë t’i themi faleminderit Macron. Ai ishte i vetmi që nuk na gënjeu. Nuk na duan dhe tani duhet të fillojmë të mësohemi me këtë. Të fillojnë partitë politike me hipokrizirat e tyre programore integriste të parat. Tani që busullës tonë gjeopolitike do t’i mungojë kushedi sa kohë Veriu i saj magnetik, bëjnë mirë të orientohet aty ku duhet. Ndonjëherë gjërat i kemi para syve, por si lakmitarë të hallit që s’ngopin dot barkun e vuajtur nga uria shekullore, sado që te kenë tryezën plot sot, nuk arrijmë të shohim se në fakt ne kemi të njëjtin drejtim, por në vektor më të largët. Aty ku ndoshta nuk na duan, por as na urrejnë, s’na e kanë lakminë por as edhe mërzinë, ku s’na shohin si emigrantë se të tillë janë vetë. Janë ata që prej 100 vjetësh, fillimisht na shpëtuan ne këtej kufirit të Morinës, nga asgjësimi ku donin të na fusnin nipat direktë të Bonapartit, e që dekada më vonë, shpëtuan edhe Kosovën. Dhe atëherë ju kujtohet? Ca gjeneralë francezë në NATO, ishin ata që dhanë informacionet “krahut tjetër”, për fluturimet e avionëve të Natos, mbi qiejt e Millosheviçit që aq shumë e donte Handke, sa për këtë u “vlerësua” fiks 20 vjet më vonë me çmimin Nobel?

Mjaftojnë kaq pak shembuj për të kuptuar sesa gabim jemi sjellë ne me Europën. Një gabim që nuk e bënë vendet e ashtuquajtura të Vishegradit, që u bënë grup bashkë dhe iu imponuan asaj dje dhe sot kur i janë futur në gji. Por një gabim që nuk e bënë as vendet baltike, ku e ku me më shumë probleme se ne, me rusë në popullsi e me Moskën ushtarake te pragu i derës. Ata zgjodhën të futen në Nato e më pas në Europë, duke hyrë nga dera e Uashingtonit. Po. Andej nga duhet të kishim hyrë edhe ne. E vetmja derë që është hapur sa herë kemi pasur nevojë. E vetmja dorë që na është zgjatur kur zhyteshim në baltën e historisë, të shkelur, nëpërkëmbur, gjymtuar e plagosur. Ky vend që me pompozitet nga kostumet blu e gri të parlamentit jo rrallë quhej me hipokrizi si shteti i 52-të i Amerikës, kurrrë nuk i dha Amerikës vendin e saj të merituar, në investime, prona, përparësi absolute në ekonomi. Përkundrazi, mezi i morrëm 3000 refugjatë lufte, kostot e të cilëve i paguajnë ata vetë dhe iu hodhëm në fyt të gjithë, kur na ofronin integrim, para dhe mbështetje, për të çmontuar ca epruveta të qelbura me kimikate lufte të Sirisë. Por nuk arritëm kurrë të çmontonim armën moderne të Europës plakë: gënjeshtrën. Se na gënjyen. Na gënjyen në 2013, kur na kërkuan tre ligje. Na gënjyen në 2014, e më pas në 2015. Na gënjyen ne 2016 kur na thanë se duhet reforma në Drejtësi, të cilën e bëmë me kosto të larta që i paguam edhe në 2019. Gënjyen Kosovën kur çfarë nuk i kërkuan për t’i dhënë një të drejtë që ata e kishin pasur dhe ushtruar dikur në Jugosllavi, lëvizjen e lirë. Por të paktën duhet të ngushëllohemi. Kësaj radhe pati edhe më keq. Gënjyen një vend të tërë, i grisën historinë e 30 vjetëve, i grisën flamurin, emrat e rrugëve, i hoqën sheshe e statuja, i deprimuan si komb “në emër të integrimit”, që nuk erdhi kurrë. 

Sot të jesh shqiptar, apo më pak maqedonas për shumë europianë është një shprehje e thjeshtë që nesër do harrohet. Jemi thjesht simboli i fundit i supremacisë mikroborgjeze dhe aristokratike europiane, të mbetur akoma me nostalgjinë kolonialiste, që sheh një maroken, më pak të rrezikshëm se një shqiptar, një djalë Surinami më të talentuar sesa një vlonjat, dhe një vajzë nga Kongo belge (më falni, Zaire (uh më falni Democratic Republic of Kongo) më pak prostitutë se një hallexheshë nga Tirana.

Sot kemi Macron, më në fund zërin e vërtetë të Europës dhe jo supremacinë në zbehje të Merkel, që na e tha në sy se tashmë koncepti politik i të qenit europian, ka ndryshuar. Sot të qenit europian, nuk është më një ide e bukur, si në kohën kur ajo lindi. Tashmë është thjesht një nocion racist.

Sigurisht dielli do të lindë sërish nesër, dhe për fat tek ne dielli ka lindur gjithmonë. Dielli lind, andej nga perëndon.

Dhe perëndon larg, andej nga Amerika. Amerika e Nolit, Konicës e vëllezërve Qiriazi. Amerikani e Uillson, Clinton Bush e pse jo dhe Trump. Na duan apo iu duhemi kjo s’ka më asnjë rëndësi. Rëndësi ka që kjo nuk ndryshon. Siç nuk do ndryshojnë kurrë francezët, pavarësisht nëse quhen Sarkozy apo Macron. Ndryshojnë vetëm gratë e tyre.

Po ne, kemi dobësitë tona dhe s’na duhen edhe ato të francezëve. Sot, 30 vjet gati pas asaj nate të ftohtë dimri kur Perdja e Komunizmit në Tiranë u ça nga thirrjet “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa, 26 vjet pas udhëtimit tim të parë jashtë shtetit që nuk ndryshoi shumë nga ai i fundit sa i përket pyetjeve “Ku, si, sa dhe pse” edhe 26 vjet më vonë, unë mendoj se shqiptarët duhet të fillojnë të reflektojnë dhe administrojnë me qetësi, frustrimin e tyre si unë sot, ndaj këtij refuzimi të ri dhe të vjetër të Bashkimit Europian. Ky është një realitet i ri. Ngushëllimi është se nuk jemi vetëm dhe se për fat, vendi i vërtetë i lirive dhe i barazisë, është akoma me ne dhe duket se do jetë për një kohë të gjatë.

Ndaj në fund të kësaj letre të futur në shishe e hedhur gjithë pezm e frustrim ujërave të Adriatikut, pak shprese (por le ta them, edhe më pak dëshirë kam) që kjo letër të lexohet nga ndonjë prej vëllezërve tanë europianë që nuk na deshën e nuk na kuptuan dot. Thjesht desha të them ca fjalë, në emër të shqiptarëve, europianëve të frustruar që enden në ujëra të turbullta e paqarta tashmë jo vetëm për fajet e tyre. Unë sot nuk e dua Shqipërinë si kjo Europë e verbët dhe e dobët. Ndoshta Macron ka të drejtë: Europa nuk është akoma gati për ne.

Kur të jetë, të na e thotë. Ne këtu jemi. Kushedi, ndoshta atëherë, edhe mund ta pranojmë.

Shqipëria “flirton” me Holandën: Tetë ministret femra, letër për negociatat

Të martën në mbrëmje parlamenti holandez diskuton dhe voton nëse Shqiperisë t’i japë apo jo OK per hapjen e negociatave. Dhe në prag te seances së vështirë, qeveria shqiptare ka luajtur me kartën e bute. Tetë ministre të kabinetit qeveritar i janë drejtuar me një letër Qeverisë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në Holandë, në prag të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave. Në letrën e siguruar ekskluzivisht nga Realstory.al, tetë ministret e kabinetit tonë qeveritar, shprehin krenarinë që Shqipëria është një nga 5 vendet me kabinetet më të balancuara gjinore në botë. “Tetë nga 15 ministri në Qeverinë shqiptare mbahen nga gra. Si nëna dhe vajza, si gra që luftojmë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne dëshirojmë të ngremë me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, një çështje që ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët, perspektiva evropiane e vendit tonë”, thuhet në letër. Më tej, tetë ministret, shprehin admirimin për Holandën, si një vend me rekord të guximit politik dhe tolerancës sociale.

“Ne në Shqipëri e admirojmë Hollandën. Ajo që keni arritur shërben si frymëzim për të gjitha vendet e vogla. Ju jeni një vend me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik dhe tolerancës sociale. Ju ishit vendi i parë në botë që legalizoi abortin, hoqët dënimin me vdekje, lejuat të drejtat e grave dhe u bët vendi i parë në botë që legalizuat martesën e të njëjtit seks në 2001. Ju jeni gjithmonë në radhët e kryes, në të gjitha indekset ndërkombëtare për lirinë e shtypit, lirinë ekonomike, zhvillimin njerëzor dhe cilësinë e jetës”. Thuhet ndër të tjera në letër.

Më tej, ministret e kabinetit të Qeverisë sonë, tregojnë përparimet e Shqipërisë në 30 vite demokraci, duke evidentuar rolin e femrës në shoqëri dhe hapësirën e saj në poste drejtuese dhe funksione publike. “U futëm në rrugën e demokracisë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata dhe të errëta. Por, përkundër kësaj, gjatë këtyre tre dekadave kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe qytetarëve. Në ditët e sotme, gratë përbëjnë të paktën 50% në këshillat bashkiake dhe 60% e posteve të larta në sektorin publik mbahen nga ato. Në të vërtetë, ato janë duke drejtuar institucionet kryesore që janë duke luftuar për konsolidimin e sundimit të ligjit në Shqipëri: Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda”, thuhet ndër të tjera.

Më tej, në letër evidentohet bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Holandës, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar. “Bashkëpunimi midis agjencive tona të zbatimit të ligjit ka qenë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate të prekshme. Por natyrisht, kjo është para së gjithash është lufta jonë”, thuhet në letër, duke vijuar më pas me disa të dhëna statistikore për goditjen e grupeve kriminale. Duke evidentuar  punën për Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, tetë ministre të kabinetit qeveritar kërkojnë nga Holanda që të bashkohet me vendet e tjera të BE-së për t`i thënë “Po” Shqipërisë, si një mënyrë për të nxitur dhe më tej luftën kundër atyre, që tetë ministret i quajnë, “forca të errëta”.

“Dështimi i përpjekjeve tona për të filluar bisedimet e pranimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ju keni fuqinë ta parandaloni këtë. Drita jeshile për bisedimet e pranimit do të jetë sinjali më i fortë për mijëra njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Ne e kuptojmë qasjen e kujdesshme të Hollandës drejt zgjerimit. Ne nuk kërkojmë që ju të ndryshoni pikëpamjet tuaja, pasi nuk po kërkojmë kartën e hyrjes në BE. Ne thjesht po kërkojmë që të bashkoheni me vendet e tjera të Evropës, duke i shtrirë dorën Shqipërisë, dhe të na lejoni të çojmë përpjekjet tona në një tjetër nivel”, thuhet ndër të tjera në letrën e firmosur nga tetë ministre të kabinetit Rama. /Realstory.al/

6 televizione ankohen tek AMA për Tv Klan, Abc News dhe Shijak Tv

Gjashtë media në vend, i kërkojnë Autoritetit të Mediave Audiovizive, që të urdhëroj TV Klan, ABC News dhe Shijak TV, fikjen e transmetimeve analoge. Në datën 1 tetor, AMA mbylli transmetimet analoge për qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Të gjitha kanalet televizive që transmetojnë në këto qaraqe, duhet të kalonin në transmetime dixhitale, pra qytetarët mund t`i shohin vetëm duke u pajisur me dekodera DVB/T2.

Megjithatë, nëse News 24, Vizion Plus, OraNews, Ora HD, Report Tv dhe Top Channel, respektuan vendimin e AMA-s për kalimin në transmetime dixhitale, TV Klan, ABC News dhe Shijak TV vijojnë ende transmetimet analoge. Kjo është arsyeja, që gjashtë media në kryeqytet me anë të një ankese “urgjent”, i kërkojnë këtij institucioni që tre mediat të fikin transmetimet analoge.

“Konstatohet me shqetësim, ashtu edhe si ju jeni në dijëni nga mbikëqyrja e OSHMA-ve në treg se operatorë të tjerë si Klan, Klan Plus, ABC News, Shijak TV etj nuk kanë respektuar këtë vendim dhe vazhdojnë të transmetojnë përveç në dixhitale edhe në sinjal analog në qarqet Tiranë dhe Durrës. Ky transmetim po bëhet në kundërshtim me vendimin tuaj, dhe për më tepër, ka krijuar pabarazi dhe deformim të konkurencës në treg” thuhet në letrën dërguar AMA-s.

Më tej, mediat shtojnë:  “Kërkojmë nga strukturat e AMA-s që të ndërmarrin masat e duhura operacionale dhe ligjore, për të detyruar këta operatorë të zbatojnë ligjin dhe të mos prishin ekuilibrat e tregut kaq sensibël si ai i mediave, duke mos u bërë palë me shkaktuesit e shkeljeve” përfundon letra e operatorët televizive, që e kanë respektuar ligjin për fikjen e sinjal analog.

E quajti ngatërrestar, tani Meta i lutet Lajçak: Ma njih dekretin tim

Ditë më parë, në një konferencë për shtyp, presidenti Meta doli kundër OSBE dhe ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan respektimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve kohore duke treguar se njohin 30 qershorin dhe jo dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve. Me një ton të ashpër, Meta tha se Presidenti është ai dhe se përgjegjësinë për stabilitetin e ka po vetë. “ Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre. “ u shpreh Meta.

Pavarësisht kësaj deklarate duket se presidenti ka ndryshuar qëndrim. Ditën e mërkurë, Meta në një letër drejtuar kryetarit te Radhës i OSBE-së , Miroslav Lajčák dhe kryesueses së ODHIR-së për Institucionet Demokratike, Ingibjörg Sólrún Gísladóttir, që më herët i cilësoi si ngatërrestarë, i njofton se dekreti i tij është tërësisht ligjor dhe se duhet të implementohet në të gjitha institucionet që merren me administrimin e procesit zgjedhor, përfshirë edhe KQZ.

Meta tha se nëse zgjedhjet mbahet në dhunim të dekretit të presidentit do të jenë nul dhe të pavlefshme, madje ka cilësuar se mosnjohja e dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve është një faktor i përkeqësimit të krizës në Shqipëri.

Sipas legjislacionit në fuqi, dekreti me nr 1199 i datës 10.06.2019 është në fuqi dhe është i publikuar në fletoren zyrtare të republikës së Shqipërisë më datën 11 qershor . Për këtë dekreti është ligjor dhe duhet të implementohet nga të gjithë institucionet përfshirë dhe administratën e procesit zgjedhor në Shqipëri, përfshi dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë arsye procesi zgjedhor që mund të mbahet në dhunim të dekretit të presidentit do të jetë nul dhe i pavlefshëm dhe përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë për të injoruar dhe bllokuar implementimin e dekretit të presidentit të republikës janë totalisht të paligjshme dhe përkeqësojnë krizën në Shqipëri” – shkruhet në letrën e presidentit Meta dërguar OSBE/ODIHR

Shkarkimi i presidentit, PS dorëzon kërkesën për debat në Kuvend

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka nisur një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku kërkon që në seancën parlamentare të ditës së enjte të zhvillohet një mocion debati në lidhje me vendimin e presidenti Meta për të çdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Balla e cilëson vendimin e presidentit Meta të pavlefshëm dhe përtej kompetencave të tij në kundërshtim me parimet Kushtetuese.

Gjatë ditës së hënë, edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se në seancën e së enjtes në Parlament do të kërkohet shkarkimi i presidentit Meta.

Holanda i kërkon Komisionit Europian të pezullojë vizat për shqiptarët

Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Holandës në Bashkimin Europian, Robert de Groot, përmes një letre të gjatë dërguar Komisionit Europian, kërkon rishikimin e regjimit të vizave për shqiptarët, duke theksuar se është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil, si dhe roli që ata kanë në krimin e organizuar në Amsterdam dhe Roterdam.

“Gjatë viteve të fundit, çështjet me shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje publike në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdam dhe Roterdam.

Një shqetësim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave në përgjithësi dhe liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë në veçanti”, shkruhet në letër.

Më tej në letrën e gjatë bëhet e ditur se “që nga viti 2015, Hollanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me shtetasit shqiptarë dhe bandat e krimit shqiptar. Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikimin e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe

trafikimin e qenieve njerëzore”, sqaron përfaqësuesi i Holandës, i cili thotë se pavarësisht përpjekje për të bashkëpunuar me autoritet shqiptare, ende këto çështje mbeten problematike.

“Shqipëria dhe Hollanda po punojnë së bashku për të luftuar krimin e organizuar nga shtetasit shqiptarë në Holandë. Më 23 maj 2018 Ministri i Drejtësisë dhe Ministri për Migracionin i Holandës nënshkruan një marrëveshje me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë. Më 13 dhe 14 shkurt 2019 u mbajt takimi i parë i ekspertëve për krimin e migracionit në Holandë. Edhe pse bashkëpunimi ndërmjet policisë, gjyqësorit dhe autoriteteve të imigracionit janë përmirësuar, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme dhe bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete në terren”, shkruhet më tej në letër.

Robert de Groot në fund të letrës shkruan se “Hollanda i kërkon Komisionit që të shqyrtojë informacionin e dhënë dhe në konsultim me Shtetet Anëtare të BE, të vendosë për nevojën për të ndërmarrë veprime në bazë të nenit 8 (pra që lidhet me regjimin e vizave) në mënyrë që të luftohen në mënyrë efektive problemet që lidhen me shtetasit shqiptarë”.

Këshilli i Ambasadorëve i shkruan Merkelit dhe Macronit: Na ndihmoni!

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i është drejtuar me një letër të hapur kancelares gjermane Angela Merkel si dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të cilëve i kërkon ndihmë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Letra i dërgohet dy drejtuesve kryesorë të BE-së në prag të samitit të Berlinit. Këshilli i Ambasadorëve, i cili drejtohet nga ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe në përbërjen e tij ka figura me kontribute në fushën e diplomacisë, kërkon nga Merkel dhe Macron që të japin mesazhe të qarta për të inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Letra e hapur:

Tiranë 25 Prill 2019

Shkëlqesisë së saj, Zonjës Angela Merkel,

Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë

Shkëlqesisë së tij, Zotit Emanuel Macron,

President i Republikës Franceze

Opinioni ynë publik është njohur për samitin që ju do të organizoni në Berlin më 29 prill 2019 me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se kjo nismë vjen në kohën e duhur për t’i dhënë një shtytje të re procesit të ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në vendet e rajonit tonë.

Ne besojmë thellësisht, Shkëlqesi, se Ju, në emër të shteteve të fuqishme, bujare dhe me ndikim planetar për lirinë dhe demokracinë, që udhëhiqni, në emër të Bashkimit Europian do t’u përcillni udhëheqësve të shteteve të rajonit tonë mesazhe të qarta për paqe të qëndrueshme, stabilitetin pa cënuar standartin e demokracisë e të shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik duke respektuar dinamikën e tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme.

Ky samit është një rast fatlum veçanërisht për përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një proçes shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete sovrane, të cilat kanë të përbashkët një të kaluar të afërt të mbushur me urrejtje dhe luftë të përgjakshme ndëretnike. Por këto dy vende kanë sot të përbashkët edhe aspiratën për integrim europian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se pikërisht kjo aspiratë përbën motorrin më të fuqishëm frymëzues për shoqëritë dhe institucionet e këtyre dy shteteve, për t’i shtyrë ato drejt pajtimit përfundimtar duke lënë pas të kaluarën e hidhur, në emër të ndërtimit të një fqinjësie të shëndetshme, miqësore, si interes jetik në radhë të parë për popujt e tyre, por edhe për të gjithë popujt e rajonit.

Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i lartë, Shkëlqesi, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dëshirojmë të vendosim ne vëmendjen tuaj edhe disa problematika të vendit tonë.

Gjatë këtyre 28 vjetëve pas shembjes së diktaturës staliniste, Shqipëria ka bërë pa dyshim përparime substanciale në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të ekonomisë. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duke e bërë kështu të pakthyeshëm orientimin tonë perëndimor. Më shumë se 90 për qind e opinionit publik shqiptar mbetet i vendosur në mbështetje të perspektivës europiane.

Mbarë shoqëria jonë pret me shpresë që Këshilli Europian të vendosë në qershorin e ardhshëm për çeljen e negociatave, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian të vendit tonë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se ju Shkëlqesi, dhe qeveritë që ju udhëhiqni, do të jeni në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptarëve. Kjo ëndërr e shenjtë frymëzoi shqiptarët për t’u ngritur kundër sistemit më represiv të kohës.

Shqipëria po kalon një tranzicion të stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën.

Prej më shumë se një viti vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni, duke e futur krejt drejtësinë në kolaps.

Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni, e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme, të pacënuara nga lidhjet e krimit me politikën.

Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë vitëve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e pesta e shqiptarëve.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.

Ne gjithashtu shpresojmë që ju shkëlqesi, si miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron suksese këtij samiti dhe u shpreh mirënjohje të përzemërt nismëtarëve dhe organizatorëve të tij.

Me respekt

Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë

Skip to toolbar