Letër publike Merkelit dhe Macronit, “Bëhuni 5 minuta kosovarë”

Një qytetar i Republikës së Kosovës i është drejtuar me një letër publike dy liderëve kryesorë të Evropës, Kancelarës së Gjermanisë Angela Merkel si dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Bëhet fjalë për qytetarin Remzi Plakaj, i cili në letrën drejtuar Merkelit dhe Macronit thekson se pse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk e meritojnë izolimin.

Letër publike:

E nderuar dhe respektuar znj. MERKEL, i nderuar dhe respektuar z. MACRON, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk e meritojnë izolimin si të vetëm pa asnjë arsye, dhe e vetmja shpresë që dhe ne të jemi Evropian ju duhet të ndani 5 minuta në mendjen tuaj duke e vendos vetën si një qytetar i Kosovës; Nëse ju do ishit një student i Kosovës dhe dëshironi të studioni diku në Evropë por nuk keni të drejt të lëvizjes së lirë, si do të ndiheni?!   Nëse ju dëshironi të vizitoni familjen tuaj (vëllain, motrën, nënën apo babën) por nuk keni të drejt të lëvizjes së lirë, si do të ndiheni?!Nëse ju apo dikush nga familja juaj ka nevojë për vizita mjekësore apo biznes në shtetin tuaj, por nuk keni të drejt të lëvizjes së lirë, si do të ndiheni?!Nëse ju do kishit dëshirë ta vizitoni Berlinin, Parisin apo ndonjë vend tjetër duke pa kultura dhe qytetërime të vjetra, por nuk keni të drejt të lëvizjes së lirë, si do të ndiheni?!Qytetarët e Kosovës nuk emigrojnë po u hoqën VIZAT, këtë e them me bindje të plot pasi ne e duam shtetin tonë dhe do e ndërtojmë siç është më së miri duke qenë pjesë e familjes Evropiane, po të duam MIGRIM të gjithë kemi mundësi financiare për të ardhur në Evropë, por nuk e bëjmë këtë sepse e duam shtetin tonë ashtu siç e doni ju shtetin tuaj… ne vijmë në Evropë vetëm për ato katër pikat që ju do ti mendoni! Evropa është familja jonë ashtu siç është edhe e juaja, por familjes kur i mungon një anëtar nuk është ndjenjë e mirë andaj duhet kërkuar për të u bashkuar! Uroj kjo letër elektronike të ju vij në telefonin tuaj dhe të ju gjej mirë dhe ata 5 minuta ti ndani për NE! Faleminderit & respekt.

Zjarr në Bushat. Meta, letër Ramës gjysmë ore më pas

Presidenti Meta i ka dërguar kryeministrit Rama një letër publike. Letra është publikuar vetëm pak minuta më vonë, pasi në media u bë publik lajmi i sulmeve të ndodhura në KZAZ numër 6 në shkollën “Ndre Mjeda” në Bushat dhe pas trazirave të ndodhura në zonën e Beratit.

Në tonin e letrës, pavarësisht në dukje me emocion, stili i presidentit Meta duket paralajmëruese dhe në fjalët e përdorura prej tij ndihet era e shprehjes “të dola borxhit’.

A është kjo një letër kërcënuese dhe paralajmëruese ndaj kryeministrit Rama për 30 qershorin?

Më poshtë letra e plotë:

I dashur Edi,

Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.

Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.

Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë.

Por unë, siç me të drejtë ti ankoheshe, nuk mund ta lija Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohoja shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa.

Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ja ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi.

Po të kujtoj se në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.

Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.

Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta.

Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.

Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.

Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.

Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!

Letrat publike të Ramës, Berisha: Vrer ndaj opozitës

Ish kryeministri Berisha ka folur në lidhje me dy letrat publike që Kryeministri Rama ka dërguar për opozitën, duke i cilësuar si të pavlera dhe për t’i hedhur në kosh.

I ftuar në Opinion Berisha tha se në letra hidhet vetëm vrerë për opozitën dhe se Rama është i vetmi shqiptar në botë që nuk mban përgjegjësi për krizën e krijuar në vend.

“Së pari duhet të kemi parasysh se duke lexuar dy letrat e tij, ju gjeni se ai është i vetmi shqiptar sot mbi tokë në Shqipëri dhe në planet që nuk ndien asnjë përgjegjësi për krizën e krijuar. Që gjithçka e projekton e nxjerr tek kundërshtari, e para kjo njëherë. Asnjë njeri nuk mendon se ai nuk ka përgjegjësi. Unë kam besim se çdo njeri normal e ka të qartë se çfarë do të thotë futja e bandave në zgjedhje.

Të shkruash letër duke nxjerrë të gjithë vrerin tek Kundërshtari, të ftosh me vrer kësaj i thonë të ftoj duke vjellur vrer ndaj kundërshtarit. Ai aty i shpall luftë opozitarëve, ai kthehet në instinktin e hakmarrjes atërore. Nuk mundët kurrë një kryetar qeverie të thotë se është ogur i mirë shkatërrimi i këtij grupi. Çdo opozitar duhet ta ketë të qartë se kë ka përballë.”

Rama, ftesë Bashës: Harro urrejtjen dhe kushtet

Kryeministri Rama i ka drejtuar një letër publike kreut të PD-së Lulzim Basha duke i bërë thirrje të ulen në tryezën e dialogut pa kushte. Rama shkruan se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, dhe se ai nuk ka asnjë fuqi ligjore të negociojë datën e zgjedhjeve.

LETER PUBLIKE LULZIM BASHES
Zoti Kryetar,
Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qysh se braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.

Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.

Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar.

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj.

Skip to toolbar